Lajme

1/16 e Kupës: Drenica – Prishtina 0-0 /4-5/ me penallti

1/16 e Kupës: Drenica – Prishtina 0-0 /4-5/ me penallti

Prishtina kualifikohet në 1/8 e finales – të premten shorti

Skenderaj, 27 nëntor 2018 – Prishtina ka arritur që në stinorin vjeshtor t’ia shkaktoj Drenicës tre humbje. Dy ishin kampionale, ndërsa sot për Kupë. Në kushte aspak humane për futbollistët, bë fushën e zhytur në baltë, dy ekipet dhanë maksimumin. Por, më me fat dhe për meritë të portierit Visar Bekaj që priti dy penallti, Prishtina me meritë vazhdon në ecurinë e mbrojtjes së trofeut të çmuar të Digitalb Kupës së Kosovës.

Visar Bekaj

Edhe pse u zhvillua ndeshje nëpër baltë, mbi 300 shikues patën çfarë të shohin, shanse nga dy palët, luftë pa kompromis, por edhe jashtëzakonisht korrekte, për çka meritën më të madhe kanë vetë futbollistët.

Në ndeshje u panë nga një shtyllë nga dy skuadrat, e ku Drenica ishte më e mirë në pjesën e dytë, por Prishtina e dominoi të parën dhe lehtësisht vazhdimet.

Ndërsa pas serisë prej 6 penalltive, ku portieri Bekaj kishte pritur gjuajtjet e Lushtakut e Tahirit e më parë Pefqeli nuk kishte qëlluar portën, ishte i riu Donat Hasanaj që me gjuajtjen e fundit vendosi fituesin e ndeshjes. Për Prishtinën shënuan nga pika e bardhë edhe Boshnjaku, Thaqi, Bekteshi dhe Dallku. Kurse për vendasit të saktë u treguan Uka, Sykaj, Nimani dhe Dajaku.

Donat Hasanaj

Prishtina pas kësaj ndeshje ka seri prej 11 ndeshjeve pa humbje, ndërsa 8 ndeshje pa pësuar gol dhe tani të dielën e pret derbi i madh me Dritën me të cilët skuadra nuk din për fitore në 5 ndeshjet e fundit.

Përndryshe Prishtina luajti me formacion të ndryshueshëm, ndërsa pas shumë kohësh nga lëndimi u kthye edhe Mankenda.

1/16 e Kupës:

Drenica – Prishtina 0:0 /4:5/ pen.

Penalltitë:
Drenica: Lushtaku (pret Bekaj), Uka 1-1, Sykaj 2-2, Nimani 3-3, Dajaku 4-3, Tahiri (pret Bekaj)
Prishtina: Boshnjaku 0-1, Thaqi 1-2, Bekteshi 2-3, Pefqeli (mbi portë), Dallku 4-4, Hasanaj 4-5.

Shikues: 300

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) - Isak Ceroviku (Mt)

KV: Sh. Lushtaku - D. Hasanaj

Pozita jashtë lojës: Dre 2-4 Pri

Kornerët: Dre 6-8 Pri

Gjuajtjet totale: Dre 9-10 Pri

Gjuajtjet në portë: Dre 4-4 Pri

Drenica: 1. Arion Ymeri – 24. Edon Pasoma, 5. Arsen Sykaj, 16. Azem Bejta, 28. Muharrem Musa, 8. Dijar Mustafa (45. Rrahim Nimani – 90’+4), 6. Arbios Thaqi, 21. Taulant Dajaku /c/, 21. Kreshnik Uka, 99. Osman Mëziu (17. Shkelzen Lushtaku – 89’), 9. Armend Abazi (7. Hysen Tahiri 90’+7). Kryetrajner: Tahir Lushtaku.

Prishtina (4-4-3): 1. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 5. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13 Abdul Bashiru – 7. Lorik Boshnjaku, 21. Argjend Mustafa, 18. Ergyn Ahmeti (16. Donat Hasanaj – 85’) – 77. Mergim Pefqeli, 11. Arbër Hoxha (15. Gauthier Mankenda – 67’), 19. Alen Jasharoski (9. Basid Khalid – 76’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Jamal Arago, Meriton Korenica. Kryetrajner: Mirel Josa.

Mergim Pefqeli

Komenti:

Në çfarë kushte u zhvillua sot është antipropagandë e futbollit dhe aspak humane për futbollistë, por të cilët dhanë maksimumin për 120 minuta dhe duke mos harruar se dy skuadrat kishin pasur ndeshje të vështira para vetëm 4-ditësh.

Prishtina filloi furishëm pjesën e parë, por e ndali shtylla (Ahmeti – sekonda e 14-të) dhe Pefqelin dy herë portieri shumë i mirë vendas ymeri.

Por, pjesa e dytë pothuajse në tërësi i takoi vendasve.  Prishtina ishte më fat kur Uka qëlloi traversën në minutën e 102-të, por vazhdime në përgjithësi ishte Prishtina që i dominoi lehtësisht.

Në penallti Prishtina u duk më e freskët, të saktë dhe kur e ke një portier në portë siç është Bekaj edhe futbollistët tjerë bashkëlojtarë e kanë më të lehtë. Pra, me mundim, por meritueshëm, Prishtina ka kaluar në të tetën e finales shorti i të cilës hedhet të premten, ndërsa ky raund garash zhvillohet pas përfundimit të kampionatit më 8/9 dhjetor.

Minutë pas minute:

1’ Saktësisht 14 sekonda lojë, Dallku e gjatë, Jasharoski tenton të ndalte topin, një futbollist vendas tenton të kthej mbrapa, ndalët topi në ujë, me vrapim del Ahmeti pak nga e djathta brenda zonës dhe i vetëm me portier gjuan në anën e majtë duke e qëlluar pingulen.

