Lajme

Finalja e Kupës: Vëllaznimi – Prishtina 1:1 4:5 penallti

Finalja e Kupës: Vëllaznimi – Prishtina 1:1 4:5 penallti

Vëllaznimi e meritoi fitoren, por Prishtina e rrëmbeu Kupën pas shënimit të penalltisë së fundit nga Hoxha

Mitrovicë, 27 maj 2018 – FC Prishtina është stolisur me trofeun e 6-të të Kupës “Digitalb” të Republikës. Bardhekaltrit pas penalltive kanë mposhtur skuadrën gjakovare dhe nga 9-të finale nga viti 1992, kanë arritur në shifrën prej 6-të, larg më së shumti nga ekipet tjera.

Skuadra prishtinase u duk se ishte në presion, nuk dukej as e motivuar, me arsye shumë rotacione në formacion dhe sikur të fitonte 1:0 – aq sa e kishte rezultatin deri në minutën e 79-të, sikur nuk do të gëzoheshin aq shumë sa u gëzuan futbollistët pas penalltive.

Vëllaznimi u tregua skuadër shumë e mirë dhe mëkat që ka rënë nga Superliga, por edhe Prishtina krijoi disa raste megjithëse gjakovarët treguan lojë më të mirë.

Skuadra do të festoj sonte në sheshin “Zahir Pajaziti” në amfiteatrin e hapur sëbashku me “Plisat” nga ora 22:00.

Finalja e Kupës

Vëllaznimi – Prishtina 1:1 (4:5) pas penalltive

Golat: Dardan Rogova 79’ – Basit Abdul Khalid n21’

Shënuan nga penalltitë:
VLA: L. Vula, E. Gashi, J. Dushi, B. Krasniqi, Y. Myrtaj qëlloi tërthorëzen
PRI D. Miftaraj, Bozhoviç, Jonuzi, E. Ahmeti, a. Hoxha
Pozita jashtë lojës: Vla 3-2 Pri

Kornerët: Vla 8-6 Pri

Gjuajtjet totale: Vla 14-10 Pri

Gjuajtjet në portë: Vla 7-6 Pri

Vëllaznimi: 31. Altik Muhaxhiri – 2. Besnik Krasniqi, 5. Alban Dragusha /c/, 25. Asare Richards, 55. Ardit Vokshi (4. Tunë Bardhoku – 49’), 18. Kushtrim Gashi, 17. Jeton Dushi, 22. Burim Qorri (11. Egzon Gashi - 65’), 9. Dardan Rogova, 7. Lorik Rudi (8. Yll Myrtaj – 75’), 14. Lekë Vula. Kryetrajner: Haxhi Kurhasku.

Prishtina (4-4-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 3. Jamal Arago, 34. Agon Xhaka, 13. Abdul Bashiru – 66. Ergyn Ahmeti, 21. Blend Baftiu (27. Ahmed Januzi – 57’), 29. Drashko Bozhoviç – 77. Mergim Pefqeli (5. Diar Miftaraj – 90+4’), 15. Gauthier Mankenda, 9. Basit Abdul Khalid (17. Arbër Hoxha – 69’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Gentrit Dumani, Liridon Fetahaj. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Prishtina jo sot që s’ishte më e mirë, por për angazhimin dhe mundin gjatë tërë kampionatit e rrëmbeu trofeun e e 6-të Kupës me shumë meritë. Pas shumë problemeve në të gjitha anët, edhe futbollistët që sot u paraqitën e kanë luajtur më pak gjatë edicionit, dhanë aq sa patën mundësi maksimumin dhe gëzimi ishte tejet i madh te futbollistët.

Skuadra që më parë kishte siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Evropës dhe sot ra shumë pesha e ndeshjes, aq sa nuk e përcollën më shumë se 1.000 shikues.

Duhet thënë poashtu pritjet e Bekajt sot, ndërsa edhe qetësinë e madhe të futbollistëve prishtinas gjatë gjuajtjeve nga pika e bardhë, çka nuk ndodhi edhe me Yll Myrtajn që qëlloi tërthorësen, derisa prishtinasit i shënuan pesë goditjet dhe në fund sekretari gjeneral i FFK-s, Eroll Saliu i ndau trofeun kapitenit që sot nuk luajti, Armend Dallku.

Skuadra do të ketë pushim nga sot e deri më 9 qershor kur do të filloj fazën përgatitore për paraeliminatorët e Evropa Ligës.

