Lajme

FC Prishtina me miq gjithandej

FC Prishtina me miq gjithandej

Vëllezërit Parteshi me zemër e pritën FC Prishtinën në Antalya

Shkurt, 2018 - FC Prishtina po qëndron në Turqi për ta zhvilluar fazën përgatitore për stinorin pranveror.  Dhe, udheheqja bardhekalter ka hasur në një familje që jeton shumë moti në Turqi, e që ka prejardhje pikërisht nga Prishtina.

Fjala është për dy vëllezërit Parteshi, Erxhimentin dhe Ekremin. Njëri ka lindur atje, e tjetri ka shkuar kur ishte shumë i vogël, me familje. Ata gjatë gjithë kohës janë përkujdesur për skuadrën bardh e kaltër, të cilën janë munduar ta bëjnë të ndihet si në shtëpinë e vet.

Ata sot janë biznesmenë të suksesshëm në kryeqendrën e turizmit, në Antalya. Janë pronarë të “Fan Shop-it” të Besiktasit në Antalya. Me këtë rast, ata aty për aty i kanë prodhuar edhe disa veshmbathje me logo dhe ngjyra të FC Prishtinës.

Po ashtu kanë shprehur gatishmërinë që ta ndihmojnë FC Prishtinën të bëhet me “Fan Shop” zyrtar menjëherë pas rinovimit të stadiumit të kryeqytetit, për çka bardhekaltrit janë shprehur të hapur për bashkëpunim.

Ndërkohë, vëllezërit Parteshi organizuan edhe darkë madhështore për bardhekaltrit, në të cilën prezentë ishin edhe drejtuesit më të lartë të klubit, kryetari Remzi Ejupi me bashkëpunëtorë: Ahmet Kurtolli nenkryetar, Afrim Muçiqi anetar bordi, Fikret Maqastena anetar bordi, Fatos Hoxha sekretar dhe Arsim Thaçi drejtor sportiv. Ata kanë shprehur mallëngjim për qytetin e zemrës, Prishtinën.  Ndiheshin të nderuar me mysafirët e tyre nga Kosova.

Gjithsesi, bashkërisht u kalua natë e paharrueshme e percjelle edhe me muzikë. Afrim Muçiqi si zakonisht me mikrofon në dorë, ndërsa veten në muzikë e ka sprovuar edhe numri 1 i klubit bardh e kaltër, Remzi Ejupi.