Lajme

Ejupi: Forca janë adhuruesit tanë të shumtë në Suedi

Ejupi: Forca janë adhuruesit tanë të shumtë në Suedi

Kryetari Remzi Ejupi ishte sot prezent në shortin e Nyonit


Prishtinë, 19 qershor, 2017 – Në Nyon ndodhen edhe kryetari Remzi Ejupi e anëtari i bordit, Afrim Muçiqi. Kurse, prezent në hedhjen e shortit ishte edhe kryetari Ejupi i cili pasi që pa përballjen ka thënë se forca e madhe e Prishtinës do të jenë adhuruesit e shumtë të saj që jetojnë në Suedi.

Kurse, siç përcjell “Zeri.info”, janë deklaruar edhe zyrtarë të skuadrës suedeze.

“Një punë e vështirë përpara nesh, por ne do të punojmë për ta zgjidhur atë. Punojmë fort për të marrë pjesë në këto gara dhe do t’i shijojmë ato”, ka thënë menaxheri i klubit, Jens Gustafsson.

“Ne e dimë se ata do të kenë mbështetje edhe në Suedi, pasi ka shqiptarë këtu. FC Prishtina nuk e ka nisur ende sezonin dhe është e pamundur ta shohim ‘live’, por po mundohemi ta analizojmë lojën e tyre”, shtoi ai.

Ndërsa edhe presidenti Peter Hunt është i vetëdijshëm se stadiumi në Suedi do të “vërshohet” nga shqiptarët.

“Ne kemi nevojë për mbështetje, jemi krenarë që jemi në këtë garë. Sapo bisedova me presidentin e Prishtinës dhe ai mendon se stadiumi do të jetë i mbushur në Norrkoping. Shumë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria jetojnë në Suedi dhe janë të gatshëm të blejnë sa më shumë bileta për të qenë të pranishëm në stadium”, theksoi Hunt.

Norrkopingu dhe Prishtina do të luajnë në rrethin e parë preliminar të Europa Leagues. Loja e parë luhet më 29 qershor në Suedi dhe ajo e kthimit më 6 korrik në Mitrovicë.