Lajme

Gjysmëfinalja e Kupës: Prishtina – Vushtrria

Gjysmëfinalja e Kupës: Prishtina – Vushtrria

Prishtina e luan gjysmëfinalen e 9-të pas luftës

Prishtinë, 3 prill 2018 – Prishtina, duelit gjysmëfinal të Digitalb Kupës së Kosovës kundër Vushtrrisë, i hynë pas tre ndeshjeve pa fitore dhe është rast ideal që me këtë përballje të dilet nga minikriza që ka kapluar mëtuesit për titull.

Ndërsa, ish-rivalët e Vushtrrisë të pozicionuar të dytit në Ligën e parë me gjasa reale për t’u inkuadruar në Superligë.

Prishtina i ka vetëm dy mungesa, Osmanin e skuqur në ndeshjen e fundit me Vëllaznimin dhe Miftarajn i cili tani po rikuperohet nga lëndimi.

Ky raund garash zhvillohet me dy ndeshje, ndërsa përballja e kthimit zhvillohet me 18 prill në Vushtrri. Nëse dy ndeshjet përfundojnë pa fitues, zhvillohen vazhdimet 2x15 minuta.

Gjysmëfinalja e Digitalb Kupës – ndeshja e parë

Prishtina – Vushtrria

E mërkurë – 4 prill – ora 14:00

Stadiumi: “Shahin Haxhiislami”, Pejë

L. Maxhuni: Duhet bërë detyrën drejt finales

“Është kjo ndeshje shumë më rëndësi për ne. Po ashtu e vlerësoj kundërshtarin i cili për të ardhur deri në gjysmëfinale ka eliminuar jorastësisht dy ekipe të Superligës. Pra, ne duhet t’i qasemi dhe të jemi të përqendruar maksimalisht në ndeshje. Ne duhet bërë detyrën për të vazhduar drejt qëllimit që kemi përpara, në finale të Kupës”, ka thënë mbrojtësi i djathtë, Lorik Maxhuni.

Statistikat

Për Prishtinën kjo është gjysmëfinalja e 8-të e Kupës pasluftës. Në gjysmëfinale skuadra është eliminuar dy herë, kurse ka edhe 3 Kupa të fituara me 3 finale të humbura. Ndërsa nga viti 1991, Prishtina ka fituar 5-herë Kupën (1993/94, 1994/95, 2005/06, 2012/13 dhe 2015/16).

Ndërsa nga 31 ndeshjet zyrtare me Vushtrrinë, Prishtina ka bilanc absolutisht pozitiv prej 21 fitore 7 barazime e 3 humbje me goldallim +15, 38:12. Por, dy skuadrat për Kupë e kanë vetëm një përballje. Në edicionin 2000/01, në 16 e finales, Prishtina kishte triumfuar në kryeqendër 3:1 (Bashkim Patoku 6’, Jeton Qubreli 81’, Enver Prapashtica 84’ – Veton Munishi 53’).

Prishtina dhe Vushtrria janë takuar së fundi në pranverë të vitit 2016 – kishte triumfuar Prishtina në Vushtrri 3:2. Vushtrria fitoren e fundit e ka në gjashtë ndeshjet e fundit në vjeshtë të edicionit 2014/15 në stadiumin e saj 1:0 (Bashkim Shala 27’). Vushtrria e ka një titull të kampionit në edicionin 2013/14, ndërsa nga Superliga ka rënë në vitin 2016 dhe pas dy vitesh po lufton sërish të ngjitet në elitën e futbollit tonë.

Prishtina për Kupë në këtë edicion ka eliminuar Flamurtarin 3;2, Kosovën e Prishtinës 5:0 dhe Llapin 2:2 (3:2 pen.)
Vushtrria deri në gjysmëfinale ka eliminuar dy anëtarë të Superligës, Lirinë 1:1 (6:5 pen.) dhe Gjilanin 0:1, ndërsa ka mposhtur në raundet më herët edhe Ramiz Sadikun 6:1 e Onixin e Banjës së Pejës 1:0.