Lajme

¼ Digitalb Kupa: Prishtina – Trepça ‘89

¼ Digitalb Kupa: Prishtina – Trepça ‘89

Prishtina në kërkim të mbrojtjes së trofeut të Kupës

Prishtinë, 9 shkurt 2019 – Prishtina dhe Trepça ’89 në ndeshjen e nesërme kërkojnë gjysmëfinalen e Digitalb Kupës së Kosovës. Prishtina mëton ta mbroj trofeun e fituar edicionin e kaluar, ndërsa “minatorët” të shpëtojnë sezonin nëpërmjet këtij trofeu, sepse përderisa Prishtina në luftë për dy trofetë, ’89-shi ka ngecur shumë mbrapa në kampionat.

Bardhekaltrit nuk kanë asnjë problem me lëndime përveç mungesës së Mustafës (rast vdekje në familje). Pra, Prishtina është më e gatshme se kurrë dhe pikëpyetje ka vetëm se sa do ta kap formën që kishte në fund të stinorit vjeshtor.

Ndeshja është eliminuese, ndërsa në rast të barazimit në 90-minuta luhen vazhdimet dhe eventualisht pastaj ekzekutohen penalltitë.

Digitalb Kupa e Kosovës, çerekfinale

Prishtina – Trepça ’89

E diel, 10 shkurt – ora 15:00

Stadiumi: “Fadil Vokrri”, Prishtinë

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Leutrim Mustafa (Pd)

Çmimi i biletave: 2 euro Lindje, 3 euro Perëndim, 10 euro VIP.

M. Josa: Të jemi sa më afër gjendjes përfundimtare të kampionatit fazës që kaloi

“Kjo ndeshje nuk ka asnjë lloj lidhje me mbarimin e kampionatit vjeshtor me fillimin e Kupës tashti, është kompeticion tjetër. Ne jemi përgatitur për dy kompeticionet, normalisht e presim një Trepçë e cila do të jetë shumë agresive e cila në kampionat dihet që është shumë mbrapa, ndërsa sa i përket Kupës vazhdojnë me objektivin e tyre, objektiv të cilin e kemi edhe ne. Mua më intereson të jemi sa më afër gjendjes përfundimtare të kampionatit fazës që kaloi skuadra në mënyrë që të hyjmë në ritëm sa ma shpejt, por një gjë është e sigurt, mos prisni që direkt të jemi në të njëjtën gjendje kur e mbaruam kampionatin vjet, sepse normale është periudhë shumë e gjatë që është ndërprerë kampionati. Megjithatë duhet ritmi i ndeshjeve, duhet ritmi i stërvitjeve etj etj, duhet që lojtarët të marrin formën e tyre optimale. Nga një pjesë e madhe e skuadrës jam shumë i kënaqur me impenjimin, në mënyrën se si janë stërvitur, por nuk do të thotë që stërvitjet në Turqi të pasqyrojë komplet gjendjen që do të paraqesim ne këtu. Gjendja këtu paraqitet në bazë të kushteve që ne do të luajmë këtu në Kosovë. Unë uroj që të jemi sa më afër gjendjes së mbarimit të kampionatit”, ka thënë kryetrajneri Josa. 

Statistikat:

Përderisa Trepça ’89 e ka fituar vetëm një trofe të Kupës, Prishtina e ka fituar 6 herë – rekorde në vend. Prishtina dhe Trepça ’89 janë ndeshur vetëm një herë për Kupë, më 2007/08 ‘89shi ishte kualifikuar në finale pasi që kishte eliminuar Prishtinën në dy gjysmëfinalet, 2:2 në Prishtinë dhe 0:0 në “Riza Lushta”.

Megjithatë në finale ishin mposhtur nga Vëllaznimi dhe trofeun e vetëm të Kupës e patën fituar pas 3 edicioneve tjera, më 2012 duke e mposhtur Ferizajn nga kategoria e parë e cila e kishte elimunar Prishtinën në gjysmëfinale,  3:0.

Përndryshe dy skuadrat kanë zhvilluar 51 ndeshje pas luftës. Prishtina ka fituar 25 ndeshje, 9 barazime dhe 17 fitore të ’89-shit me goldallim +26 për Prishtinën,  68:42.

Po ashtu Prishtina ka seri pozitive në 6 ndeshjet e fundit prej 5 fitoreve dhe 1 barazimi duke mos pësuar fare gol dhe duke shënuar 9 gola.