Lajme

FC Prishtina mund t’i ndërpresë garat!

FC Prishtina mund t’i ndërpresë garat!

FC Prishtina mbështet kryetarin e FFK-s, Fadil Vokrri për ndërprerjen e garave!

Prishtinë, 2 mars, 2017 - Ka kohë që Prishtina ka ngritur zërin alarmues. Por, duhet të na e konfirmojnë inspektorët e UEFA-s, se me dy stadiumet, ai qytetit të Prishtinës dhe “Adem Jashari” në Mitrovicë janë larg riparimeve. Stadiumi i qytetit në Prishtinë është duke u “rinovuar” edhe më ngadalë se hapat e breshkës, kurse në “Adem Jashari” në Mitrovicë as që ka filluar puna.

Pra, Prishtina, mund të jetë skuadra e parë që mund t’i bashkëngjitet hapave të Federatës për ndaljen e futbollit.
Shtrojmë pyetjen, për çka vlen të luhet kur shteti nuk e bënë as përpjekjen minimale që t’iu mundësoj skuadrave të garojnë në gara ndërkombëtare?

Po ashtu FC Prishtina është në pritje të realizimit të premtimit të Komunës së Prishtinës se deri në fund të muajit shkurt do të procesohet në Kuvend miratimi i ndarjes së lokacionit për kompleksin sportiv. Investimi është në rrezik dhe më 13-14 mars, nënkryetari i Bundesligës, Helmut Hack sërish do të vizitoj Prishtinën për të parë se deri ku ka arritur procedura, përderisa duhet kujtuar, se hapësira, dikur fusha ndihmëse afër stadiumit të qytetit, sot përdoret për biznes privat.
Ora është “5 në 12”! Është koha që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapat urgjent për interes nacional! Dhe, ne ende shpresojmë se do të mbajnë fjalën e në afatin kohor dhe do të kryejnë detyrat që janë të ngarkuar për qytetarët e vendit.