Lajme

Armand Duka është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s

Armand Duka është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s

Kryetari Ejupi: Lajm i jashtëzakonshëm, Duka do t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët

Prishtinë, 7 shkurt 2019 - Armand Duka, kryetar i FSHF-s, u zgjodh sot anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në kongresin e mbajtur në Romë, duke siguruar 36 vota. Kjo është hera e parë që futbolli shqiptar do të përfaqësohet nga ndonjë anëtar në qeverinë evropiane të futbollit.

Me këtë rast, kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi, në emër të klubit ka uruar zotin Duka. “Është ky një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për futbollin në Shqipëri, por për futbollin gjithëshqiptar”, ka thënë Ejupi.

“Duka në vazhdimësi ka ndihmuar futbollin në Kosovë, por tani zëri i tij do të jetë edhe më i fuqishëm në këtë drejtim. Me një shqiptar në qeverinë e futbollit evropian, e sidomos me z.Duka, ne të gjithë do të përfitojmë në çdo sferë të saj”.

“Duka e ka merituar një post të tillë, sidomos me ndihmën e dhënë për ne, për avancimin e futbollit në Shqipëri. Kjo ndihmë profesionale tani do të jetë edhe zyrtare nga shtëpia e futbollit evropian”.

“E urojmë z. Duka të kontribuoj sa më shumë në zhvillimin e futbollit mbarëshqiptar. Ndërsa nga të gjitha klubet do ta ketë çdo lloj ndihme që do t’i duhet në të ardhmen”, ka mbyllur urimin e tij, kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi.

Përndryshe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është organizmi ekzekutiv suprem i UEFA-s. Përbëhet nga Presidenti UEFA-s dhe 16 anëtar të tjerë, nga të cilët të paktën një femër, që zgjidhen nga Kongresi i UEFA-s, dy anëtar zgjidhen nga Shoqata e Klubeve Europianë (ECA) dhe një anëtar që zgjidhet nga Ligat Europiane, të ratifikuara nga Kongresi, të gjithë me të njëjtat të drejta dhe detyra si të gjithë anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv.