Lajme

1/4 e Digitalb Kupës: Prishtina – Vushtrria

1/4 e Digitalb Kupës: Prishtina – Vushtrria

Hyrja pa pagesë

Ermal Vitija - Armend Thaqi

Prishtinë, 7 shkurt 2020 – Nesër zyrtarisht nis stinori pranveror i edicionit 2019/20. Një javë para fillimit të kampionatit, po me kundërshtar të njëjtë si ai i nesërm, Vushtrria.

Në çerekfinale zhvillohet vetëm një duel eliminues dhe në rast të 90-minutave pa fitues, zhvillohen shtesat dhe eventualisht penalltitë.

Prishtina në ndeshjen e nesërme do të provoj të kualifikohet për herë të 9-të pas luftës në gjysmëfinale të Kupës.

Përndryshe, skuadra ka mungesë vetëm Hilën i cili është në përfundim të rikuperimit.

Ardit Hila

Kurse, Prishtina dhe Vushtrria këtë edicion janë takuar vetëm njëherë, në Vushtrri, në javën e shtatë ku kryeqytetasit kishin triumfuar 3:0. Ndërsa vushtrriasit në “Fadil Vokrri” udhëtojnë pas katër vite e gjysmë, prej vjeshtës së vitit 2015 kur Prishtina kishte triumfuar me golin e Shend Kelmendit. Kurse nga 15 udhëtimet zyrtare në kryeqendër, Vushtrria ka 14 humbje dhe 1 barazim pa gola në vjeshtën e vonë të vitit 2014. Kanë shënuar vetëm 4 gola dhe kanë pranuar 23.

Çerekfinalja (1/4) e Digitalb Kupës së Kosovës
Prishtina - Vushtrria
E shtunë, 8 shkurt - ora: 13.00
Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Erduan Baliqi (Mt), Fatlum Jashari (Gjl) - Gramos Shala (Pe)
Stadiumi: “Fadil Vokrri”
Hyrja pa pagesë

Januzi: Ndaj çdo kundërshtari kemi respekt, por kemi prioritetet tona

“Po, më në fund po fillon stinori pranveror me ndeshje për Kupë. Ndërsa, pavarësisht është Vushtrria apo ndonjë skuadër tjetër, nuk na intereson shumë se me kë ndeshemi duke e respektuar kundërshtarin, por ne kemi prioritetin tonë kalimin në gjysmëfinale. Si ndeshje e parë e stinorit, normalisht që na jep avantazh që luajmë në fushën tonë, na jep vetëbesim edhe për fillimin e kampionatit pas një jave. Ndërsa, ka apo s’ka ekip të mirë Vushtrria, për neve nuk qon peshë kjo, ne do të provojmë t’i kryejmë detyrat tona që jemi munduar të punojmë gjatë gjithë përgatitjeve, e sidomos në eliminim e përgatitjeve duke u përmirësuar në detajet që na kanë munguar. Si ekip jemi mirë, fatmirësisht nuk kemi pasur lëndime, stërvitjet kanë ecur mirë dhe mezi s’presim fillimin e ndeshjes”, ka thënë qendërsulmuesi, Ahmed Januzi. 

Ahmed Januzi