Lajme

Intervistë ndryshe

Intervistë ndryshe

Flet kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi

Prishtine, 1 janar, 2018 - FC Prishtina e mbylli një vit historik, i cili mund të konsiderohet kështu falë pjesëmarrjes së parë në garat evropiane, shkruan zeri.info në intervistën e numrit festiv të Vitit të Ri.

Kryetari Remzi Ejupi nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq pasi synon që Bardhekaltrit t’i dërgojë në Evropë edhe sezonin e ardhshëm.

Kreu i klubit më të madh në vend, në intervistë për numrin festiv të “Zërit”, premton se klubin do ta ngrejë lart e më lart, ndërkohë që ua hap derën edhe aksionarëve të rinj që janë të interesuar të futen në klub.

Flet edhe për krijimin e kushteve sa më të volitshme për futbollistët e huaj, si dhe për zgjedhjet lokale të tetorit.

Mirëpo ky vit nuk ishte gjithçka bardhë për klubin.

Ejupi tregon edhe vështirësitë nëpër të cilat po përballen prishtinasit, mbi të gjitha në aspektin infrastrukturor pasi qe dy vjet janë jashtë shtëpisë së tyre.

Megjithatë, premton se do ta ftojë një skuadër të njohur evropiane në rihapje të stadiumit të qytetit.

Zëri: Si ka qenë viti 2017 për FC Prishtinën?
Ejupi:
Viti 2017 nuk ka qenë një vit i lehtë për klubin e Prishtinës për arsye se ne jemi momentalisht duke i zhvilluar stërvitjet dhe ndeshjet pothuajse jashtë Prishtinës. Kuptohet që futbolli luhet për shikues, shikuesit nuk i kemi për arsye se stadiumi i Prishtinës është në renovim. Gjithashtu nuk i kemi ato fushat stërvitore, pasi ato gjenden jashtë Prishtinës. Kështu që, është një vit mjaft i vështirë. Ndërkohë, është mirë që kemi dalë jashtë, e kemi provuar se ku jemi dhe se çka duhet të përmirësohet dhe se çka duhet të ndryshohet. Besoj se viti 2018 do ta ketë shumë më shumë angazhimin tonë, i cili na shtyn të kemi suksese dhe zhvillim më të mirë të futbollit kosovar.

Zëri: Jeni përsëri në garë për titull. Pas pjesëmarrjes në Europa League a janë rritur apetitet e klubit që të synoni ndoshta më lart këtë sezon?
Ejupi:
Natyrisht, synimet e Prishtinës kanë qenë, janë dhe do të jenë titujt, pra që të bëhemi kampionë. Jemi pretendues që prapë aty ku duhet, ku e ka vendin Prishtina. Besoj se jemi duke e bërë një investim të duhur, duke filluar me ndryshimet. Por këtu ndikon shumë infrastruktura. Megjithatë, në të ardhmen presim se do të kemi shumë talente të rinj, që tashmë janë në Prishtinë dhe në një të ardhme të shkurtër Prishtina ta ketë një shpërthim.


Zëri: A ju kanë kushtuar shumë financiarisht udhëtimet e shumta, për shkak të mungesës së stadiumit?
Ejupi
: Kostoja është trefishuar. Gjithashtu kemi humbur shumë të rinj, pasi kërkesa e tyre është shumë e madhe që t’i bashkohen klubit të Prishtinës. Nuk kemi mundësi, nuk kemi hapësirë pasi nuk duam t’i maltretojmë duke ushtruar herë këtu e herë aty. Është dashur që Kuvendi Komunal më shumë të ketë kujdes për klubin e Prishtinës, jo vetëm për futbollin, por edhe për sportet e tjera të ketë një angazhim shumë më të madh dhe ta marrë punën shumë më seriozisht që të bëjë shumë më shumë rreth infrastrukturës. Prishtina është kryeqytet dhe ka kërkesa shumë më të mëdha sesa vendet tjera. Ne çalojmë në këtë drejtim dhe kjo po na kushton në çdo aspekt, transporti, siguria, ndryshimi i fushave, ndryshimi i stërvitjeve, i organizimeve të lojës. Po bëhet viti i dytë dhe askush nuk na përgjigjet. Nganjëherë edhe me pagesë e kemi problem të gjejmë fusha për përgatitje.


