Lajme

Gjysmëfinalja e Kupës: Vushtrria – Prishtina 1-1

Gjysmëfinalja e Kupës: Vushtrria – Prishtina 1-1

Prishtina në finale! Khalid e dërgon në minutën e 99-të të vazhdimeve

Vushtrri, 18 prill 2018 – Luhej minuta e 99-të shtesë, Bashiru nga e majta pason një top të lartë në zonën kundërshtare, një mbrojtës vendas e ndal shkurtë, Mankenda e merr topin, ia shtyn djathtë Januzit i cili para se të mbërrinte te vija fundore e harkon në shtyllën tjetër ku ishte krejtësisht i vetëm Khalid dhe me kokë barazon rezultatin, heshtë stadiumin e zhurmshëm “Ferki Aliu” dhe dërgon skuadrën për herë të 9-të në histori të klubit në finalen e “Digitalb” Kupës së Republikës! Në fakt kishin mbetur edhe 20-minuta tjerë për tu luajtur, por vendasve tani iu duhej epërsia prej dy golave, diçka që ishte e pamundur, sepse lodhja fizike dukej te futbollistët vendas dhe tani më ishin të dorëzuar.

E Prishtina, e cila sot luajti më mirë në pjesën e parë, e rastet i pati në të dytën, duhej të shënonte shumë më herët, por jo që nuk ndodhi kjo, por nga rasti i dytë dhe i fundit në ndeshje, përfituan vendasit me soloaksionin e përkryer të Topallit e pasimit të saktë për ish-futbollistin e kategorive të reja të Prishtinës, Dragusha i cili e harkon ulët në zonë deri ku shkon topi te Daut Maxhuni dhe nga afërsia shokon mysafirët.

Përndryshe, mbi 3.000 shikues, mund të jenë ndarë të kënaqur me paraqitjen e futbollistëve, si me angazhim, por edhe me lojë - 0shpesh herë të rrjedhshme, e me aksione të thurur mirë.

Kështu Prishtina me plotë meritë ka siguruar finalen e Kupës ku do të ndeshet në klasiken e futbollit tonë kundër rivalëve të Vëllaznimit nga Gjakova më 27 maj.

Prishtina e vazhdon e kampionatin të dielën ku nga ora 15:00 në Gjilan ndeshet me Vllazninë e Pozharanit “vendas”.

Gjysmëfinalja e Kupës, ndeshja e dytë:

Vushtrria – Prishtina 1:1 pas vazhdimeve 1:0 (0:0)

Golat: Daut Maxhuni 48’ -  Basit Abdul Khalid 99’

Shikues: 3.000

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe)/Fatmir Tahiri (Mt), Jakup Musolli (Pd), Edmond Zeqiri (Pd)

KV: B. Veliu – P. Osmani

Pozitat jashtë lojës: Vush 0-5 Pri

Kornerët: Vush 5-8 Pri

Gjuajtjet totale: Vush 9-9 Pri

Gjuajtjet në portë: Vush 3-4 Pri

Vushtrria: 26. Burim Sadiku – 16. Etrit Halimi, 23. Amir Prishtina, 19. Ismet Caka, 5. Kujtim Kutllovci /c/, 7. Besart Veseli (22. Taulant Avdyli – 68’), 8. Bashkim Shala (44. Egzon Feka – 76’), 18. Dior Zabërxha, 9. Jetmir Topalli (6. Korab Hasanaj – 101’), 17. Djellon Dragusha. Kryetrajner: Isa Sadriu.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 6. Debatik Curri /c/, 3. Jamal Arago, 13. Abdul Bashiru – 20. Shqiprim Taipi (21. Blend Baftiu – 58’), 7. Lorik Boshnjaku, 29. Drashko Bozhoviç (9. Basit Abdul Khalid – 74’) – 11. Liridon Fetahaj (17. Arbër Hoxha – 53’), 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Lorik Maxhuni, Ergyn Ahmeti. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Prishtina e nisi ndeshjen me atakim drejt portës vendase, por pastaj ua lëshoi terrenin vendasve, të cilët me gjithë mbizotërimin e patën vetëm një rast me anë të Topallit por gjuajtjen e të cilit e priti Bekaj. E ndërsa Prishtina pati raste me Mankendën, Fetahajn që hezitoi të gjuante nga pozitë mjaft e volitshme dhe Januzi një gjuajtje me kokë. Dhe krijohej përshtypja që Prishtina kontrollonte ndeshjen dhe goli nuk do të vononte, çka ndodhi e kundërta dhe mjeshtërisht si ekip e pjekur shënuan vendasit pas aksionit të mrekullueshëm.