1’ Pa u mbyllur minuta e parë edhe 5 sekonda, për pak të revanshohet Mëziu gjuajtja ballore e secilit përfundon pranë pingules së majtë.

8’ Musa kroson nga e djathta, Uka provon me kokë të kthej topin në portë, intervenon, kap Bekaj.

14’ Gabon Drenica në sulm, Bekteshi e gjen Jasharoskin në mesfushë i cili për mrekulli ia vazhdon Pefqelit majt që futet në zonë, por jo aq fortë gjuan drejt në portierin e sigurt vendas.

29’ Superharkim i Thaqit nga e djathta, shkëputet Pefqeli e gjuan me kokë, përpak i pasaktë, jashtë.

36’ Pas këndores nga e majta në shtyllën e parë gjuan Pasoma, jashtë.

39’ Rivënie anësore e topi deri në zonë që tentohet të ndalet nga dy-tre futbollistë, në fund provon me gjuajtje Jasharoski, por jashtë.

42’ Thaqi nga e djathta bukur te Pefqeli që i ikën mbrojtësit e që pastaj nuk ia doli as të gjuante as të pasonte, jashtë.

43’ Mustafa bukur te Pefqeli, kalon duke luftuar një lojtar dhe brenda zonës tenton këndin e ulët të djathtë, intervenon portieri Ymeri dhe shpëton gol të sigurt, topi del në këndore pranë pingules së djathtë.

48’ Jasharoski nga e djathta gjuan jashtë.

Alen Jasharoski

55’ Qëllohet me shishe anësori Selimaj. Ndeshja ndërpritet 10-minuta deri sa u zbrazë një pjesë e tribunës lindore.

71’ Dajaku e harkon këndoren e djathtë e topi përfundon në qendër të zonës nga, mbase Uka, gjuan rrëmbyeshëm, por i pafat, mbi portë.

72’ Abazi ballore të rrezikshme, pret Bekaj, nga topi i kthyer Uka e kthen sërish për Abazin e që gjuajtja e tij tani përfundon lartë.

77’ Musa pranon pasim nga e djathta dhe del i vetëm me portierin Bekaj, i cili për mrekulli e pret gjuajtjen në krahun e tij të majtë duke shpëtuar gol të sigurt.

83’ Mankenda me lëvizje të bukur lirohet nga e majta dhe e harkon për Khalidin në zonë i cili gjuan me kokë, por mbi traversë.

84’ Topi ndale në ujë brenda zonës, nuk përfiton Uka, qëllon vetëm rrjetën e jashtme të majtë.

86’ Mustafa e shtyn topin djathtë te Pefqeli e ky bukur ulët para shtyllës së parë, Khalidi e kthen në portë, por pret portieri.

90’ 11 minuta shtesë.

Lorik Boshnjaku

90’+5 Këndoren e djathtë e ekzekuton Thaqi, topi dëbohet deri te para zona, gjuan Boshnjaku furishëm, devijohet majtas kur Khalid provon me gërshërë, por as e fortë as e saktë, jashtë pingules së djathtë.

90’+7 Mustafa bukur para zonës e gjen Khalidin majtë i cili sërish provon me gërshërë, tani jashtë pingules së majtë.

91’ Hasanaj për mrekulli ia vazhdon Thaqit në krah që depërton deri në afërsi e gjuan, por pret Ymeri.

102’ Lushtaku me lëvizje mashtruese lirohet e bukur nga e djathta harkon në fillim të zonës nga Uka me gjuan me të parën e qëllon traversën.

110’ Boshnjaku ia vazhdon Pefqelit djathtë e ky ulët e shtyn te shtylla e majtë, provon Mankenda nga pozitë jo aq e mirë, jashtë.

Deklaruan:

Mirel Josa: Pas një ndeshje para vetëm katër ditësh me Ferizajn, ia arritëm t’i përballonim 120 minuta shumë mirë. Do të duhej të ishim këmbëngulës sidomos në fund të pjesës së dytë të disa raste që ne i krijuam me daljet nga krahu i djathtë dhe duhej të ishim te porta më të zgjuar për të vepruar. Megjithatë, si cilësi loje nuk mund të them më tepër, sepse të dyja skuadrat më tepër u munduan t’i përshtaten sa më tepër me terrenin dhe unë me futbollin që luajti sot skuadra ime jam i kënaqur për mënyrën se si u përshtat.

Lorik Boshnjaku: Ka qenë lojë shumë e vështirë në terren me baltë, por mundi dhe sakrifica na u shpërblye përmes penalltive edhe pse patëm raste të mira edhe gjatë ndeshjes. Mendoj që kemi kaluar tutje me meritë. 

Tahir Lushtaku, kryetrajner i Drenicës:  Prishtina e nisi mirë ndeshjen, i krijoi dy raste në fillim të ndeshjes, mirëpo mendoj që në pjesën tjetër më të madhe të lojës, ndoshta ne kemi qenë shumë më të rrezikshëm se sa Prishtina. Kemi pasur disa raste që pasi Prishtina i humbi ato dy rastet e veta, në vazhdim ne do të duhej t’i shfrytëzonim tonat që mos të shkonim as në vazhdime as te penalltitë. Por, kur dihet në çfarë terreni u zhvillua loja, unë jam me të vërtet i kënaqur, sepse është për t’i përgëzuar dy ekipet, sidomos futbollistët që dhanë gjithçka nga vetja në këto kushte. Në fund vendosen penalltitë dhe më vije keq për lojtarët që i humbën ato. Ky është futbolli, pavarësisht kësaj neve na mbetët të vazhdojmë në kampionat, kurse Prishtinës t’i dëshirojmë sukses në vazhdim të Kupës.