Lajme

Inter d’Escaldes, kundërshtari ynë i finales

Inter d’Escaldes, kundërshtari ynë i finales

Viti i tyre i dytë rresht në Evropë

Tiranë, 23 qershor, 2021 - Kundërshtari i Prishtinës në finalen e preliminares të “Champions”, Inter -është klub relativisht i ri i themeluar para 30 vitesh më 1991. Kjo skuadër vije prej njërit prej shtatë rajoneve të shtetit të vogël të Andorrës, Escaldes-Engordany. Kjo provincë e Andorrës e cila është e shtrirë pak a shumë nën ndikimin e katalun-folës së Spanjës, ka më pak se 15.000 banorë.

Skuadra e Inter është shpallur për herë të dytë rresht kampione, kurse ka edhe një Kupë të Andorrës. Ishte pjesëmarrëse e rregullt e elitës së futbollit të Andorrës që nga themelimi i saj më 1995. Në vitin 2015 kishin rënë në rang më të ulët garash për t’u rikthyer sërish pas dy vitesh mungesë më 2017.

Në Evropë kanë tre paraqitje gjithsejtë. Vitin e kaluar ishin eliminuar nga Drita në gjysmëfinale të raundit preliminar të Ligës së Kampionëve, ndeshje kjo e zhvilluar në Zvicër, 2-1, kurse golin e parë e kishte shënuar, tani futbollisti ynë, Xhevdet Shabani.

Inter kishte pësuar humbje edhe në ndeshjen e raundit të dytë të UEFA League kundrejt kampionit të Irlandës, Dundalk - 0:1 - skuadër kjo që kishte arritur deri në grupet e Europa League.

Në paraqitjen e tyre të tretë, dje në Durrës mposhtën skuadrën e favorizuar, kampionët e Ishujve Faroe, HB Torshavn, 1:0 me golin e realizuar nga Betriu (61’).

Në sajtin e specializuar për vlerën e futbollistëve, transfermarkt, Inter vlen afër 2 milion euro, ndryshe nga Prishtina me afër 4 milion euro.

Përballja ndërmjet dy skuadrave zhvillohet të premten në “Elbasan Arena” nga ora 20.