Lajme

Digitalb Kupa ¼: Prishtina – Vushtrria

Digitalb Kupa ¼: Prishtina – Vushtrria

Ndeshja zhvillohet më 8/9 shkurt

Prishtinë, 12 dhjetor 2019 – Sot është hedhur shorti i çerekfinales së Digitalb Kupës së Kosovës. Pas hedhjes së shortit çiftet e çerekfinales ishin:

Drenica – Gjilani, Dukagjini – Ballkani, Liria – Feronikeli dhe çifti i fundit mbeti Prishtina – Vushtrria.

Prishtina dhe Vushtrria dy herë janë takuar për Kupë pas luftës. Më 2000/01 në kuadër të 1/16 së finales në një ndeshje të luajtur në kryeqytet kishte triumfuar Prishtina 3:1 me golat e Patokut (6’), Qubrelit (81’) dhe Prapashticës (84’). Golin e vetëm për vushtrriasit kishte shënuar Veton Munishi (53’).

Ndërsa, para dy vitet kur Prishtina kishte triumfuar për Kupë ndaj Vëllaznimit në “Adem Jashari” të Mitrovicës pas penalltive, në gjysmëfinale ishte takuar me skuadrën e Ligës së parë, Vushtrrinë. Prishtina kishte triumfuar në “Shahin Haxhiislami” të Pejës si vendas 1:0 (Khalid 19’), kurse ndeshja kthyese ishte mjaft dramatike, Vushtrria kishte mbyllur 90-minutat e rregullta me epërsi 1:0 (Maxhuni 48’). Ndeshja kishte shkuar në shtesa dhe ishte po Khalid që në minutën e 99-të kishte barazuar rezultatin duke quar skuadrën në finale.

Vushtrria nga 15 udhëtimet zyrtare në “Fadil Vokrri” ka arritur vetëm një barazim pa gola më 2014, ndërsa ka shënuar vetëm 4 gola duke pranuar 23.

Përndryshe, një javë pas duelit çerekfinal, dy skuadrat, po në “Fadil Vokrri”, zhvillojnë edhe përballjen kampionale të javës së 18-të.