Lajme

Gjysmëfinalja e Kupës: Prishtina – Vushtrria 1-0

Gjysmëfinalja e Kupës: Prishtina – Vushtrria 1-0

Golin e vetëm ka shënuar Khalid (19) – ndeshja kthyese pas dy javësh

Pejë, 4 prill 2018 – Prishtina sot pati rastin të vendoste finalen para ndeshjes kthyese, por lëshoi 2-3 raste të qindpërqindta e me gjithë këtë, sërish pamë Prishtinë të plogësht dhe anemike kundër një Vushtrrie me futbollistë me përvojë që u paraqitën në mundësitë e tyre maksimale, të cilëve u takoi plotësisht fillimi i ndeshjes dhe me pak përqendrim edhe mund të shënonin. Megjithatë, vushtrriasit nuk patën asnjë gjuajtje direkte në portë, përveç tre jashtë kuadratit.

Pra, ky rezultat nuk i jep skuadrës qetësi para ndeshjes së kthimit dhe i duhet të jetë maksimalisht e përqendruar në duelin pas dy javësh.

Skuadra të hënën nga ora 14:00 në Xhemajl Ibishi takohen të derbin e kryeqendrës kundër Flamurtarit në kuadër të Javës së XXVI.

Gjysmëfinalja e Digitalb Kupës, ndeshja e parë

Prishtina – Vushtrria 1-0 (0-0)

Golashënues: Basit Abdul Khalid 19’

Shikues: 300

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Jakup Musolli e Edmond Zeqiri (Pd) – Fatmir Tahiri (Mt)

KV: J. Arago, A. Dallku, Sh. Taipi – G. Ahmeti

Pozita jashtë lojës: Pri 2-1 Vush

Kornerët: Pri 11-3 Vush

Gjuajtjet totale: Pri 8-3 Vush

Gjuajtjet në kuadrat: Pri 5-0 Vush

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 3. Jamal Arago – 20. Shqiprim Taipi, 21. Blend Baftiu (7. Lorik Boshnjaku – 68’), 29. Drashko Bozhoviç – 77. Mergim Pefqeli (15. Gauthier Mankenda – 61’), 17. Arbër Hoxha, 9. Basit Abdul Khalid (27. Ahmed Januzi – 84’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Liridon Fetahaj, Mentor Mazrekaj. Kryetrajner: Mirel Josa.

Vushtrria: 26. Burim Sadiku – 16. Etrit Halimi (2. Fetah Ibrahimi – 27’), 99. Amir Prishtina, 19. Ismet Caka, 21. Gazmend Ahmeti, 7. Besart Veseli (4. Argjend Mustafa – 85’), 20. Daut Maxhuni, 8. Bashkim Shala, 18. Daior Zabërxha (22. Taulant Avdyli), 5. Jetmir Topalli, 10. Labinot Osmani /c/. Kryetrajner: Isa Sadriu.

Komenti:

Prishtina edhe kësaj ndeshje, si po thuajse edhe të gjithave të tjerave për Kupë, i hyri me disa ndryshime në formacion, të cilët edhe pse nuk shkëlqyen, patën raste të volitshme, sidomos nëpërmjet Hoxhës, të përfundonin ndeshjen me rezultat më të lartë dhe me më komoditet të udhëtonin në Vushtrri.

Fillimi i pjesës së parë i takoi mysafirëve të cilët me ndihmën e madhe të tifozërisë së tyre, me pak përqendrim mund të shënonin të parët.

Por, kryeqytetasit shënuan nga kërcënimi i parë me golin e Khalid – të tretin sezonal – të dytin për Kupë dhe që nuk kishte shënuar nga ndeshja e parë e pranverës për Kupë me Kosovën e Prishtinës. Ndërsa, me gjithë asistimin e 10-të të Bozhoviç (i 3-ti për Kupë), nuk po shkëlqen ashtu siç jemi mësuar me të.

Pastaj ishte Hoxha që pas pasimit nga Khalid, mund të shënonte kur përball me portierin Sadiku gjuajti drejt në të (32’). Hoxha, i cili po i tregon aftësitë e tij, sot i mungoi vetëm goli kur edhe dy herë tjera në pjesën e dytë lëshoi raste të mira.

