Lajme

1/8 e Kupës: Prishtina – Kosova (P) 5-0

1/8 e Kupës: Prishtina – Kosova (P) 5-0

Prishtina me fitore të lartë kalon në çerekfinale

Ferizaj, 14 shkurt 2018 – Pas reshjeve të dendura të borës natën e kaluar, u deshtë edhe intervenimi i futbollistëve me gjithë staf e me shumë punëtor fizik që të largohej dëbora dhe ndeshja mos të vononte më shumë se 20 minuta. Megjithatë kishte pjesë që nuk u largua në tërësi dhe deri diku shkaktoi vështirësi në zhvillimin e ndeshjes. Megjithatë, as kjo nuk i ndaloi futbollistët prishtinas që të shënonin plotë pesë gola e duke lëshuar edhe dyfishin e rasteve nga 20 gjuajtje sa patën në portë. Por, edhe kjo mjaftoi e më rëndësi nuk pati ndonjë lëndim dhe tani skuadra e qetë dhe pa komplikime e pret derbin e madh me Llapin – ndeshje kjo që zhvillohet të dielën në Pejë.

1/8 Digitalb Kupa e Kosovës

Prishtina – Kosova (P) 5:0 (3:0)

Golat: Drashko Bozhoviç 22’, Ahmed Januzi 44’, Debatik Curri 45+1’, Gauthier Mankenda 47’, Basit Khalid 83’

Stadiumi me bari sintetik, Ferizaj

Shikues: 50

Gjyqtarë: Alban Ejupi (Pr), Elvis Bicaj (Is), Alban Ejupi (Pd) – Dardan Çaka (Vu)

KV: Erblin Uka

Prishtina (4-3-3): Visar Bekaj – Lorik Maxhuni, Armend Dallku /c/, Debatik Curri (Jamal Arago – 58’), Abdul Bashiru – Shqiprim Taipi, Drashko Bozhoviç, Blend Baftiu (Basit Abduk Khalid – 69’) – Gauthier Mankenda, Mentor Mazrekaj, Ahmed Januzi (Arbër Hoxha – 63’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Agon Xhaka, Ergyn Ahmeti. Kryetrajner: Mirel Josa.

Kosova (P): Behar Sekiraqa – Flamur Ukaj, Eris Bllaca, Dreni Kryeziu, Selim Maçastena, Imer Statovci, Gent Hyseni, Ardit Preniqi (Erion Luta – 58’), Gentian Binishi (Erblin Uka – 46’), Rinor Selmani, Etnik Durmishi /c/ (Florent Rexhaj – 66’). Kryetrajner: Naim Pefqeli.

Komenti:

Prishtina i hyri ndeshjes maksimalisht e përqendruar dhe donin sa më shpejtë të ç’bllokonin rezultatin. Megjithatë, skuadra e Kosovës u mbrojt mjaft mirë për 22 minuta duke lejuar vetëm dy raste në një aksion (u qëllua pingulja). Por, pas shënimit të golit të parë, bardhekaltrit u liruan edhe më shumë dhe shpesh nga ngutja që të shënohej më shpejtë lëshonin raste që nuk duhej lëshuar, sidomos në pjesëlojën e dytë. Ndërsa Prishtina kundërshtarit i lejoi vetëm një rast shënimi që njëherësh ishte edhe gjuajtja e vetme (jashtë kuadratit).

Pas rezultatit, loja se si u luajt, numri i rasteve të krijuara, krijohet përshtypja që shtabi teknik u nda i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve dhe tani ka më të qartë pasqyrën e formës së futbollistëve dhe pak a shumë tani më janë të bindur në formacionin që do të dal në fushë në ndeshjen e vitit kundër Llapit të dielën.

Bozhoviç u spikat me një gol e një asistim, sikurse edhe Januzi njëjtë, kurse Mazrekaj edhe pse nuk shënoi dy herë asistoi (nga harkimet e këndoreve) dhe me nga 1 gol Curri, Mankenda e Khalid si dhe asistimi i Hoxhës për golin e fundit.

Tani pas dy ndeshjeve për Kupë, në listën e golashënuesve prin Bozhoviç me 3 gola i ndjekur nga Januzi me 2 dhe nga 1 gol kanë Curri, Mankenda e Khalid. Edhe me asistime prin Bozhoviç sëbashku me Mazrekajn me nga 2, ndërsa nga 1 asistim kanë Januzi, Mankenda, Hoxha dhe Bashiru.

