Lajme

1/8 e Kupës: Liria – Prishtina, 8 dhjetor, 12:30h

1/8 e Kupës: Liria – Prishtina, 8 dhjetor, 12:30h

Maksimalisht të përqendruar – Liria dy herë ka kaluar nëpërmjet Prishtinës

Prishtinë, 3 dhjetor 2018 – Është caktuar orari i ndeshjes së 1/8 së finales së Digitalb Kupës së Kosovës. Do të ndeshen rivalët e moçëm nga dy qytetet më të mëdha të vendit, Lira – Prishtina.

Zhvillohet vetëm një ndeshje dhe luhet të shtunën më 8 dhjetor nga ora 12:30 në stadiumin “Përparim Thaqi”. Në rast të barazimit zhvillohen vazhdimet dhe eventualisht penalltitë.

Prishtina në 1/16 e finales ka mposhtur Drenicën në Skenderaj 0:0, 5:4 me penallti. Ndërsa Liria në fushën me bari sintetik të Pejës ka mposhtur anëtarin e kategorisë së tretë, Lugun e Baranit 11:0.

Përndryshe do të jetë ky dueli i 44-të pas luftës ndërmjet dy skuadrave. Prishtina ka bilanc absolutisht pozitiv prej 25 fitoreve, 8 barazime dhe 10 humbje me goldallim +32, 67:35. Nga viti 2015 kur Liria është rikthyer në Superligë, nga 10 ndeshje Prishtina i ka fituar 7, 1 barazim dhe 2 humbje.

Liria, një-herë kampion i Kosovës (1994/95) dhe dy-herë fitues i Kupës (2006/07, 2009/10) ka bilanc 100% pozitiv kundër Prishtinës në ndeshjet e Kupës. Dy skuadrat pas luftës dy herë janë ndesh për Kupë. Më 2000/01 në dy ndeshje po në 1/8 e finales, Liria kishte triumfuar në Prizren 2:1, ndërsa në Prishtinë i kishte mjaftuar barazimi 1:1 për të kaluar në çerekfinale. Edhe më 2009/10, po në 1/8 e finales, në një ndeshje të luajtur në Prizren, Liria kishte kaluar tutje. Ndeshja e rregullt ishte mbyllur 2:2 dhe pas penalltive 8:7. Në fund Liria pati triumfuar për Kupë duke e mposhtur Vëllaznimin 2:1.

Pra, bardhekaltrit janë të përqendruar maksimalisht pa marrë parasysh se në këtë edicion ka triumfuar në kampionat 1:0 në Prizren dhe se Liria ndodhet e 10-ta në klasifikim me 19 pikë dhe ndodhet në zonën e rrezikshme të barazhit.