Sidoqoftë, me këtë ndeshje asgjë s’ka përfunduar, por tradita e ndeshjeve të mira të zhvilluara të Prishtinës jep qetësi, sepse në Vushtrri përveç tre humbjeve të regjistruara atje (nga 1:0 të tria) ka edhe 6 barazime e 7 fitore dhe kryeqytetasit askund tjetër si mysafir nuk kanë bilanc më të mirë dhe po ashtu rezultati i sotëm prej vetëm një goli epërsi nuk është i rastësishëm, sepse nga 32 takime, 14 prej tyre janë mbyllu po më këtë rezultat

Minutë pas minute: 

2’ Pas këndores nga e majta, më së larti shkëputet Zabërxha dhe rrezikshëm gjuan me kokë afër pingules.

16’ Gjuajtjen e lirë nga e majta, furishëm e gjuan Labinot Osmani, pak mbi tra.

17’ Topalli brenda zonës tenton pasimin në shtyllën e majtë ku për pak vonohet Shala, mbase ishte rasti më i mirë i vushtrriasve dhe tentimi i fundit serioz drejt portës.

19’ Këndoren e majtë e harkon Bozhoviç në shtyllën e parë ku Basit Khalid pas shkëputjes e ngulit në rrjetë – 1:0.

31’ Curri nga pozita ballore prej distancës nga ndërprerja gjuan në këndin e epërm, por portieri Sadiku e prek pak e mbi tra në këndore.

32’ Khalid si me dorë ia pason Hoxhës këmbëshpejtë i cili i ikën mbrojtjes dhe pak nga e majta del përball portierit Sadiku ku edhe gjuan direkt në të. Ishte rast ideal për dyfishim rezultati.

47’ Pefqeli ia vazhdon majtë Hoxhës dhe gjuan ulët, pret portieri Sadiku në shtyllën e parë. Edhe ky ishte rast ideal shënimi.

57’ Vushtrriasit insistojnë në prekje me dorë të Pefqelit, çka realisht s’ishte, por edhe në dy raste tjera tentonin më patjetër, por pa të drejt, të nxirrnin penallti, çka kjo vetëm sa i acaronte pa nevojë tifozët mysafir. 

64’ Aksion i mirë me disa pasime, në fund Baftiu pason për Khalid që më fund e ka pozitën ideale, gjuan nga 18 metra, rrezikshëm dhe pranë pingules së majtë.

67’ Mankenda ia vazhdon majtë Baftiut që depërton deri para zonës e pastaj gjuan, por pa saktë, e lartë.

75’ Bozhoviç e harkon këndoren e djathtë, Dallku gjuan me kokë, por e lehtë për Sadikun.

78’ Edhe një aksion i mirë i nisur nga Arago për Khalid që ia ndal Boshnjakut para zonës dhe që gjuan pak nga e majta aty në këndin e afërt, por pret Sadiku.

84’ Vushtrriasit nëpërmjet Osmanit nga gjuajtja e lirë nga pozitë mjaft e mirë para zonës, provojnë për herë të fundit, por tepër e lartë.

Deklaruan:

Mirel Josa: Me rezultatin jam i kënaqur, dhe jam i kënaqur për faktin që skuadra nuk pësoi gol e që Vushtrria u mundua në disa raste të hynte në zonën tonë. Unë nuk jam i kënaqur në përgjithësi me mesin e fushës i cili duhet jetë më i vendosur dhe sidomos në dyluftimet dhe nisjet përpara. Gjithashtu s’jam i kënaqur me mundësitë që ne i kishim sa i përket dyfishimit të rezultatit, duheshim treguar më të shpejtë, mos të prisnim shumë në konkludim dhe duhej treguar më kombinues me shokët që t’i nxirrnim ata për shënim. 

Isa Sadriu, kryetrajner i Vushtrrisë: Të them të drejtën kemi ardhur për nj rezultat për humbje minimale ose baras. Kështu që ne ia arritëm qëllimit tonë edhe pse Prishtina mundi të mundte edhe me 2:0 e 3:0, por kështu e ka futbolli, sepse edhe na te 0:0 i patëm rastet tona. Kështu që ma merr menja se i dhamë një shpresë të madhe ekipit tonë që pas dy jave edhe Prishtinën të largojmë nga Kupa.