Lajme

Fletë portieri i rekordeve, Visar Bekaj

Fletë portieri i rekordeve, Visar Bekaj

Humbja me Flamurtarin, ndeshja me Lirinë, atmosfera në skuadër

Prishtinë, 21 shkurt 2019 – Prishtina ka harruar ndeshjen me Flamurtarin dhe tërë përqendrimin tani e ka për ndeshjen e javës XIX kundër Lirisë e cila zhvillohet të dielën më 24 shkurt nga ora 13:00 në “Fadil Vokrri”.

Para ndeshjes shumë të rëndësishme kundër rialëve të moçëm në pozitë jo të mirë në klasifikim, Liria, flet portieri Visar Bekaj.

Bekaj ka thyer një rekord të jashtëzakonshëm prej 11 ndeshjeve rresht në dy gara zyrtare pa pranuar gol. Rekord ky që nuk e kishte thyer asnjë portier deri më tani. Megjithatë Labinot Qosa mbetët portieri i vetëm që nuk ka pësuar gol në 12 ndeshje rresht, por kampionale, sepse kishte pësuar gola për Kupë në mesin e ndeshjeve për pikë, për çfarë Visar Bekaj dhe mbrojtja e tanishme e Prishtinës mund të krenohet gjatë me këtë arritur.

Humbja me Flamurtarin….

Bekaj: “Pa dyshim që çdo humbje është mësim për neve. Mendoj që në çdo ndeshje duhet qasemi sikur të ndeshemi me skuadrat më të forta pretenduese, si Feronikeli apo Llapi, pra duhet të kemi përgjegjësi maksimale. E ndoshta në ndeshjen me Flamurtarin, gjithmonë po e potencoj me “ndoshta”, kemi hyrë me më pak përgjegjësi duke e menduar që do ta kishim më lehtë, por besoj që e kemi nxjerr mësimin e duhur. Po ashtu, kjo na ka ndodhur edhe në fillim të stinorit vjeshtor duke pasur pak probleme, por pastaj u patëm këndellur dhe besoj fortë se njëjtë do të ndodh edhe tani duke iu rikthyer fitoreve edhe më fuqishëm”

Pranimi i golave pas 11 ndeshjeve rresht…

Bekaj: “Normal, pranimi i dy golave pas shumë ndeshjeve nuk ka qenë ndjenjë e mirë, e sidomos që i ka shërbyer ekipit me humbje. Kam qenë shumë keq, sikurse gjithë bashkëlojtarët, veçmas një ditë pas ndeshjes, por edhe që është normale në këso raste. Por kjo shërben po ashtu edhe për motiv shtesë duke provuar sërish ndoshta që të ndjek rekordin e çka mospranimi sa ma i gjatë i portës së paprekur do t’i shërbej maksimalisht skuadrës drejt rrugës së titullit”.

Ndeshja me Lirinë...

Bekaj: “Asnjë ndeshje s’është e lehtë, kjo u vërtetua me ’89-shin e sidomos me Flamurtarin. Pra, njëjtë lehtë nuk është as me Lirinë. Por, besoj se ndeshjeve tani do t’i qasemi krejt më ndryshe, me më përgjegjësi. Atmosferën e kemi rikthyer edhe më mirë se që ka qenë, kemi rikthyer sërish buzëqeshjen, kuptohet përveç dy ditëve të para të pas ndeshjes, sepse ne në këtë edicion asnjëherë nuk kemi pasur probleme të tilla dhe tani gjithçka jemi në rregull dhe besoj shumë në rikthimin e fuqishëm të fitoreve”.