Lajme

Fillon faza përgatitore

Fillon faza përgatitore

Të enjten bashkohet Lindemann, me 16 janar edhe pjesa ekipit të Gjermanisë

Prishtinë, 9 janar, 2017 – Pas tre javë pushimi për një pjesë të futbollistëve që s’kanë qenë pjesë e turneut në Gjermani, sot ka filluar faza përgatitore për stinorin pranveror. Futbollistët e turneut në Gjermani do të kenë pushim deri më 16 janar kur edhe i bashkohen skuadrës, sikurse edhe kryetrajneri Lutz Lindemann i cili të enjten kthehet nga Gjermania.

Seancat e para do të mbahen në fushat me bari sintetik të stadiumeve “Prince” në lagjen Arbëria të Prishtinës.

M. Miftari: Me 16 janar tërë ekipi i bashkohet punës

“Faktikisht ka kohë që skuadra s’ka qenë e kompletuar dhe ka punuar me dy grupe. Sot ka ardhur pjesa e futbollistëve të turneut dhe i bashkohet stërvitjeve të hënën më 16 janar. Sot është dita e parë, duhet parë gjendjen shëndetësore të gjithëve. Të enjten kthehet kryetrajneri Lindemann, të premten i bashkohet ekipit dhe këto ditë e para do të mbajmë seanca të zakonshme këtu në “Prince”, pastaj besoj do të dalim sërish në fushën ndihmëse të KEK-ut dhe planifikohet dy herë nga një javë jashtë vendit, por detajet do t’i tregojmë më vonë. Ndërsa, në takimin e para disa javëve ndërmjet të gjithë trajnerëve dhe kryesisë, kemi konstatuar që na duhen përforcime, por aktualisht nuk mund të iu them diçka më shumë”, ka thënë në ditën e parë të fazës përgatitore, trajneri, Mentor Miftari. 

D. Curri: Na duhet përgatitje maksimale – në fund besoj në titull

“Normalisht, fillojmë me ambicie që Prishtina gjithmonë i ka për titull. Besoj që jemi ndër pretendentët kryesor. Besoj se do të kemi kombinim shumë më të mirë mes veti, sepse ne vjeshtë kemi ardhur shumë lojtarë të ri. Kemi pasur rezultate të mira në vjeshtë dhe punën në fazën përgatitore që do ta bëjmë, edhe pse fillimi kuptohet është i vështirë, shpresoj që do të jemi mjaftueshëm të përgatitur për stinorin pranveror. Pra, na duhet përgatitje maksimale, e pastaj në çdo ndeshje të hyjmë për ta fituar, duke filluar nga ndeshjet e fazës përgatitore. Me kapacitetet që kemi, por ndoshta edhe me disa afrime, edhe pse kemi mjaft lojtarë, besoj që do të jemi kampion në fund”, ka thënë Debatik Curri.