Në listën e përgjithshme të shënuesve prin Januzi me 5 gola ndërsa të asistuesve Mazrekaj me 7 para Bozhoviç me 6.

Minutë pas minute:

11’ Bozhoviç nga e djathta ulët e në zonë e nis ndërprerjen, në shtyllën e parë gjuan fortë Dallku dhe qëllon pingulen, ndërsa nga topi i kthyer gjuan Mazrekaj, por tani skaj pingules së qëlluar nga kapiteni.

22’ Aksion i gjatë e me shumë pasime e prekje, kryesisht nisur nga Baftiu në mesfushë e vazhduar majtë te Mazrekaj të cilët me pasim të dyfishtë e kalojnë topin te Taipi, ky te Januzi e në fund në rrëmujën e krijuar në zonë përfiton Bozhoviç që me elikuencë gjuan e saktë në portë – 1:0.

25’ Bozhoviç si me dorë harkoi nga e majta, Mankenda gjuan me kokë, por drejt në portier.

26’ Mazrekaj driblon hyn në zonë dhe e kthen aty afër për Baftiun gjuajtja e të cilit përpak s’ishte e saktë, por mbi tra.

33’ Mazrekaj sërish kalon nga e majta, a vazhdon për Januzin e ky ia “ndreq” Bozhoviçit i cili gjuan fare pranë pingules.

40’ Curri me top të lartë vertikal e gjen Baftiun i cili pasi e ndal me gjoks gjuan diku nga 20 metra, pret portieri.

44’ Mazrekaj harkon nga këndorja e majtë, Curri shkëputet, por Januzi e vendos topin në rrjetë megjithëse zyrtarët e ndeshjes dhe shumë kush hamendësuan që këtë gol e realizoi Curri, por në fakt ishte qendërsulmuesi ai që përfundoi harkimin – 2:0.

45+1’ Harkimet dhe pasimet e Bozhoviç sot ishin të gjitha si me dorë, tani nga e djathta harkon e në shtyllën e dytë Curri shkëputet e me kokë drejton topin në rrjetë, në fakt portieri ndërhyn, por s’ia del të ndal – 3:0.

47’ Mazrekaj harkon nga këndorja e majtë, topi dëbohet shkurt, e Mankenda pasi që merr pozicion gjuan me saktësi e në rrjetë – 4:0.

51’ Bozhoviç me top të gjatë vertikal e qet Januzin me portier të cilin e kalon dhe nga “këndi i vdekur” tenton të shënoj, por një futbollist i Kosovës shpëton nga vija e portës.

52’ Bozhoviç nuk ndalet, e harkon si me dorë këndoren e djathtë e Mankenda me kokë gjuan pak lartë.

53’ Januzi ia vazhdon Mankendës e ky kalon kundërshtarin dhe pason në qendër për Baftiun i cili gjuan drejt në portier.

54’ Rasti i vetëm i mysafirëve, Selmani pasi që kalon mbrojtjen e pason për Hysenin dhe nga pozita e pastër sikur frikësohet e gjuan jashtë.

55’ Bozhoviç harkon nga e djathta, e Januzi shënon me kokë, por anulohet për pozitë jashtë loje, ishte mjaft diskutabile.

64’ Hoxha del i vetëm me portier, por gjuan drejt në portier.

69’ Taipi ia vazhdon Khalid i cili gjuan nga 16 metra, por pret portieri Sekiraqa.

78’ Mazrekaj nga e majta pason te Hoxha e ky nga pozitë e vështirë gjuan, por Sekiraqa dëbon në këndore.

79’ Khalid provon nga gjysmëdistanca, jashtë.

80’ Khalid sërish gjuan, pret portieri, këndore.

81’ Mankenda pothuajse kalon tre futbollistë nga e majta, e pason te Khalid dhe nga e majta gjuan mjaft plogësht e drejt në portier.

83’ Tjetër aksion i mirë nga ku shënohet goli. Taipi ia vazhdon Maxhunit djathtë e ky Hoxhës në zonë i cili lufton dhe ia del të harkoj për Khalid i cili me gjuajtje me kokë më në fund shënon – 5:0.