Lajme

Çerekfinalja e Kupës: Besa - Prishtina

Çerekfinalja e Kupës: Besa - Prishtina

E mërkurë, 15 mars - ora 13.00

Prishtinë, 14 mars, 2017 - Besa dhe Prishtina në “Shahin Haxhiislami” do të takohen në ndeshjet e vlefshme për Kupë, ndërsa do të zhvillohet vetëm një ndeshje me eliminim. Në rast të rezultatit të barabartë, luhen vazhdimet 2x15 minuta dhe eventualisht penalltitë.

Futbollistët e Prishtinës ndjehen mjaft të qetë para këtij dueli të vlefshëm, kurse gëzon fakti edhe rikthimi i të lënduarve, përveç sulmuesve, Ahmed Januzi e Bleon Sekiraqa.

Çerekfinalja e Kupës

Besa - Prishtina

E mërkurë, 15 mars - ora: 13.00

Stadiumi: “Shahin Haxhiislami”, Pejë

Gjyqtarët: Kreshnik Vula (Gjk), Besnik Morina (Vu), Artan Latifi (Pd) - Fatmir Tahiri (Mt)


L. Lindemann: Ndeshje jetike

“E kam parë nga afër ndeshjen, Besa - Trepça ‘89 dhe krejt çfarë mund të them për Besën është se janë ekip i fortë, taktikë të mirë, sulmues apo sulm të mirë. Për ne është ndeshje jetike. Sepse, situata rreth titullit të kampionit nuk është ideale, por kemi rast të mirë të fitojmë Kupën. Ekipi im duhet të ketë optimizmin maksimal, duhet të ketë ndjenja të forta për këtë ndeshje dhe me të gjitha këto kemi shans të mirë të fitojmë. Edhe fitorja ndaj Trepçës është e mirë për moral, por s’ka qenë normale që ndeshja të shkoj aq gjatë, 100 minuta. Pra, për karakterin e ekipit tim ka qenë mirë, por ndërprerja aq e gjatë e ndeshjes nuk ka qenë normale”.

L. Leci: Për të shkuar në Evropë duhet kaluar Besën!

“Pikë së pari, s’do ta quaja të jashtëzakonshme fitoren kampionale me Trepçën, sepse ndeshja zhvillohet 90 minuta, plus shtesa edhe pse ne e kishim dominuar pjesën e parë duke krijuar edhe disa raste dhe ta kryenim ndeshjen shumë më herët. Dhe, për ne, ndeshja me Trepçën ka përfunduar. Kurse, tani në ndeshjen me Besën, nëse duam ta fitojmë Kupën dhe të dalim në Evropë, atëherë duhet kaluar Besën dhe ta marrim trofeun e Kupës, edhe pse as gara për titull ende s’është mbyllur, sepse ka ende shumë lojë. Por, duhet pranuar që Kupa është rruga më e shkurtër për Evropë. Pra, në Pejë udhëtojmë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale dhe këtë duhet ta kemi në mendje të gjithë futbollistët. Duhet angazhim maksimal që ta mposhtim Besën, përshkak se kanë ekip të mirë dhe po luajnë futboll shumë të mirë”, ka thënë mbrojtësi, Liridon Leci.

A.Muqiqi: Në Mitrovicë treguam karakter - tani kërkojmë kualifikim në Kupë

“Fitorja në Mitrovicë fare nuk ka qenë e çuditshme, përkundrazi erdhi falë dëshirës së madhe dhe karakterit të cilin e tregoi ekipi. Ndërsa, ndeshja në Pejë padyshim se do të jetë finale për ne. Do të angazhohemi maksimalisht që të kalojmë në gjysmëfinale dhe pastaj të ecim drejt trofeut të Kupës, atje ku e kemi qëllimin”, ka thënë portieri, Muqiqi.

Avni Durmishi