Ishte Prishtina pastaj që ndryshoi edhe rreshtim në fushë pas hyrjes së Khalid (74’) dhe luajtur në 4-4-2, ndërsa më parë kishte raste të shkëlqyera me Mankendën e Hoxhën. Por, u deshtë të luheshin vazhdimet që pas aksionet me tre proteza të vinte goli duke u nisur nga Mankenda, asistimit të Januzit dhe realizimit të Khalid.

Prishtina me këtë tregoi pjekuri dhe nga fusha e nxehtë me kundërshtar të supermotivuar nga tifozeria vendase që nuk u ndal së përkrahuri skuadrën deri te barazimi i rezultatit, nuk është pak, aq më shumë duke u bërë fjalë për vetë finalen e Kupës. Dhe, ky është sukses i jashtëzakonshëm që do të duhej të kurorëzohej me trofeun e çmuar të “Digitalb” Kupës së Republikës.

Minutë pas minute:

4’ Shala, ish-futbollisti prishtinas, shtyn topin prapa shpinës së mbrojtjes mysafire, por ishte pak më i shpejtë se Maxhuni dhe Bekaj e evitoi rrezikun.

11’ Maxhuni provoi edhe nga ndërprerja të rrezikonte, por e lartë.

19’ Mankenda vetë e fiton topin afër vijës anësore të djathtë dhe duke kaluar nëpërmjet tre lojtarë vendas arrin deri në zonë nga edhe gjuan, por përpak i pasaktë.

28’ Veseli si me dorë ia vazhdon në zonë Topallit i cili ishte pak nga e djathta përball Bekajt të cilit megjithëse provoi, nuk e mposhti, topi ishte drejtuar aty ku ishte pozicionuar gardiani prishtinas, por rasti ishte i pastër.

29’ Aksion i përkryer i Prishtinës, Boshnjaku ia vazhdon Fetahajt majtë e ky e harkon në shtyllën e parë ku Januzi bukur shkëputet e gjuan, por shumë pak jashtë pingules.

30’ Kombinime të Veselit e Zabërxhes para zonës, ky i fundit nga para zona gjuan, por i pasaktë, por aksioni ishte i mirë.

45’ Mankenda e kalon një futbollist krejtësisht në të djathtë dhe harkon në zonë ku gabojnë vendasit e topi shkon te Fetahaj i cili nuk gjuan as me të parën, as me të dytën, deri sa tani u mbulua dhe tentoi pasimin para zonës por që topi u largua nga vendasit. Ishte edhe ky rast ideal.

48’ Shok për Prishtinën. Topalli diku në 25-30 metra larg portës kalon nëpërmjet Osmanit, Taipit e kalon Currin dhe ia vazhdon majtë Dragushës i cili ia doli përball Aragos të harkonte ulët në zonë ku ndodhej Daut Maxhuni që nga afërsia kurorëzon me gol aksionin e përkryer – 1:0. Festë e madhe e vendasve.

57’ Shala provon gjuajtjen ballore pak nga e djathta, por jashtë.

59’ Bashiru nga e majta me gjysmëvertikale e gjen Januzin e ky e kthen për Baftiun jashtë zone i cili gjuan tepër lartë.

66’ Veseli afër gjyqtarit Tahiri e kap me dy duart nga mbrapa Januzin. E çuditshme dhe e pabesueshme se si e fal gjyqtari me karton me të cilin Veseli do të përjashtohej, sepse e kishte më parë një karton tjetër.

68’ Bozhoviç e ekzekuton ndërprerjen nga e djathta, topi ndalet nga rrëmuja para këmbëve të Mankendës jo më larg se 10 metra i cili gjuan direkte me të parën dhe çka pret portieri Sadiku e pabesueshme duke shpëtuar gol të sigurt.

73’ Aksion i Osmanit i vazhduar te Januzi e ky djathtë te Mankenda i cili e kroson ulët te Hoxha para portës gjuajtjen e të cilit në momentin e fundit e devijon një futbollist vendas, se përndryshe do të përfundonte mbase në rrjetë, por sërish gjyqtarët gabojnë e nuk japin as këndore.

75’ Zabërxha fuqishëm e godet topin jashtë zonës, por jashtë.

