Lajme

Dallku: Jam i kënaqur me qasjen e futbollistëve në ndeshje

Dallku: Jam i kënaqur me qasjen e futbollistëve në ndeshje

Sot prova e tretë kundër rusëve të Chertanovo

Antaly FC Prishtina

Lara/Antalya, 28 janar 2020 - Nën rigat lokale të shiut, skuadra në mëngjesin e sotëm ka mbajtur seancë të lehtë stërvitore. Pasdite e pret ndeshja e tretë testuese me kundër skuadrës së Kategorisë së dytë ruse, Chertanovo. Skuadra ruse renditet e 5-ta në kampionatin rus, 4 pikë më pak se lideri Volgograd dhe janë në garë për në inkuadrimin në elitën e futbollit rus. Ndeshja zhvillohet nga ora 17:30 me orë lokale apo 15:30 me orë të Kosovës.

Para ndeshjes së sotme, vlerësimet e tij ka dhënë edhe kryetrajneri Dallku. Kurse, përbërja e skuadrës do të vendoset para ndeshjes, ndërsa skuadra pritet t’i ketë dy-tre mungesa përshkak lëndimeve të vogla.

FC Prishtina - Antalya

Arda, Kolos….

“Dy ndeshjet e kaluara (kundër Arda dhe Kolos) kanë qenë mjaft pozitive për neve. Kemi qenë shumë të kënaqur, së pari me mënyrën e qasjes së lojtarëve në lojë. Normalisht, ndeshja e parë kundër Arda ishte nën freskinë e futbollistëve tanë duke u pa edhe rezultati në fund, pastaj lëvizshmëria, angazhimi dhe gjithçka tjetër ishte pozitive. Kurse, në ndeshjen e dytë kundër Kolos, para zhvillimit të saj, unë dhe stafi ynë e kemi ditur që do të ishte më e vështirë, sepse djemtë kanë pasur ngarkesë nga stërvitjet, por me gjithë këtë, sërish ishte ndeshje pozitive për ne, sepse jo vetëm Kolos, por të gjitha skuadrat e Evropës Lindore luajnë ashtu, duke pasur mjaft duele të forta. Thjesht për ne stafin ishte eksperiencë e mirë për të parë se në çfarë forme apo mënyre duhet të tentojmë edhe ne të luajmë në atë mënyrë profesionale”, ka vlerësuar dy ndeshjet e kaluara, shefi i shtabit teknik, Armend Dallku.

Ndeshja me Chertanovo (Rusi)...

“As kundërshtari i sotëm nuk është që ndryshon shumë, shembull nga ekipi ukrainas që jemi ndeshur, sepse, siç e potencova, ekipet nga shtetet e lindjes luajnë pothuajse në të njëjtën mënyrë. Pra, e dimë që edhe ndeshja e sotme do të jetë e tillë. Presim t’i marrim të mirat e kësaj, të them, ndeshje stërvitjeje, duke e parë se edhe cilët futbollistë t’i përdorim sot duke u varë edhe nga lëndimet e vogla të disa futbollistëve. Pres ndeshje të mirë sa i përket përgatitjes taktike, sepse veçmas punës fizike, sidomos në aspektin taktik dua t’i orientojmë futbollistët se si do të shfaqen brenda për brenda ndeshjes”, ka thënë kryetrajneri Dallku para përballjes së sotme me skuadrën ruse, Chertanovo.