Lajme

¼ Digitalb Kupa: Prishtina – Trepça ’89 0-0 4-5 pen

¼ Digitalb Kupa: Prishtina – Trepça ’89 0-0 4-5 pen

Prishtina eliminohet nga Kupa

Meriton Korenica

Prishtinë, 10 shkurt 2019 – Prishtina edhe njëherë ishte e pafat me penallti. Por, para penalltive e pafat ishte edhe me rastet e shumta të krijuara e që nuk i realizoi. Dhe një rival siç është Trepça ‘89 e cila nuk kishte çfarë të humbiste me mbrojtje të ngjeshur u treguan jo vetëm këmbëngulës, por edhe të durueshëm, çka në fund iu shpagua me kualifikimin në gjysmëfinale.

Diar Miftaraj

Për Prishtinën eliminimi nga Kupa është dështim i madh dhe i papritur. Por, ndoshta do të shërbej si mësim gjatë kampionatit ku imperativ i vetëm tani mbetët rikthimi i titullit pas gjashtë vitesh në kryeqendër.

FC Prishtina

Çerkfinalja e Digitalb Kupës

Prishtina – Trepça ’89 0:0 4:5 pen.

Penalltitë për Prishtinën shënuan: Thaqi (1:1), Jasharoski (2:1), Ahmeti (3:2), Morina (4:3) - Dallku nuk shënon (qëllon traversën), penalltinë e Hoxhës e pret portieri Beqiri.

Penalltitë për Trepçën ‘89 shënuan: Hyshmeri (0:1), Basriu (2:2), Maloku (3:3), Rusi (4:4) dhe Herman (4:5) – gjuajtjen e Pirës e priti portieri Bekaj.

Shikues: 1.500

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Leutrim Mustafa (Pd)

KV: Dallku, Boshnjaku, Korenica, Morina – Maloku, Herman

Pozita jashtë lojës: Pri 3-2 T89

Kornerët: Pri 3-2 T89

Gjuajtjet totale: Pri 11-6 T89

Gjuajtjet në portë: Pri 3-2 T89

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi (8. Ahmet Haliti – 75’), 4. Armend Dallku /c/, 3. Jamal Arago – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku, 27. Marjo Morina – 77. Mergim Pefqeli (18. Ergyn Ahmeti – 66’), 10. Meriton Korenica (17. Arbër Hoxha – 91’), 9. Basid Khalid (19. Alen Jasharoski – 104’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Donat Hasanaj, Abdul Bashiru. Kryetrajner: Mirel Josa.

Trepça ‘89: 1. Arben Beqiri – 21. Arbër Pira, 5. Elton Basriu, 4. Richard Asare,  22. Erges Mersini, 15. Muharrem Jashari (8. Orges Gava – 102’), 10. Ylber Maloku /c/, 25. Engjell Hoti, 7. Hasan Hyseni (29. Renato Hyshmeri – 81’), 7. Gëzim Rusi, 17. Djibril Diawara (19. Betra Franck Herman – 85’). Kryetrajner: Sabit Osmani.

Jamal Arago

Komenti: 

Prishtina sot e pati mungesë vetëm Mankendën e lënduar dhe pothuajse luajti me formacionin më të mirë, ndërkohë Bekteshi ka pësuar lëndim në minutën e 75-të. Dhe, edhe pse skuadra nuk pësoi gol as pas ndeshjes së 11-të rresht, kjo nuk i mjaftoi që t’i shpëtonte eliminimit. Ç’është e vërteta, ’89-shi luajti jashtëzakonisht mençur dhe gati 6 futbollistë në vijë të mbrojtjes duke mos gabuar pothuajse asnjëherë dhe çdo rast që Prishtina e krijonte, e bënte me mund të madh. Por, Pefqeli s’u tregua i saktë kur qëlloi traversën (44’), ndërsa portieri Beqiri përveç që priti penalltinë e 6-të, ai në 2-3 raste shpëtoi gol të sigurt.

Armend Dallku

Dhe kur nuk shënon gjatë 120 minutave, atëherë mund të ndodh që edhe Dallku i pagabueshëm nga penalltitë të huq atë (qëllon traversën). Nuk mjaftoi as pritja e një penalltie nga Bekaj, pasi që në fund Hoxhës iu i prit e njëjta dhe skuadra “minatore” plasohet në gjysmëfinale.

Visar Bekaj

Ndërsa sa do humbje e rëndë të jetë, futbollistë nuk kanë kohë të vajtojnë, menjëherë në fundjavë i pret derbi i kryeqendrës me Flamurtarin vendas. Tani skuadra ka kohën të jetë tërësisht e preokupuar vetëm në kampionat.

Armend Thaqi

Minutë pas minute:

7’ Boshnjaku e vazhdon djathtë te Thaqi e ky e kthen te shtylla e parë te Morina gjuajtjen e të cilit e pret portieri në formë Beqiri.

Lorik Boshnjaku

18’ Kundërzbritjen e mysafirëve e mbyll me gjuajtje të lartë nga distanca Diawara.

