Lajme

Gjysmëfinalja e Kupës: Prishtina – Drenica 3-0

Gjysmëfinalja e Kupës: Prishtina – Drenica 3-0

Dy golat e Januzit dhe një i Korenicës siguruan fitoren e pastër

Endrit Krasniqi

Prishtinë, 2 qershor 2020 – Sot u zhvillua ndeshja e parë pas 8 marsit për shkak pandemisë. Në situatë surreale, pa prezencën e shikuesve dhe me masa të rrepta të sigurisë pandemike, u zhvillua ndeshja e parë e gjysmëfinales së Digitalb Kupës së Kosovës. Prishtina mposhti Drenicën me rezultat të pastër 3:0 (2:0).

Fitorja e prishtinasve ka mundur të jetë edhe më e thellë dhe sidomos pas shënimit të dy golave të Januzit që në pjesën e parë (29’, 44’), por po ashtu do të mund të ishte edhe krejtësisht ndryshe sikur Hyseni do të realizonte penalltinë (88’) për Drenicën. Në fund Korenica shënoi për rezultatin përfundimtar – 3:0 (90’).

Rezultat ideal para ndeshjes së kthimit dhe tani skuadra do të përqendrohet në ndeshjet kampionale duke filluara nga e diela e ardhshme kundër Ferizajt në kuadër të javës së 23-të.

Leonit Abazi

Gjysmëfinalja e Digitalb Kupës së Kosovës

Prishtina – Drenica 3-0 (2-0)

Golat: Ahmed Januzi 29’, 44’, Meriton Korenica 90’

Pa shikues

Gjyqtarë: Genc Nuza (Pr), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Mervan Bejtullahu (Gjl)

KV: Sh. Lushtaku, A. Mujkiç, E. Turku, A. Mustafa

Pozita jashtë lojës: Pri 4-0 Dre

Kornerët: Pri 4-5 Dre

Gjuajtjet totale: Pri 16-6 Dre

Gjuajtjet në portë: Pri 7-2 Dre

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi /c/, 5. Diar Miftaraj, 28. Leotrim Bekteshi, 23. Leonit Abazi – 7. Lorik Boshnjaku (4. Tun Bardhoku), 20. Qendrim Zyba (10. Meriton Korenica – 57’), 6. Endrit Krasniqi – 11. Kreshnik Uka (15. Gauthier Mankenda – 74’), 77. Oto John (22. Labinot Ibrahimi – 90’+1), 27. Ahmed Januzi (9. Dhurim Zhuri – 90’+1). Zëvendësues: A. Muqiqi, A. Haliti. Kryetrajner: Armend Dallku.

Drenica: 1. Arion Ymeri – 88. Përparim Osmani, 4. Armin Mujkiç, 21. Edmond Turku, 17. Shkelzen Lushtaku /c/, 6. Arbios Thaçi (14. Argjent Mustafa – 34’), 8. Dijar Mustafa, 77. Qemail Elshani, 11. Genc Hamiti, 27. Hasan Hyseni. Kryetrajner: Gani Sejdiu.

Kreshnik Uka

Komenti:

Sot gjithçka ishte ndryshe e organizuar, me masa të rrepta e me disa rregulla tjera të lojës, si p.sh. u bënë 5 ndërrime nga Prishtina, e lejuar nga UEFA deri në fund të dhjetorit. Futbollistët ishin kohë të gjatë pa zhvilluar ndeshje e prishtinasit kishin pothuajse tre muaj pa shkelur barin e blertë natyral.

Sidomos Prishtina kënaqi n ë pjesën e parë, ndryshe kur u ndal në atë të dytën kur mysafirët bënë presion më të madh.

Por, në fund rezultati është tejet i favorshëm dhe për të kaluar tutje skuadra drenicase duhet të fitoj me mbi 4 gola epërsi.

Ndërsa sa i përket statistikave, duhet theksuar debutimin edhe të një talenti nga Shkolla e futbollit, sulmuesi që premton shumë, që do të bartë numrin 9-të, Dhurim Zhuri që ende nuk ia mbushur 18 vite.

Kurse Ahmed Januzi me dy golat e shënuar ka arritur në shifrën prej 10 golave sezonal (2 në Kupë), kurse Koenica tani udhëheq në Kupë me 3 gola (7 kampional). John ka arritur asistimin e parë sezonal, Thaqi të 7-në (2 për Kupë) dhe Mankenda me 6 (3 në Kupë).

Përndryshe gjatë 90-minutave skuadrën kanë përkrahur edhe “Plisat” nga pllatoja e pallatit të rinisë.

Plisat

Minutë pas minute:

Vetëm pas njëzet sekondave lojë, Abazi harkon rrezikshëm nga e majta dhe qëllon pjesën e epërme të traversës.

7’ Januzi me top të mrekullueshëm e qet John para portës, por portieri shumë i mirë Ymeri ka lëshuar portën dhe largon topin në momentin e fundit.

