Lajme

Flasin Ahmed Januzi e Liridon Leci

Flasin Ahmed Januzi e Liridon Leci

Afër optimales

Lara-Antalya, 9 shkurt, 2017 - Bardhekaltrit po vazhdojnë intensivisht përgatitjet në Antalya. Dje skuadra ka punuar një seancë në mëngjes, ndërsa pasditen e kishte të lirë. Por, sot skuadra vazhdon sërish me intensitet të lartë - dy herë në ditë. Edhe nesër skuadra punon në seancën e mëngjesit, kurse pasdite nga ora 15.00 ndeshet me PFC Septemvri të Sofjes (vendi i dytë në klasifikimin e kategorisë së dytë bullgare). Të shtunën mban seancën e paradites, ndërsa pasdite merr rrugën e kthimit në kryeqendër.

Ahmed Januzi

A. Januzi: Nuk kam më probleme - po ndjehem plotësisht i përgatitur

“Fazë me ngarkesë fizike dhe atë taktike. Sidomos kjo java në Turqi ka qenë shumë e ngarkuar, por njëkohësisht edhe shumë e mirë. Ndërsa sa i përket dy ndeshjeve të forta të zhvilluara, gjatë fazës përgatitore me rëndësi është ta marrësh ngarkesën e duhur dhe që t’i kryesh detyrat që t’i parashtron shtabi teknik. Dhe, besoj që jemi përgatitur mirë. Tani e kemi edhe një ndeshje tjetër, e pastaj pas kthimit menjëherë na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme, për Kupë dhe kampionale dhe me punën që kemi bërë  besoj se jemi duke ardhur e përmirësuar.
E vërtet, kur kam ardhur në Prishtinë, pas lëndimit të rëndë që kisha - thyerja tre herë e këmbës, që nga atëherë tani po ndjehem jashtëzakonisht mirë. Tani më nuk kam probleme dhe po ndjehem mirë fizikisht dhe besoj se jam duke e dhënë maksimumin që ta jap më të mirën në lojë.
E saktë, insistova që në ndeshjen e dytë me Dinamo Brest të vazhdoj të luaj deri në fund dhe këtë me të vetmin qellim, sepse vetëm loja është ajo që të nxjerr maksimumin, asnjë stërvitje dhe asnjë gjë tjetër nuk ta nxjerr maksimumin sikurse ndeshja. Andaj, kundër një kundërshtari që nuk e njeh, provon të japësh maksimumin dhe më të mirën dhe për këtë insistova të luaj 90-minuta dhe të nxjerr më të mirën nga vetja që të përgatitem sa më mirë.
Kampionati po afron, kurse ne normalisht që jemi duke punuar për t’i përmirësuar gabimet që kemi bërë në vitin 2016, ato gabime që na kanë kushtuar edhe me pikë. Pra, unë po shoh se kemi punuar shumë më mirë fizikisht e taktikisht se sa para fillimit të edicionit në verë. Por, po ashtu, çdo njëri nga ne duhet jep maksimumin që të japim secili më të mirën nga vetja, të jemi më efektiv, në çdo fazë, në çdo pozicion”. 


Liridon Leci

L. Leci: Po punojmë më mirë se në Shqipëri

“Të jem i sinqertë, përgatitjet këtu po shkojnë shumë mirë, shumë më mirë se sa në Shqipëri dhe shumë shpejt po ecin ditët dhe besoni se do të donim të zgjaste edhe më shumë.
Sa i përket pozicionit në qendër të mbrojtjes, unë këtë pozitë e kam luajtur edhe më herët, edhe në Suedi e Shqipëri dhe shumë gazetarë më kanë pyetur se si ndjehem në këtë rol. Pra, për mua nuk është ndonjë pozicion i ri, e dua shumë dhe luaj pa ndonjë problem, edhe pse të them të drejtën, po më mungon pozita e majtë vetëm për një arsye, sepse aty ki mundësi të depërtosh e të shënosh, por besoj se edhe nga kjo pozitë, nga ndonjë ndërprerje apo këndore mund të shënoj - janë armë të mia të forta dhe pse mos t’i shfrytëzoj.
E pra, nëse duam të dalim në Evropë, atëherë mund të ndeshemi më skuadra të kësaj cilësie që ne po ndeshemi me to këtu në Turqi. Dhe, unë besoj që jemi mirë dhe dy ndeshjet e zhvilluara, na kanë ndihmuar të shohim ku ndodhemi, sepse ato janë skuadra me potencial të shumtë, me fond të madh të lojtarëve e me buxhet shumë më të lart se ne. Dhe kjo është mësim edhe për lojtarët tanë të rinj e më së miri mund të përmirësohesh kundër tyre. Dhe, këto dy ndeshje i vlerësoj se i kemi luajtur mirë, sidomos të paren taktikisht kemi qenë të mirë, kurse në të dytën kemi qenë pak edhe të lodhur, por çka është normale
Kampionati po afron. Mendoj që jemi përgatitur mirë. Në fakt, mendoj se na duhet ende edhe pak punë në fazën ofensive dhe ndoshta disa detale tjera që mesiguri trajnerët i dinë më mirë se ne. Në përgjithësi mendoj se jemi të gatshëm dhe të fillojmë me këmbë të mbar si për Kupë e po ashtu edhe në kampionat, ashtu edhe siç pritet nga ne, e qëllimi ynë dihet, rruga deri te trofetë”.