Lajme

FFK-ja zgjedh më të mirët e vitit

FFK-ja zgjedh më të mirët e vitit

Dallku e Leci në njëmbëdhjetëshin e vitit 2016

Prishtinë, 14 janar, 2017 – Në evenimentin e organizuar sonte nga FFK-ja në hotel “Emerald”, ku më së pakti kishte futbollistë e ku trajnerët e Superligës ishin vendosur në fundin e sallës prapa kamerave, u bë përzgjedhja e më të mirëve të vitit 2016, nga votat e kryetrajnerëve (që iu kishte mundësuar të votonin futbollistët e vet?!?!?) dhe gazetarëve sportiv të gjitha mediave elektronike dhe të shkruar.

Nga futbollistët e Prishtinës, në njëmbëdhjetëshin e vitit 2016, në pozitën e mbrojtësit u vlerësua, kapiteni Armend Dallku dhe mbrojtësi i majtë, Liridon Leci, i cili në gjashtë mujorin e parë të vitit që lamë pas, ka mbrojtur ngjyrat e Hajvalisë.

Po ashtu, me post-mortum, u nderua, ish-kryetari i KF Prishtina, i ndjeri, Muharrem Ismajli.

Por, në mesin e më të mirëve nuk pati vend për asnjërin prej dy mesfushorëve të Prishtinës, Endrit Krasniqi e Lorik Boshnjaku.  Kurse, Prishtina si klub edhe pse fitoi Kupën dhe Superkupën e Kosovës duke mposhtur kampionët aktual, nuk u shpallë skuadra më e mirë e vitit. Atëherë, përse na u zhvilloka ndeshja e SUPERKUPËS!?

Shumë shpërblime e mirënjohje u dhanë, nuk u kuptua kush i ndante e kush i merrte, sepse, më së pakti kishin të bënin me futboll dhe futbollistë dhe zor t’ju mbahej mend emri e lëre më ta kuptosh se nga vinin dhe për çka nderoheshin. U ndanë edhe merita të pamerituara, si për aprovimin e Ligjit për sport. Ishin ftuar ish-zyrtar të Federatës, e nuk ishin ftuar shumë të tjerë që kanë dhënë kontribut shumë më të madh. Sidoqoftë, trajnerë e futbollistë, të ulur diku anash sallës e prapa kamerave, mbase janë zbavitur me cirkun e “rekës” së Dumnicës nga moderatori - aktori (!?) Fatmir Spahiu!!!