Lajme

1/8 e Kupës: Vëllaznimi - Prishtina 0:1

1/8 e Kupës: Vëllaznimi - Prishtina 0:1

Bardhekaltrit kryen detyrën edhe pse shënuan nga penalltia e humbën një mori rastesh

Gjakovë, 19 shkurt, 2017 - Prishtina ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Republikës pas golin të shënuar nga penalltia nga Liridon Leci (7’ - ndërsa në zonë u pengua Ahmed Januzi). Megjithatë, edhe pse në fushën e vështirësuar nga bora dhe pastaj lloçi i krijuar, Prishtina ka luajtur mjaft mirë duke krijuar një mori rastesh. Por, edhe Vëllaznimi, ashtu siç pritej, u angazhua maksimalisht dhe la përshtypje mjaft të mira.

Sidoqoftë, e rëndësishme është se bardhekaltrit me këmbë të mbarë nisen stinorin 2017 dhe vazhdojnë në mbrojtje të Kupës, ndërsa fundjavën e ardhshme në Ferizaj takohen me skuadrën homonime në kuadër të javës së XVIII të Superligës.

1/8 e Kupës

Vëllaznimi - Prishtina 0:1 (0:1)

Golashënues: Liridon Leci 7’

KV: Ilir Syla - Mergim Neziri

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Driton Preniqi (Ka), Bekim Rama (Pd) - Selim Isufi (Mt)

Vëllaznimi: 12. Altik Muhaxhiri /c/ - 8. Yll Myrta, 6. Ilir Syla, 4. Tuna Bardhoku, 5. Debatik Qarkaxhia (55. Ardit Vokshi - 46’), 17. Jeton Dushi, 25. Kushtrim Gashi, 27. Enis Lokaj (9. Lekë Pula - 81’), 7. Lorik Rudi, 20. Drilon Nuza (34. Dardan Rogova - 46’), 11. Egzon Gashi. Kryetrajner: Arsim Gojani.

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi - 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 13. Liridon Leci, 93. Mergim Neziri - 6. Debatik Curri (23. Blend Baftiu - 54’), 7. Lorik Boshnjaku, 8. Endrit Krasniqi - 15. Gauthier Mankenda, 9. Shend Kelmendi (10. Gentrit Begolli - 72’), 27. Ahmed Januzi (25. Basit Abdul Khalid - 82’). Zëvendësues: 35. Ardit Nika, 18. Gentrit Dumani, 16. Genc Hamiti, 11. Bleon Sekiraqa. Kryetrajner: Lutz Lindemann.

Komenti:

Vëllaznimi dhe Prishtina më parë s’janë takuar asnjëherë për Kupës pas luftës dhe është ky takimi i 13-të me rend që Prishtina nuk pëson humbje nga rivalët e vjetër të Vëllaznimit. Fitorja ishte e merituar, por ka mundur të jetë edhe më e thellë, por vështirësi paraqiti fusha e rënduar nga të reshurat e dëborës. Kurse, mosshfrytëzimi i rasteve, sikur futi paska në panik skuadrën pa asnjë nevojë, sepse gjakovarët s’kishin fuqi e mbase as më shumë cilësi që të barazonin, por kur nuk shënon, shpesh fati din të ndëshkoj, por Prishtina sot nuk i la rastin fatit. Me meritë kalon tutje dhe tani e qetë pret shortin e çerekfinales.

Duhet theksuar lojën e mirë të Gauthir Mankendës i cili me disa depërtime rrezikoi, por nuk pati fat të shënonte përveç të qëllonte pingulen. 

Minutë pas minute:

6’ Top në zonën e vendasve, Januzi mbërrin më shpejtë, por këmba e portierit Ilir Syla e pengon atë dhe penallti për Prishtinën.

7’ I saktë nga pika e bardhë ishte Liridon Leci - 0:1.

33’ Januzi e vjedh një top pason për Krasniqin që depërton deri para portierit, por sa fusha e keqe sa mbulimi me kohë nga Syla, rasti i sigurt shkon huq, pasi që portieri Muhaxhiri tani më kishte kapur topin.

36’ Gashi nga pozita ballore gjuan lartë.

45+1’ Nuza provon nga distanca, bukur, por pak lartë mbi traversë.

54’ Dallku nga mbrojtja si me dorë gjen Januzin që del anash nga e djathta vetëm me portierin vendas, por tenton ta gjej Kelmendin në kahun tjetër dhe intervenon Muhaxhiri.

61’ Aksion i vendasve, topi dëbohet nga mysafirët jashtë zonës, por Dushi gjuan me të parën me të majtën, pranë pingules.

63’ Baftiu nga e majta përkryer për Mankenden që depërton e del me portieri, por gjuajtja e tij qëllon pingulen e djathtë. Sa i pafat është Mankenda, sot meritonte gol. Luftoi shumë, dribloi shumë dhe krijoi raste, por nuk shënoi.

74’ Harkimin nga krahu Leci me kokë e kthen për Begollin i cili i vetëm me portier gjuan me kokë, pret Muhaxhiri, megjithatë u sinjalizua pozitë jashtë loje shumë diskutuese.

81’ Mankenda depërton nga e majta në stilin e tij, kalon një futbollist dhe pastaj tenton shtyllën tjetër, por përpak nuk përfundon në rrjetë.

83’ Sërish Mankenda me depërtimin e tij i shmanget futbollistëve vendas, por përfundim i dobët dhe dëshpërues për të.

85’ Aksion i gjatë i vendase, në fund topi shkon në zonë te Rogova i papenguar që gjuan në krahun e majtë të Muqiqit që pret dhe shpëton skuadrën.


Deklaruan:

Lutz Lindemann, kryetrajner i Prishtinës: Ishte i rëndësishëm rezultati, por komplimente edhe për Vëllaznimin. Ne kemi humbur raste të arta për të fituar më bindshëm. Në pjesën e parë mendoj se kemi luajtur më mirë se në pjesën e dytë. Kushtet ishin të vështira për lojë, mirëpo kemi bërë aksione të shpejta përpara dhe këtë rrugë do ta vazhdojmë më tutje. Jemi mirë të përgatitur dhe ekipi do të fitoj ritmin e lojës. Ende nuk e di se çfarë lëndimi ka Curri i cili ka shumë rëndësi për ne dhe shpresoj të rikthehet me Ferizajn.

Arsim Gojani, kryetrajner i Vëllaznimit: Pa dyshim se Prishtina është skuadër e madhe dhe e fortë. Ishim të pafat, sepse përshkak kushteve s’mund të luanim lojën siç donim. Penalltia e hershme vendosi herët, dhe Prishtinës i ndihmoi, e neve na vështirësoi, sepse fusha e lojës sa shkonte koha e rendohej. Jam i kënaqur me angazhimin tonë, kurse e uroj Prishtinën si për Kupë e po ashtu edhe për Kampionat.