77’ Boshnjaku vetë e vjedh një top nga e majta bri zonës dhe vetë e përfundon me gjuajtje, por e ulët dhe e pafuqishme, e kap portieri Sadiku.

86’ Khalid nga ballorja e vazhdon djathtë te Mankenda që futet më në qendër e provon me të majtën, por jo aq e fortë, kap portieri Sadiku.

91’ Avdyli gjuan rreptë nga e djathta, Bekaj bukur intervenon e dëbon në këndore.

92’ Edhe Topalli pas harkimit të këndores provon, por jashtë.

99’ Bashiru nga e majta pason një top të lartë në zonën kundërshtare, një mbrojtës vendas e ndal shkurtë, Mankenda e merr topin, ia shtyn djathtë Januzit i cili para se të mbërrinte te vija fundore e harkon në shtyllën tjetër ku ishte krejtësisht i vetëm Khalid dhe me kokë barazon rezultatin – 1:1.

100’ Khalid u gjend sërish në pozitë ballore përball portierit, por tani gjuan keq pranë pingules së majtë.

106’ Zabërxha me gjuajtje ballore, jashtë.

117’ Hoxha provon gjuajtjen nga e majta, e kap portieri Sadiku.

Deklaruan:

Mirel Josa: Ne në ndeshjen e parë duhej të ishim shumë të kujdesshëm që të mbyllnim më pas rezultatin duke e pasur parasysh rastet të cilat i kishim, por megjithatë këtu nuk duhet të nënvlerësoj skuadrën e Vushtrrisë e cila luajti një futboll ballë për ballë me ne. Ne duhej të ishim, sa i përket ndeshjes së sotme, sepse një gol i ndeshjes së sotme do të na qetësonte shumë më shpejtë. Mund të them se skuadra u përgjigj mirë deri në njëfarë mase. T’i lemi tash këtë ndeshje, kjo ndeshje kaloi dhe nuk duhet të shkojmë shumë se çfarë bëmë deri tashti, problemi është se në çfarë gjendje kemi deri tashti dhe në çfarë gjendje do të shfaqemi në ndeshjet e ardhshme. Sepse, ndeshjet janë shumë të ngjeshura sa i përket ndeshjes që kemi me Vllazninë e Pozharanit e cila është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Asnjë lloj komenti nuk kam për finalen me Vëllaznimin, sepse çdo skuadër që del në finale e meriton që ka dalë deri në finale. Në finale nuk ka favorit. E kemi parasysh se nuk duhet të kapem me skuadrën e Vëllaznimit e cila është një skuadër e riorganizuar mirë, e cila luan futboll mirë, megjithatë do të shohim deri atëherë ka kohë deri sa të shkojmë në finalen e 27 majit. Kemi kampionatin, varet edhe nga gjendja psikologjike dhe nga renditja që skuadra ka përfunduar dhe nuk do të thotë që kanë dal dy skuadra, që për mua nuk ndryshojnë shumë në nivel dhe që duhet të fitoj skuadra që është favorite. Nuk ka favorit në finale.   

Basit Abdul Khalid: Falënderoj Zotin. Falënderoj bashkëlojtarët për shpirtin e bashkuar, gjë që na mundësoi finalen. Puna ekipore po i jep frytet e saj. Finalja me Vëllaznimin do të jetë e vështirë, por vetëm të bashkuar mund të fitojmë trofeun.

Isa Sadriu: Ne kemi pasur raste edhe në ndeshjen e parë në 20-minutat e parë deri sa nuk pësuam gol duke qenë shumë më të mirë se Prishtina kështu që ne hymë në këtë ndeshjen e dytë me disavantazh 1:0 dhe me mençuri ditëm të menaxhojmë që mos të pësojmë gol, por eventualisht të bënim rastin për gol, çka e bëmë shumë me kohë, por aq pat fuqi ky ekip që të jepte edhe një tjetër apo mos të pranonte gol gjatë vazhdimeve. Ky ekip dha maksimumin dhe ma merr menja që s’do të ishte befasi të shkonte në finale, sepse e patë edhe vetë që Prishtina nuk ishte në aq nivel të lartë se ne që ta meritonte bindshëm të shkon në finale, por kështu e ka futbollit dhe Prishtinës i uroj sukses në finale. Neve na mbetët të luftojmë për Superligë, sepse me këtë publik që edhe Prishtina nuk ka pasur rast në Superligë të luaj para kësi lloj shikueshmërie siç është Vushtrria dhe Superligës i duhet një spektakël si ky sot.