Lajme

Çerekfinalja e Digitalb Kupës: Llapi – Prishtina

Çerekfinalja e Digitalb Kupës: Llapi – Prishtina

Zhvillohet vetëm një ndeshje eliminuese

Prishtinë,6 mars 2018 – Prishtina dhe Llapi do të takohen për herë të tretë në këtë edicion, por tani ndeshja do të përcaktoj gjysmëfinalistin e Digitalb Kupës së Kosovës. Në dy ndeshjet kampionale, Llapi ka fituar në “Zahir Pajaziti” 3:0, kurse Prishtina para tre javësh në “Shahin Haxhiislami” 2:0. Dy skuadrat janë takuar në të kaluarën edhe dy herë tjera për Kupë. Më 2015 ishte kualifikuar Llapi 2:1, ndërsa më 2016 Prishtina në dy ndeshje kishte triumfuar në gjysmëfinale (3:1, 1:1) për të triumfuar pastaj në finale kundër Dritës (2:1).

Prishtina deri në çerekfinale ka eliminuar dy skuadrat prishtinase, Flamurtarin 3:2 dhe Kosovën 5:0. Ndërsa Llapi ka eliminuar Vllazninë 1:0 Trepçën ’89 2:0.

Ky raund zhvillohet vetëm me një ndeshje dhe skuadra llapjane është vendase.

Prishtina për herë të parë pas shumë kohësh është komplete me vetëm një mungesë, Dijar Miftaraj i cili edhe ky tani më po stërvitet bashkërisht me skuadrën.

1/4 Digitalb Kupa e Kosovës

Llapi – Prishtina

E mërkurë, 7 mars – ora: 13:00

Stadiumi “Zahir Pajaziti”, Podujevë

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Benon Këpuska (Gjk), Ali Peshteri (Pe) – Dardan Çaka (Vu)

Josa: Ne duhet të shkojmë të kualifikohemi atje duke bërë punën gjithsecili

“Mua e para e punës nuk më interesojnë skuadrat tjera. Mua më intereson se çfarë bënë skuadra ime. Me këtë nuk themi se i nënvlerësojmë skuadrat tjera, por Llapi pavarësisht rezultateve të fundit është një skuadër që duhet pasur në konsideratë, sepse është një skuadër që është në të dy frontet. Nuk do të thotë që ne u shkëputem pesë pikë para , edhe Llapi ka qenë pesë pikë para nesh në kampionat dhe tani erdhi problemi që ne e kaluam pesë pikë përpara. Kështu që Llapi është skuadër dinjitoze, një skuadër që do të punoj në gjitha mënyrat për të kthyer dinjitetin e vetë të humbur gjatë kësaj ndeshje. Pritshmëritë tona janë normale, sepse kemi pretendimet tona, por nuk do të thotë që duke pasur pretendime nga jashtë t’i do të shkosh dhe kualifikohesh atje. Ne duhet të shkojmë të kualifikohemi atje duke bërë punën gjithsecili”, ka thënë para ndeshjes eliminuese të çerekfinales, kryetrajneri Mirel Josa. 

Taipi: Respekt Llapit, por ne vazhdojmë vetëm për fitore

“Pikë së pari ne kemi respekt për Llapin, por ne atje normalisht që shkojmë për fitore dhe kualifikim në gjysmëfinale. Objektivi ynë është i kartë, sikur titulli i kampionit, po ashtu edhe trofeu i Kupës. Pra, respekt Llapit, por në fushë mendojmë se ne mund të japim më të mirën dhe shpresoj që tash e tutje do të vazhdojmë vetëm për fitore”, ka thënë mesfushori, Shqiprim Taipi.

Statistikat:

Prishtina dhe Llapi në të gjitha garat pas luftës kanë zhvilluar 19 ndeshje të përgjithshme në dy gara. Prishtina ka bilanc pozitivi prej 10 fitore, 3 barazime e 6 humbje me goldallim +15, 33:18.

Llapi nga viti 2005 për dhjetë vite rresht deri më 2015 ka luajtur në një rang më të ulët garash. Paralajmërimin e Llapit stabil në Superligë e kishte paraprirë fitorja e tyre për Kupë nga Liga e parë në pranverë të vitit 2015, kur në lloçin e paparë kishte triumfuar 2:1. Pastaj, nga stinori në vazhdim pas inkuadrimit në Superligë, Llapi ka përmirësuar bindshëm rezultat përball bardhekaltërve nga kryeqendra.