24’ Gjuajtjen e lirë ballore e ekzekuton Maloku duke e qitur afër shtyllës së majtë Diawaran i cili nuk ia doli të drejtonte në portë edhe pse ishte në pozitë ideale.

27’ Tjetër aksion nga e djathta, Korenica – Thaqi, harkon ulët, i sigurt portieri.

30’ Khalid ikën pozitës jashtë loje, del djathtë, kroson rrezikshëm, e ndërprenë sërish portieri.

Basid Khalid

38’ Arago e harkon këndoren e majtë, në shtyllën e parë Miftaraj gjuan me kokë jashtë.

44’ Çfarë rasti, Thaqi nga e djathta, Khalid mjeshtërisht e vazhdon te Pefqeli që del me portier, por qëllon traversën, kthehet topi, Khalidi gjuan para Korenicës që ishte pozitë më të mirë, pret Beqiri e nga topi i kthyer gjuan Morina, por jashtë.

Marjo Morina

47’ Hyseni depërton deri në zonë e gjuan nga e majta, pret Bekaj.

63’ Hoti gjuan ballore nga distanca prej gjuajtjet së lirë, e lartë.

68’ Jashari provon gjuajtje ballore, e rrezikshme, por jashtë.

70’ Lëndohet Bekteshi.

72’ Më në fund një tentim i Prishtinës në pjesën e dytë, Khalid ballore e plogësht.

77’ Ahmeti e vazhdon te Korenica – gjuan ballore nga 18 m., e lartë.

82’ Rusi bukur e vazhdon djathtë te Pira e ky në zonë te Diawara në shtyllën e majtë nuk ia del të kthej në portë, jashtë.

89’ Maloku nga distanca, e lartë.

Arber Hoxha

92’ Khalid para zonës e kthen te Ahmeti i cili gjuan ballore me të parën, jashtë.

101’ Khalid pranon top në zonë, bukur kthehet e gjuan, pret Beqiri topi po shkonte drejt vijës së portës kur njëri nga mbrojtësit mysafir e largon në momentin e fundit para Thaqit.

Basid Khalid

101’ Niset këndorja, Thaqi e harkon nga e djathta, topi shkon deri te Khalid i cili gjuan me të parën, jashtë, prapë i pasaktë.

105’ Super pasim i Morinës djathtë te Thaqi i cili e qet Jasharoskin në shtyllën e parë, gjuan me shpejtësi, por mbi portë.

109’ Çfarë rasti nga e djathta nis rivënia anësore, Morina nga e djathta harkon në të dytën, Arago plotësisht i vetëm me portier, gjuan me kokë, jashtë.

117’ Hyshmeri ia merr topin Boshnjakut e depërton deri në zonë, por gjuajtjen e tij e ndal Bekaj.

Armend Thaqi

Deklaruan:

Mirel Josa: Mundësitë për të përfunduar ndeshjen ishin, për të hapur rezultatin, ishin. Do të duhej të ishim treguar më të kujdesshëm, por nuk ishte hera e parë që i humbim këto raste, jo vetëm nga ne, por edhe nga skuadrat tjera. Thjesht u humbën pak ekuilibrat në lojë për sa i përket, sepse ne donim të shënonim se s’bënë gjatë gjithë kohës dhe Trepça u mbrojt me shumë forca dhe u mundua që të na godiste me kundërzbritje gjë që ndodhi dy-tre herë – e që kur humben ekuilibrat është normale që një skuadër të rrezikoj. Ne futëm shumë sulmues në lojë, patëm rastet tona, por nuk mundëm të konkludonim dhe erdhi koha që të eliminoheshim me penallti. Për ne Kupa ishte objektiv dhe normal që të eliminohesh dështim është. Futesh në një ndeshje e cila është direkt në eliminim, duhet t’i kesh parasysh të gjitha të papriturat që mund të dalin. Ne shkuam deri në fund për ta marrë lojën, qoftë edhe në shtesë patëm rastet tona, por nuk ia dolëm. Normal, gjendja e çdo skuadre nuk është e njëjta siç është ajo e përfundimit të kampionatit (sqarim: stinorit vjeshtor), por duhet të shohim vazhdimësinë dhe unë jam i bindur që skuadra do të ngrite në ndeshjet në vazhdim. Kupa do të mund të na jepte shtysë në kampionat, por tash duhet të përqendrohemi vetëm në kampionat, ajo është detyra jonë.   

Sabit Osmani, kryetrajner i Trepçës ’89:  Trepça ’89 me mposhtë Prishtinën nuk është befasi, e kemi mposhtur edhe herë tjera, mirëpo në bazë se ku gjendemi në tabelë, ka pasur që s’kanë besuar në neve. Por, unë kam besuar duke e ditur çfarë lojtarë kam, se çfarë përgatitje kemi bërë dhe për atë ne kemi ardhë sot për fitore. Jemi mbrojtur, normalisht se Prishtina është ekip i fortë dhe me kundërsulme kemi rrezikuar në një ndeshje që ishte shumë e fortë. Ndërsa penalltitë janë edhe fat.   

Plisat

Foto: Roland Racaj