Zëri: Periudha e renovimit të stadiumit është stërzgjatur. A e dini se kur do të ktheheni në “shtëpinë” tuaj”?
Ejupi:
Unë besoj shumë që stadiumi në shkurt kur të fillojë stinori pranveror do të jetë i gatshëm dhe pse të mos fillojmë të paktën t’i zhvillojmë ndeshjet aty, pasi u kemi ngelur borxh tifozëve të Prishtinës, të cilët vërtet e duan klubin dhe kanë bërë sakrifica të mëdha për ta përcjellë klubin kudo që kemi shkuar. Është momenti i fundit që të kthehemi sa më shpejt të jetë e mundur në stadium.


Zëri: A ka gjasa që ta bëni një organizim më të veçantë për rihapjen e stadiumit të qytetit?
Ejupi:
Ne i kemi 3-4 oferta, kemi nga Zvicra, nga Gjermani, nga Belgjika, por edhe nga Italia. Besoj se do ta kemi një klub, besoj të nivelit të lartë, për ta bërë rihapjen e stadiumit. Besoj se do të organizohet një ndeshje e mirë.


Zëri: Jeni klubi që shpenzoni më së shumti në Kosovë. Duket se ju nuk ndaleni me kaq pasi ju krijoni kushte “ekstra” futbollistëve, duke i vënë në shërbim të tyre edhe veturat tuaja?
Ejupi:
Shqiptarët e Kosovës shquhen për mikpritës dhe ne të paktën mundësitë minimale që i kemi mundohemi ta bëjmë një gjë të tillë, duke e pasur parasysh se dihet se çfarë kushte kanë futbollistët që vijnë dhe luajnë në Kosovë. Andaj, jemi munduar që këta lojtarët të cilët janë nga jashtë ta ndiejnë veten pak më të respektuar, pasi ne nuk mund t’ua ofrojmë ato që ua ofrojnë klubet e mëdha. Por besoj që në një të ardhme do ta kenë respektin, jo vetëm lojtarët e huaj, por të gjithë ata që do të jenë në klub që të kenë kushte më të mira.


Zëri: Dihet që Kosova është në krizë ekonomike. A e keni vështirë të gjeni para për t’i mbuluar shpenzimet e klubit?
Ejupi:
Së pari do të doja t’i falënderoj të gjithë ata që janë aksionarë në Prishtinë, vërtet nga zemra, për arsye se kanë pasur durim dhe nuk është e lehtë, pasi që nga viti 2004 janë aty. Tash po hyjmë në vitin 2018 dhe për çdo muaj, për çdo vit, shumica e tyre kanë qenë të gatshëm pa kurrfarë interesi kanë kontribuuar shumë. Unë nuk pres nga ta që të dalin nga lëkura apo t’i shesin shtëpitë që ta mbajnë futbollin. Por, kam respekt shumë të madh, sidomos për ata që nuk përtojnë dhe angazhohen. Edhe për ata punëtorët, të cilët kanë pasur durim dhe kanë pritur, pasi kemi pasur edhe ditë të mira, edhe të vështira ku ndonjëherë është dashur të prisnin nga 2-3 muaj që të paguhen pasi ndonjëherë kemi çaluar. Por kohëve të fundit jemi stabilizuar, kemi pasur disa shitje të lojtarëve, kemi pasur të hyra edhe nga dalja apo nga pjesëmarrja në Europa League. Po ashtu, pak edhe me marketing nga kompanitë e ndryshme që kanë ndihmuar.
Por, po them, ka ende hapësirë për t’u përmirësuar dhe presim që me përfundimin e stadiumit do të ndryshojë çdo gjë, do të ketë sponsorë më shumë, njerëz të angazhuar më shumë dhe klubi i Prishtinës do të jetë i hapur, shumë transparent që në të ardhmen të ketë edhe më shumë aksionarë për arsye se ka prej tyre që janë lodhur dhe që nuk mund të na përcjellin. Por, klubi duhet ta vazhdojë rrugëtimin pa marrë parasysh a jam sot unë, apo dikush tjetër nesër. Ne e kemi një përgjegjësi shumë të madhe ndaj qytetarëve të Prishtinës për arsye se klubi është i kryeqytetit, një klub që ka histori dhe besoj se në të ardhmen klubi i Prishtinës të ketë vetëm rezultate të mira.