Pra, nga viti 2015, dy skuadrat kanë zhvilluar 11 ndeshje dhe sërish Prishtina ka bilanc pozitiv prej 5 fitoreve, 2 barazime dhe 4 humbjesh me goldallim +3, 16:13

Dy skuadrat pas luftës kanë shënuar 51 gola, apo 2.68 për ndeshje (Pri 1.73 – 0.94 Llapi).

Rezultati më i shpeshtë nga 3 herë është 3:1 (2 Prishtina si vendas – 1 Llapi si vendas), 2:0 (3 Prishtina, 2 si vendas) dhe 2:1 (1 Prishtina si vendas – 2 Llapi, 1 si vendas).

Llapi fitoren më të lartë e ka 3:0 në vjeshtë të këtij edicioni, ndërsa Prishtina ka fitore prej 5:0, 4:0, 4:1 e 3:0.

33 golat e Prishtinës i kanë shënuar 21 futbollistë dhe prin Sheremet Isufi 5 (2x2), ndërsa nga futbollistët aktiv nga 1 gol kanë shënuar Khalid, Januzi, Mankenda dhe Bozhoviç.

18 golat e Llapit i kanë shënuar 15 futbollistë dhe vetëm dy i kanë mbi 1 gol apo 2 gola të shënuar Enis Zabërxha dhe Egzon Sinani.

Përballjet pas luftës:

1999/00:
Llapi - Prishtina 0:2 (0:2) Visar Aliu 8’, Kushtrim Munishi 44’
Prishtina - Llapi 5:0 (1:0) Kushtrim Munishi 15’, Malsor Gjonbalaj 53’, 85’,  Burim Berisha 56’, Visar Aliu 60’

2000/01:
Llapi - Prishtina 1:0 (0:0) Arben Azemi 50’
Prishtina – Llapi 4:0 (2:0) Bashkim Patoku 25’, Malsor Gjonbalaj 32’, Sheremet Isufi 80’, 90’

2001/02:
Llapi - Prishtina 0:0
Prishtina - Llapi 4:1 (1:0) Florim Humolli 28’, Uliks Emra 61’, Sheremet Isufi 68’, 84’ – Hysni Veliu 70’

2004/05:
Llapi – Prishtina 3:1 (2:0) Nelson Neto 12’, Driton Syla 44’, Leandro Silva 82’ – Sheremet Isufi 53’
Prishtina – Llapi 1:0 (0:0) Visar Sermaxhaj 64’

2014/15:
Kupa: Llapi – Prishtina 2:1 (2:1) Dardan Jashari 3’, Mergim Boshnjaku 28’ – Mentor Zhdrella 12’

2015/16:
Prishtina – Llapi 2:1 (1:1) Shend Kelmendi 8’, Bashkim Shala 71’ – Getoar Dragusha 26’ (pen)
Llapi – Prishtina 2:0 (1:0) Visar Zogiani 6’, Enis Zabërxha 68’
Prishtina – Llapi 3:1 (2:1) Berat Hyseni 10’, Kreshnik Lushtaku 21’, Shend Kelmendi 84’ – Enis Zabërgja 31’
Kupa ½ Prishtina – Llapi 3:0 (0:0) Armend Thaqi 68’ Labinot Osmani (pen) 77’, 90+3’
Kupa ½ Llapi – Prishtina 1:1 (1:0) Egzon Sinani 35’ – Kreshnik Lushtaku 77’

2016/17:
Prishtina – Llapi 3:1 (0:0) Shend Kelmendi 48’, Ahmed Januzi 60’, Gauthier Mankenda 62’ – Egzon Sinani 71’
Llapi – Prishtina 0:0
Prishtina – Llapi 1:2 (0:0) Basit Abdul Khalid 58’ – Berat Hyseni 72’ (p), Mirlind Daku 82’

2017/18:
Llapi – Prishtina 3:0 (2:0) Gentrit Begolli 7’, Hamdi Namani 24’, Florim Bërbatovci 90+1’
Prishtina – Llapi 2:0 (1:0) Drashko Bozhoviç 2’, Egzon Sinani (aut) 70’