10’ Abazi harkon nga e majta në të dytën, Zyba gjuan me kokë shumë pranë portës.

Qendrim Zyba

19’ Uka gjuan ballore, kap topin Ymeri.

21’ Kombinime të Boshnjakut e Januzit, në fund John gjuan drejt në portier.

Oto John

22’ Gabon Lushtaku e Uka e pason Johnin e vetmuar me portier të cilin sërish nuk e mposhtë, gjuan drejt në të.

28’ Aksion i gjatë, Januzi e kthen për Krasniqin që gjuan ballore, jashtë.

Ahmed Januzi

29’ John nga e majta harkon ulët para portierit Ymeri e që topin nuk ia del të largoj Mujkiç dhe Ahmed Januzi i vetmuar shënon nga afërsia – 1:0.

Prishtina - Drenica 3-0

42’ Boshnjaku i ndërpritet pasimi e Hyseni shënon gjuajtjen e parë, jashtë portës, për Drenicën.

44’ Superaksion, Uka e vazhdon djathtë te Thaqi e ky e kthen në qendër të zonës ku i pagabueshëm është Ahmed Januzi dhe shënon golin e dytë në ndeshje – 2:0.

Prishtina - Drenica 3-0

49’ Hyseni nga brendësia e zonës gjuan jashtë.

67’ Kundërzbritje, Uka nga e majta harkon, John provon me kokë, por largë.

68’ Bekaj dëbon shkurt, Mëziu e shërben Hamitin nga e majta, gjuan rrezikshëm skaj pingules tjetër.

69’ Korenica fiton top e qet John-in me portier i cili sërish gjuan drejt në të, në ndjekje të topit Januzi ku nga shtylla e djathtë i bllokohet gjuajtja për këndore.

71’ Drenica sërish rrezikon pas këndores duke gjuajtur mbi kuadrat.

75’ Mëziu provon ballore, intervenon Bekaj.

75’ Edhe Elshani provon, Bekaj në vend.

79’ Aksion i mirë i Bardhokut që sot luajti si mesfushor, e shërben Mankenda-n djathtë e ky e kthen te Korenica jashtë zone gjuajtja e të cilit dëbohet nga portieri mysafir dhe sërish në vazhdim të aksionit Korenica e shënjestrën portën nga jashtëzona, por jashtë.

82’ Aksion i mrekullueshëm i Bardhokut, Abazi majtë, Januzi në qendër e ndal për Korenicën e ky e qet Thaqin krejtësisht me portier djathtë, gjuan fortë, por mbi portë.

Armend Thaqi

84’ Krasniqi gjuan ndërprerjen dhe fërfëllon pjesën e epërme të traversës.

88’ Përparim Osmani harkon nga gjuajtja e lirë, Diar Miftarajt i bije topi në dorë dhe gjyqtari autoritativ Nuza gjykon në penallti.

Diar Miftaraj

88’ Hasan Hyseni nga pika e bardhë gjuan jashtë portës.

90’ Januzi bukur e shërben Mankendën djathtë e ky edhe më bukur harkon për Korenicën që me kokë e dërgon topin në rrjetë – 3:0.

Meriton Korenica

90’+2 Korenica e shërben Mankendën majtë, portieri Ymeri e lëshon portën e Mankenda gjuan mbrapa shpinës së tij por merr harkore e del në anën tjetër të fushës.

Deklaruan:

Armend Dallku: Rezultat pozitiv, mirëpo në vend që të ishte pesë apo gjashtë zero, ne rrezikojmë në fund të pësojmë gol nga penalltia. Pavarësisht, një ekip që është pretendent nuk guxon t’i ndodhin lëshime të tilla, sepse ne kishim mundësi për të bërë edhe më tepër gola. Ndërsa në fund na gëzon fakti që shënuam tre herë duke mos pësuar asnjëherë dhe tani kemi më shumë komoditet për ndeshjen e kthimit, mirëpo duke qenë maksimalisht të përqendruar brenda vijave të fushës, sepse ne e duam finalen dhe këtë e kam potencuar edhe më parë. 

Armend Dallku

Ahmed Januzi: Ka qenë lojë shumë e rëndësishme si shartuese dhe duke e respektuar Drenicën. Patëm vështirësi, sepse ne s’kemi luajtur në fushë natyrale që kohë të gjatë, por njëjtë as Drenica, duke stërvitur gjithmonë në sintetikë dhe duke na bërë ngarkesë të jashtëzakonshme. Por, e ç’bllokuam ndeshjen që në pjesën e parë duke e marr iniciativën. Në pjesën e dytë na ra pak ritmi, por megjithatë shkojë mirë dhe jemi të kënaqur me këtë fitore prej tre golave në epërsi. Tani na pret kampionati, ndeshja me Ferizajn dhe gjithçka ndryshon nga ndeshjet e Kupës. Duhet përqendrim maksimal që mos të lëmë pikë dhe të kemi vazhdimësi vetëm për fitore duke mos dashur të nënçmojmë askënd tjetër.

Foto: Gentian Osmani