Zëri: Dihet që një pjesë e mirë e klubeve sportive janë në krizë financiare. A mendoni se Ligji për Sponsorizim do të ishte shpëtim për sportin dhe se është e nevojshme të vihet në funksion sa më shpejt?
Ejupi:
Jo vetëm klubet, por i gjithë sporti është në krizë. Është bërë shumë pak për sportin. Nuk shoh akoma që ka ndonjë koncept, vizion apo ide se çka do të bëhet me sportin dhe se si të ecet më tutje, duke e pasur parasysh se këto janë të lidhura. Është ekonomia, e cila është në një gjendje jo të mirë dhe kur ajo nuk është në gjendje të mirë, ka shumë pak kohë që shoqëria të angazhohet më shumë për sportin. Sporti do angazhim, pak durim, kohë dhe mendoj që në të ardhmen duhen shumë ndryshime dhe shumë më shumë përkrahje. Sa i përket Ligjit për Sponsorizim, pas 18 vjetësh pothuajse u bë një ndryshim, edhe ai ndryshim me të meta.
Por, sa ka interesim prej kompanive që t’i bashkëngjiten sportit, për arsye se disa e shohin sportin që mund të jetojnë prej tij, që të pasurohen nga ai. Dhe, njerëzit që sillen rreth sportit duhet të jenë njerëz që mundohen t’i japin sportit, por jo ata që mundohen ta vjelin sportin. Kështu që, edhe Ligji për Sponsorizim në të ardhmen ndoshta do të ketë ndikim shumë më të madh edhe të kompanive që do të angazhohen në sport, pasi është mirë që sporti të bëhet sa më atraktiv. Ai që jep diçka pret që të shpërblehet me anë të marketingut, pasi është një hapësirë e madhe për ta ndihmuar rininë kosovare, në këtë rast ata që merren me sport. Në ditët e sotme nga sporti edhe mund të përfitojnë.

Zëri: Një pjesë e madhe e sportistëve janë të dëshpëruar me gjendjen e sportit në vend. A ka shpresë për ta që një ditë të buzëqeshin?
Ejupi:
Unë do t’i falënderoja shumë ata që kanë kontribuuar deri më tash për sportin. Është një gjeneratë e artë, prej viteve të 90-ta që kanë sakrifikuar, duke përfshirë këtu lojtarët, trajnerët. E kanë humbur karrierën, kanë rezistuar ndaj atij sistemi dhe kanë dhënë shumë. Ata janë më meritorët për sot ku është sporti, për arsye se edhe ata kanë pasur dëshirë të dalin dhe të jenë diku tjetër. Por ia kanë dhuruar këtij vendi më të shtrenjtën, kohën, një jetë të tërë. Të gjitha gjeneratat, futbollistët, trajnerët dhe administratorët, të cilët janë marrë me sportin.
Ne kemi jetuar jashtë, e kemi pasur një jetë më ndryshe, edhe pse kohë pas kohë jemi munduar të ndihmojmë prej atje. Por, ata e kanë pasur më vështirë, pasi është dashur të fshihen nga policia për të mos zhvilluar ndeshje. Për këtë ne ata nuk duhet asnjëherë t’i harrojmë për arsye se është një sakrificë e madhe, duke menduar se do të zgjaste një vit apo dy, por ka zgjatur shumë. Dhe, ato pasoja po i ndiejmë edhe sot e kësaj dite. Andaj, mungon infrastruktura dhe shumë gjëra. Kam respekt shumë të madh për gjeneratat që kanë bërë shumë për sportin kosovar.

Zëri: Cila është këshilla juaj për Federatën e Futbollit për vitin 2018?
Ejupi:
Këshilla ime do të ishte që ajo të jetë sa më afër klubeve, për arsye se klubet kanë qenë dikur afër Federatës dhe e kanë ndihmuar atë shumë. Ajo është pjesë e futbollit dhe mendoj se duhet të jenë më të përkushtuar rreth organizimit të ligës, të ketë kritere dhe standarde që duhet të jenë të barabarta për të gjitha ekipet dhe besoj se në të ardhmen në Federatë të ketë sa më shumë njerëz të sportit, njerëz që vërtet e duan futbollin e jo vetëm interesin personal. Njerëz të cilët kanë ide kanë koncept për të bërë ndryshime në aspektin sportiv dhe në atë organizativ. Vetëm në këtë mënyrë mund të ecë futbolli përpara.


