Lajme

Çerekfinalja e Digitalb Kupës: Prishtina eliminon Llapin

Çerekfinalja e Digitalb Kupës: Prishtina eliminon Llapin

Prishtina vazhdon në gjysmëfinale pas dramës 2:2 dhe penalltive 3:2

Podujevë, 7 mars 2018 – Sot u zhvillua ndeshje dramatike në Podujevë, e ku në fund të saj, Prishtina me meritë e eliminoi skuadrën vendase të Llapit.  Ishte skuadra vendase që e mbylli pjesën e parë në epërsi (Daku 43’), por Bozhoviç e barazoi në të dytën (75’). Pastaj, ishte Prishtina që në vazhdimin e dytë udhëhoqi sërish me Bozhoviç (105’), por Daku me një futbollist më pak Llapi, e barazoi sërish rezultatin (112’).

Dhe, penalltitë vendosen fituesit dhe aty u pa freskia si fizike po ashtu edhe mentale e futbollistëve prishtinas të cilët me meritë rrëzuan skuadrën pretenduese për trofeun e Digitalb Kupës, Llapin. Ishin futbollistët vendas që tre nga ta nuk ia qëlluan fare portës, ndërsa nga Prishtina gaboi vetëm Arago (ia priti portieri Ademi).

Të premten nga ora 13:00 hidhet shorti i gjysmëfinales dhe përveç Prishtinës janë edhe Drenica, Vëllaznimi dhe skuadra e Vushtrrisë – befasia më e madhe e garave, e cila nga Liga e parë siguron gjysmëfinalen.

Përndryshe, ndeshje në momente ishte mjaft e tensionuar, vendasit kërkonin fitore me çdo kusht dhe shpesh ky presion i tyre kalonte edhe në anën e Prishtinës, të cilët toruan dhe me një futbollistë më shumë pësuan golin e barazimit duke e rrezikuar plasmanin tutje e duke ia lënë fatit të penalltive.

Sidoqoftë, fitore jashtëzakonisht e merituar, sepse skuadra ngadalë po tregon se mund të mposhtë cilën do skuadër në çfarë do fushe nën çdo presion të mundshëm.

Çerekfinalja e Digitalb Kupës së Kosovës

Llapi – Prishtina 2:2 - 2:3 (p)

Golat: Mirlind Daku 43’, 112’ – Drashko Bozhoviç 75’, 107’

Shënuan nga penalltia:
Llapi: M. Daku,  L. Emini – D. Bozhoviç, A. Dallku, A. Januzi : Prishtina

Nuk shënuan:
Llapi: B. Emini (anash, jashtë), E. Shabani(anash, jashtë), M. Zhdrella (lartë, jashtë) – Arago (pret portieri): Prishtina

Stadiumi: “Zahir Pajaziti”

Shikues: 3.000

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Benon Këpuska (Gjk), Ali Peshteri (Pe) – Dardan Çaka (Vu)

KV: B. Emini, I. Blakqori, l. Emini – A. Dallku, D. Curri, L. Maxhuni, A. Bashiru, L. Fetahaj

KK: F. Bërbatovci (direkt i kuqi – shkeli portieri Bekaj – min. 109’)

Pozita jashtë lojës: Lla 2:3 Pri

Kornerët: Lla 3:3 Pri

Gjuajtjet totale: Lla 6:5 Pri

Gjuajtjet në portë: Lla 5:2 Pri

Llapi (4-3-3): 13. Afrim Ademi – 8. Benjamin Emini, 16. Hamdi Namani /c/ (2. Xhuliano Turhani – 106’), 5. Dardan Jashari, 18. Ilir Blakqori – 6. Kushtrim Shabani (4. Egzon Shabani - 119’), 10. Edon Zeqiri, 7. Mentor Zhdrella – 9. Gentrit Begolli (11. Florim Bërbatovci – 64’), 23. Leart Emini, 19. Mirlind Daku. Kryetrajner: Tahir Batatina.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6/ Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 20. Shqiprim Taipi, 7. Lorik Boshnjaku (3. Jamal Arago - 62’), 29. Drashko Bozhoviç – 11. Liridon Fetahaj, 10. Mentor Mazrekaj (17. Arbër Hoxha - 64’), 9. Basit Abdul Khalid (27. Ahmed Januzi – 58’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Mergim Pefqeli, Blend Baftiu. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Para ndeshjes është parashikuar që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, sepse vendasit hynin pas tre humbjeve dhe presioni ishte i jashtëzakonshëm tek ta. Ndërsa, Prishtina me shumë ndryshime në formacion, e përballoi mirë presingun e vendasve në gjysmën e parë të pjesës së parë, por pësoi gol në momentet e këqija, ato të fundit të pjesëlojës. Po ashtu, skuadra fare nuk rrezikoi, përveç golit shumë të dyshimtë të anuluar të Boshnjakut (3’) për pozitë jashtë loje.

