Lajme

Armend Dallku: viti i parë kryetrajner – finalja e parë

Armend Dallku: viti i parë kryetrajner – finalja e parë

Prishtinë, 17 qershor 2020 - FC Prishtina sot ka siguruar finalen e 10-të pas vitit 1991 të Kupës së Kosovës. Ndërsa,kryetrajneri prishtinas sot ka udhëhequr skuadrën në ndeshjen e 25-të jubilare dhe që në vitin e tij të parë në krye të klubit më të madh në vend ka siguruar finalen e Kupës.

Dallku në 25 ndeshje (20 kampionale dhe 5 për Kupë) ka arritur 18 fitore, 4 barazime dhe vetëm 3 humbje me goldallim +40, 55:15.

“Viti i parë, finalja e parë, ndoshta nuk e kam pritur në fillim, por në bazën e asaj se si është shfaqur ekipi, gjithmonë në rritje e sipër, normalisht që kam filluar të besoja dhe tani ky besim u bë realitet. Jemi në finale të cilën gjithmonë e kemi potencuar se aty duam të gjendemi. Tani të gjitha forcat tona do të jenë të përqendruara në kampionat.
Ndërsa sa për ndeshje, ndoshta dikush nuk e ka pritur, por ne pavarësisht rezultatit nuk e kemi lejuar kundërshtarin që të na rrezikonte, sidomos në pjesëlojën e parë, sepse kjo pjesë ishte shumë e rëndësishme, sepse në rastin më të keq sikur të pësonim gol do të hynim në presion. Kështu që vendosëm presing të lartë duke mos i lejuar kundërshtarit asnjë mundësi. Ndërsa në pjesën e dytë e menaxhuam lojën duke i dhënë njëkohësisht mundësi dy futbollistëve nga shkolla, Zhurit -ndeshjen e dytë dhe Dushit - debutimin, të cilëve iu uroj të gjitha të mirat në karrierë”.