Zëri: Ndërkohë, FFK-ja është në kërkim të trajnerit të ri të Përfaqësueses. A mendoni se do të ishte më mirë të angazhohet një trajner vendor apo i huaj?
Ejupi:
Pse jo edhe vendor. Ne nuk pretendojmë të arrijmë në majat e futbollit botëror ku të gjithë kemi qejf. Por duhet të ecim me këmbët në tokë, për arsye se ne nuk duhet të kemi lojtarë të nivelit të mjaftueshëm, që është dashur ta kemi në Përfaqësuese. Por, duhet t’ju jepet hapësirë, ta kenë ndjenjën e pjesëmarrjes. Nuk mund të varemi gjithmonë nga lojtarët që vijnë nga jashtë. Mendoj se lojtarët vendorë po injorohen dhe po mbesin anash. Ndoshta do të ishte mirë një miks (përzierje), pasi nuk është vetëm një trajner, por një staf, i cili do ta ndihmonte trajnerin. Besoj se ndoshta më shumë do të duhej të merremi me edukimin e trajnerëve tanë. Po ashtu edhe rreth nxjerrjes së lojtarëve, gjeneratave të reja. Futbolli nuk është sot për nesër. Ne duhet të punojmë sot për katër vjetët e ardhshëm.


Zëri: Si e komentoni zhvendosjen e lokacionit të stadiumit nacional nga Bërnica në Drenas?
Ejupi: Unë nuk e marr fort tragjike, pasi është më shumë ndoshta çështje politike. Sikur të ishte stadiumi me rrota që ta lëvizim çdoherë, që ta shëtisim në secilën pjesë të vendit. Edhe ky lokacion është në Kosovë, nuk është larg Prishtinës. Por, megjithatë unë mendoj se sado që të bëhen stadiume prapë Përfaqësuesja do të kthehet dhe do të luajë në Prishtinë, për arsye se njerëzit sot preferojnë se ku është më lehtë për të ardhur deri te stadiumi. Duhet ta analizojmë se sa është kostoja e atij stadiumi, sa është kamata e kredisë, çka kemi prioritet. Stadiumi i Prishtinës, por edhe ai i Mitrovicës, do të mjaftojnë për një kohë të gjatë. Shumë më shumë kemi nevojë dhe çalojmë të gjitha qytetet e Kosovës që ta kemi nga një qendër stërvitore përgatitëse. Ky i Prishtinës besoj se do të na kryejë punë shumë si për Përfaqësuesen, për ndeshjet e Prishtinës, por edhe për klubet tjera kosovare që luajnë ndeshje ndërkombëtare.


Zëri: Në zgjedhjet lokale të tetorit pati polemika rreth preferencave tua për kryetarin e Prishtinës. Çka mund të na thoni për këtë?
Ejupi: Ne nuk jemi me asnjë anë, por jemi me të gjithë. Klubi i Prishtinës është ai që është dhe kushdo që vjen dhe troket në derë ne do ta mirëpresim. Natyrisht që politika kërkon vota gjithandej dhe pretendon edhe te sporti. Ai që na ka trokitur në derë e kemi mirëpritur dhe do ta mirëpresim çdoherë. Prishtina është e të gjithë qytetarëve të Prishtinës e jo vetëm jona që jemi aty të angazhuar. Nuk kemi ndonjë pretendim që do të jemi të majtë apo të djathtë. Jemi të gjithë të qytetit, pasi është një qytet i vogël dhe mendoj se nuk duhet ta politizojmë sportin. Me shaka e kam thënë se ngjyrat nuk mund t’ia ndërrojmë klubit pasi secila parti që vjen në çdo fushatë do të duhej t’i ndryshonim ngjyrat. Prishtina mbetet ajo që është, që ka qenë dikur, që është dhe që do të jetë pa marrë parasysh se kryetarët e komunave dhe të klubit mund të shkojnë, klubi do të jetë ai që ka qenë gjithherë.


Kush është Remzi Ejupi?!

Remzi Ejupi tashmë është njëri prej investitorëve më të vjetër dhe ndër më të mëdhenjtë në futbollin kosovar, sport ky që ka nevojë të jashtëzakonshme për më shumë sponsorë. Biznesmeni i njohur dhe i suksesshëm kosovar qe shumë vite e drejton klubin më të madh të Kosovës. Nën izolim të plotë e kishte shumë të vështirë, kurse tani anëtarësimi i Kosovës në UEFA e FIFA i ka hap rrugë që t’i shtyjë përpara idetë e tij në favor të klubit bardh e kaltër dhe futbollit në përgjithësi. /Zëri/