Pjesën e dytë në tërësi e kontrolli Prishtina, e veçmas pas tre ndërrimeve dhe vetëm pritej momenti kur do të dorëzoheshin vendasit, çka edhe ndodhi me gjuajtje e shkëlqyer të Bozhoviç, specialist i këtyre goditjeve (75’). Deri në fund të 90-minutave, sërish ishin vendasit që bënë trusni, por pa sukses.

Në vazhdimin e parë ishte lojë e baraspeshuar, megjithëse vendasit e qëlluan pingulen, e në të dytën Prishtina shënoi pas harkimit të përkryer të Hoxhës e saktësisë së Bozhoviç. E, kur vendasit mbetët me një lojtar më pak, Prishtina si një ekip i vogël u përball, u mbrojt, dhe pësoi gol pas gabimit amator. Tani ishte gjithçka vonë dhe penalltitë ishin akti final. Prishtina me më përvojë, qetësi fizike e mentale, u tregua e saktë, nga 4 gjuajtje (Bozhoviç, Dallku, Januzi) gabuan vetëm një (Arago)  - në anën tjetër, vendasit plotësisht të pa saktë pas dy shënimeve nga Daku e L. Emini, gabuan njëri pas tjetri duke mos qëlluar fare portën. B. Emini, E. Shabani e Zhdrella.

Përndryshe është kjo ndeshja e 9-të pa humbje, në 6 kampionale dhe 3 për Kupë, seri shumë pozitive e të përzgjedhurve të kryetrajnerit Josa. Seri që tani ka bërë të mendohemi se skuadra është më afër Evropës, sidomos në ndeshjet për Kupë ku e presin edhe tre ndeshje finale (dy në gjysmëfinale).

Skuadra të dielën luan ndeshjen e javës së XXI me Besën në Pejë dhe me rezultat pozitiv e siguron vendin e parë për fazën e tretë të kampionatit.

Minutë pas minute:

3’ Aksion i shpejtë, Khalid e shtyn te Boshnjaku e ky ikën e del me portier, shënon gol, por anulohet me pretekst të pozitës jashtë lojës. Prishtinasit nuk reaguan fare, por pozita ishte mjaft diskutuese dhe duhet parë xhirimet televizive.

9’ Zhdrella udhëheq kontra, pason majte të Daku, portieri Bekaj lëshon portën, ngushton këndin, pret gjuajtjen dhe shpëton gol të sigurt.

23’ Aksion tjetër nga e majta për llapjanët, topi dëbohet jashtë zone dhe Zeqiri gjuan me të parën ulët e në kënd, Bekaj intervenon sërish.

30’ L. Emini harkon këndoren e djathtë, K. Shabani shkëputet e gjuan, pret portieri Bekaj i cili megjithatë ishte i penguar nga Begolli dhe gjuajtje e lirë.

43’ Top i gjatë, në duel me Dakun, Dallku bie dhe kërkon ndërhyrje të palejueshme, gjyqtarët vazhdojnë lojën, kurse Daku me saktësi të jashtëzakonshme drejton gjuajtje nga largësi e madhe dhe e mposhtë portierin Bekaj i cili kishte tentuar të përcillte aksionin më herët. Gol i bukur ky – 1:0.

46’ Gjuajtja e lirë e Prishtinës dëbohet jashtë zonës e nga gjuan Taipi, por shumë lartë. Ishte kërcënimi i parë i Prishtinës.

70’ Bozhoviç as nuk harkon as nuk gjuan nga gjuajtja e lirë, topi shkon plogësht jashtë pingules.

74’ Januzi në depërtim kah goli pengohet nga Zeqiri në 20-22 metra, gjyqtari Shala jep gjuajtje të lirë.

75’ Bozhoviç si mjeshtër i vërtetë, para tre javësh kishte mposhtur në këndin e epërm portierin Ademi, e tani ia shenjëstron këndin e ulët, këtë portieri Ademi nuk e priste dhe me gjithë përpjekjen u mposhtë – 1:1.

84’ Zhdrella nga distanca prej gjuajtjes së lirë gjuan anash porte.

90’ Fetahaj mjaft bukur del djathtë, mund të provonte të pasonte para portës, por gjuan plogësht jashtë.

90+1 Daku gjuan nga jashtëzona, intervenon Bekaj, topi kthehet, Maxhunin e pengon L. Emini ndërsa vendasit kërkojnë penallti qesharake.

95’ Kontra, Taipi ia vazhdon Januzit, e ky Aragos, shkon deri në zonë dhe gjuan jashtë pingules së majtë.

97’ L. Emini harkon nga e majta, Curri e dëbon me kokë, Zeqiri gjuan vollej, por pak e lartë.

102’ Taipi provon nga e djathta bri-zonës, jashtë.

104’ Blakqori harkon nga e majta, Daku shkëputet në shtyllën e parë dhe me gjuajtje me kokë qëllon shtyllën e majtë.

