Lajme

Ahmed Januzi pas një viti rikthehet në Prishtinë

Ahmed Januzi pas një viti rikthehet në Prishtinë

Golashënuesi i Llapit me 13 gola iu rikthehet shokëve

Prishtinë, 6 qershor 2019 – Bisedat ndërmjet njërit prej dy sulmuesve më të mirë në Superligë dhe kryetarit Ejupi kanë qenë të gjata e jashtëzakonisht të mundimshme. Por, dëshira e madhe që të punohet sërish bashkë, ka qenë përcaktuese që Prishtina ta ketë sërish sulmuesin me shumë përvojë në petkun e saj.

Ahmed Januzi, 30 vjeç, i lindur më 08.07.1988, nuk ka nevojë për shumë prezantim, forma e tij e lartë në edicionin e sapo përfunduar me 13 gola të shënuar dhe 14 tjera në 61 paraqitjet me Prishtinën (2016-2018), ka bërë që Prishtina të përcaktohet për sulmuesin tonë që e njohim të gjithë.

“Ka qenë dëshirë e dy palëve, edhe e Prishtinës edhe e imja dhe jam shumë i kënaqur që kthehem sërish. Kam nderin që do të luaj sërish me këtë fanellë pranë shokëve të mi që deri dje për një vit i kam pasur kundërshtar, por tani sërish ambiciet i kemi të përbashkëta dhe shpresoj shumë që ato do t’ia arrijmë së bashku, sidomos kam shumë besim në kualifikimet e Evropa Ligës. Ekipi është ruajtur ashtu siç e kam lënë unë, përpos shumë pak ndryshimeve kualitative. Edhe ardhja apo kthimi i Endritit është shumë e qëlluar, ndjehemi faktikisht si në shtëpinë tonë. Thash, shpresoj shumë se do të kemi sukses, me angazhim maksimal, sepse ekipi është i mirë dhe vetëm sa është përforcuar edhe më shumë. Patjetër që me një trajner si Josa i cili është me shumë cilësi dhe me vlera të mëdha njerëzore do të dijë të na mbaj të grumbulluar ashtu siç din ai më së miri”, tha Januzi me rastin e nënshkrimit të kontratës me bardhekaltrit.