Minutë pas minute:

2’ Krasniqi harkoi nga e djathta e Vula kishte rast ideal nga e majta, por e pengoi portieri Bekaj.

6’ Tani Vula depërtoi deri në zonë e provoi Dushi, skaj pingules.

9’ Khalid provoi nga 25 metra, por e lartë.

12’ Bozhoviç e pason përpara te Mankenda e ky bukur te Pefqeli që fiton në dyluftim e nga 18 metra gjuajti direkte, por pret portieri gjakovar.

21’ Bozhoviç e harkoi fortë ndërprerjen nga e majta e Asare i Vëllaznimit e largoi topin me kokë e që goditi Khalidin në kokë dhe me fat u fut në rrjetë – 0:1.

31’ Baftiu provon gjuajtje ballore, skaj pingules.

32’ Dushi tregohet sërish i rrezikshëm i cili pas depërtimit të lehtë gjuan e pret Bekaj.

41’ Rogova harkon nga e djathta e Vokshi pozitë ideale gjuan me kokë, intervenon Bekaj.

42’ Baftiu me vertikale e gjen Mankendën djathtë e posa futet në zonë gjuan, por pret Muhaxhiri.

45’+1 Rogova sërish pas e Vula para portës gjuan jashtë, ishte pozitë paska e vështirë edhe pse i vetëm me portier.

55’ Rogova tani ia vazhdon Krasniqit djathtë që gjuan rrëmbyeshëm pak mbi tra.

59’ Bashiru i përkryer me pasim te Januzi që nga e majta e kalon portierin dhe lehtë tenton të shënoj, por kapiteni Dragusha kishte mbërri dhe e ndal në korner.

62’ Krasniqi nga i ashtuquajturi korner i shkurtër bukur harkon në zonë e Asare me kokë qëllon pingulen.

69’ Januzi ikën nga e djathta pas pasimit të mirë dhe në përballje me Muhaxhirin gjuan drejt në të.

79’ Faull nga e djathta, gjakovarët e gjuajnë fortë e Bekaj intervenon shkurtë dhe nga afërsia Rogova barazon rezultatin 1-1.

81’ Bozhoviç gjuan ballore, e rrezikshme, por jashtë.

89’ Bozhoviç e harkon këndoren e djathtë nga e dyta me kokë provon Arago, pret portieri.

97’ Januzi pranon top të gjatë dhe nga e djathta gjuan rrezikshëm, por pranë pingules së kundërt.

104’ Egzon Gashi gjuan ballore të rrezikshme, kap Bekaj.

Deklaruan:

Mirel Josa: Pavarësisht se në çfarë kushtesh kishim ardhur të luajmë, shihen kundërshtarët direkt dhe Vëllaznimi kishte ardhur pa pikë presioni e ku presioni ishte tek ne. Mund të themi që edhe mungesat e spostimet e shumta në formacion ndikuan. Ne bëmë një lojë mesatare sot, pavarësisht se treguam golin, ne duhej tregoheshim shumë më të kujdesshëm në qarkullim topi dhe në krijimin e mundësive, sepse u nxituam shumë në kalimet në zonën kundërshtare. Megjithatë duhet uroj skuadrën, sepse fundja fundit u arrit njëra nga objektivat ose u mbush gjysma e gotës, mund të themi. Kështu që për vazhdimësinë duhet them që ne duhet të kemi sa më tepër karakter në skuadër dhe duhet rritur shumë karakteri individual i futbollistëve.  E personaliteti i futbollistëve, kjo është kryesorja për mua. 

Visar Bekaj: Besoj pata disa pritje të mira që ndihmuan skuadër që në fund të fitonte. E kjo është më e rëndësishmja, fitorja dhe ngritja e Kupës lartë nga ne e ku ia dedikojmë si Plisave po ashtu edhe familjeve tona. Besoj kam pasur paraqitje të mira si me Prishtinën po ashtu edhe me Kosovën U21 dhe besoj se tani e ka radhën edhe ftesa nga Kosova “A”. 

Basit Abdul Khalid: Falënderoj bashkëlojtarët dhe Zotin edhe për këtë trofe që fituam sot. Besoj patëm paraqitje të mirë dhe e merituam. Tani duhet vazhduar tutje, është herët të them, por besoj ka ardhur koha të shoh ndonjë skuadër tjetër jashtë vendit që sidoqoftë ende është private për të thënë diçka më shumë.