107’ Aksion i mirë, Fetahaj e vazhdon te Arbër Hoxha djathtë dhe pas manovrimit të mirë e harkon fenomenal në shtyllën e dytë ku vrapon Bozhoviç dhe me kokë e vendos topin në rrjetë – 1:2.

109’ Bërbatovci e shkel në shpinë portierin Bekajn sa ishte i shtrirë. Gjyqtari Shala e ndëshkon direkt me karton të kuq.

110’ Fetahaj gjuan nga jashtë zona, ndal portieri.

112’ Maxhuni ngutet me ekzekutimin e rivënies anësore, topin e marrin vendas, mbrojtja prishtinase bie e tërsa, Leart Emini nga e majta ia vazhdon në qendër Mirlind Dakut dhe e mposhtë Bekajn – 2:2.

Deklaruan:

Mirel Josa: Ndeshje e vështirë për dy skuadrat, dy skuadra që kanë konkurruar gjatë gjithë periudhës në zhvillim të sezonit dhe qëlloi shorti të ndeshemi mes veti edhe në Kupë. Ne vinim shumë më të qetë psikollogjikisht se sa Llapi, sepse Llapi vinte pas disa ndeshjeve jo të mira me rezultat negativ. Ne ishim gjatë gjithë kohës në ngritje edhe pas shënimit nga Llapi, ne përsëri dolëm në lojën tonë. Unë nuk mund të veçoj ndonjë lojtar, sepse për mua punën e bënë grupi i skuadrës. Por, ishte një ndeshje që u var nga gabimet individuale të lojtarëve, sepse kur ne arritëm 2:1 në shtesë, duhej të kishim administruar më mirë lojën, sepse ishim edhe në epërsi numerike karshi Llapit. Por, u barazua rezultati dhe jo vetëm për gabim të një personi, por e gjithë skuadrës. Dhe në penallti patëm fatin, sepse janë fat dhe unë në karrierën time me penallti nuk jam kualifikuar në Kupat e Evropës. Megjithatë uroj futbollistët e dy skuadrave për lojën që bënë, për mënyrën se si zhvilluan futbollin, sepse çdo skuadër ka mënyrën e vetë, çdo trajner ka strategjinë e tij. Kështu që e uroj si trajnerin, po ashtu edhe futbollistët e Llapit të vazhdojnë sa më mirë për kampionatin, sepse kjo i ka mbetë. 

Armend Dallku: Fitore e merituar e jona, pavarësisht se ishim në disavantazh, ne u rikthyem në lojë, shënuam edhe golin e dytë. Mirëpo, goli i dytë i joni i pranuar është i pafalshëm, sepse një ekip pretendent për trofe nuk falet. Në penallti ishim më të qehtë, sepse në ekzekutim na konvenoi edhe fusha e mirë. Fitoren ia dedikojmë në veçanti kryetarit Ejupi, dhe të gjithë të angazhuarit në klubi, sepse sot është bërë edhe nënshkrimi zyrtar i dhënies së parcelës së tokës për ndërtim të kompleksit. 

Drashko Bozhoviç: Atmosferë e mirë e ndeshjes. Hymë në ndeshje ashtu siç e prisnim që Llapi të ishte agresiv 25 minutave të para dhe ne ishim përgatitur të mbroheshim edhe pse pësuam atë gol fatkeq para fundit të pjesës së parë që në fakt ishte eurogol i Dakut. Në pjesën e dytë provuam të luanim më mirë dhe të shënonim sa më parë çka edhe ia dolëm të siguronim shtesat. Pastaj sërish u ndëshkuam nga gabimi ynë, por në penallti patëm fat edhe pse unë nuk mendoj që janë krejt fat, sepse ne patëm qetësinë psikike, përgatitjen, sepse ne edhe dje kemi ushtruar penalltitë dhe pra kjo është produkt i punës tonë. Vazhdojmë me lojërat tona deri te arritja e qëllimeve tona. 

Tahir Batatina:
Djemtë dhanë maksimumin, që nga minuta e parë e dominuam Prishtinën në të gjitha aspekte. Në asnjë aspekt Prishtina s’ka qenë e favorizuar. Golin e shënuam në momentin e mirë, e pastaj edhe në pjesën e dytë filluam mirë, por mendoj se lojtari i 12-të i cili ishte me Prishtinën, Gramos Shala vendosi ndeshjen me atë faull që s’ishte faull, s’kishte mundësi ta bënte penallti se ishte jashtë zonës dhe aty përfundoi gjithçka. Ai sot kishte ardhur me ndikim të caktuar. Nuk mendoj se i ka hije futbollit të Kosovës të vazhdohet më këso skena dhe njerëz të tillë. Nuk i kontribuojnë futbollit kosovar këso gjërash. Penalltitë janë fat, presioni ishte te lojtarët e mi për çka edhe i humbën dhe unë nuk dua t’i akuzoj për këtë gjë. Do të vazhdojmë në kampionat të rikthehemi. Por, unë them se as Llapit as Prishtinës nuk i duhen trofetë me këso gjërash josportive.