Lajme

Java e II: Trepça ’89 – Prishtina

Java e II: Trepça ’89 – Prishtina

Takohen kampioni dhe nënkampioni i edicionit të parafundit

Lorik Boshnjaku - Argjend Mustafa

Prishtinë, 25 gusht 2018 – Për Prishtinën, pas shtyrjes së ndeshjes me Gjilanin, nesër fillon edicioni i ri me javën e dytë kundër rivalëve tradicional të Trepçës ’89. Dy skuadrat, edicionin e parafundit kishin përfunduar në dy pozitat e para. As në edicionin e fundit rivaliteti nuk mungoi, por ishte Prishtina e pamposhtur nga tre përballjet, me dy fitore me 2:0 në “Riza Lushta” e “Shahin Haxhiislami” dhe një barazim pa gola po në Pejë.

Përndryshe do të jetë kjo përballja e 50-të jubilare e ndeshjeve zyrtare pas luftës dhe do të jetë po ashtu e veçantë përshkak pensionimit të kapitenit të skuadrës “minatore”, Shpëtim Idrizi.

Prishtina përveç që nga 4 ndeshje e fundit ka 3 fitore e 1 barazim, nga 49 ndeshje ka arritur 23 fitore, 9 barazime dhe 17 humbje me goldallim +24, 64:42. Ndërsa nga 23 ndeshjet e zhvilluara në “Riza Lushta”, “minatorët” kanë 13 fitore, 5 barazime dhe 5 fitore të Prishtinës me goldallim + 7, 27:20.

Prishtinës në këtë ndeshje do t’i mungojë vetëm kapiteni Dallku që po e vuan dënimin e shqiptuar prej 4 ndeshjes nga përballja me Dritën në edicionin e kaluar.

Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në Supersport Kosova nga ora 16:45.

Java II

Trepça ’89 – Prishtina

E diel, 26 gusht – ora: 16.45

Stadiumi: “Riza Lushta”, Mitrovicë

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Besnik Morina (Vu), Elvis Bicaj (Is) - Shpëtim Murtezi.

Mirel Josa

M. Josa: Ndeshje e vështirë, do ta përcaktojnë detajet në momente të caktuara

“Nuk ka rëndësi shumë që e njoh trajnerin, unë personalisht nuk kam dëshirë të bëhem protagonist në këtë lloj ndeshjesh. Thjesht më pëlqen që të bëhem protagonist në drejtimin e një skuadre, ajo që i duhet një trajneri. Por, normal që është një ndeshje e vështirë. Është  një ndeshje që luhet në fushën kundërshtare, siç është ajo e Trepçës ’89 – fushë që nuk më pëlqen vetëm mua, sepse t’i krijon kushtet optimale për të luajtur futboll. E pamë ekipin e Trepçës ’89 se çfarë ndryshimi solli nga 45 minutat e parë në ato të dytat, pra kjo është pozitive për ta me Feronikelin. Por, ne do të shohim problemet tona, ne do të shohim mbarëvajtjen tonë si skuadër dhe them që ndeshja me Gjilanin nuk na bëri mirë që nuk u zhvillua. Nuk ishte e mirë për ne, sepse fundja e fundit do të luanim në pozita të barabarta në këto momente që të gjitha skuadrat kanë bërë nga një ndeshje. Unë them që ndeshja do të përcaktohet nga detajet e ndryshme dhe varet se si ku do t’i interpretoj fazat e lojës në momentet e caktuara dhe ajo skuadër do ta fitoj ndeshjen”, ka thënë para ndeshjes, kryetrajneri Josa.   

V. Bekaj: Kundërshtar i fortë, motiv për ne – pres me fitore të nisim kampionatin

“Edhe pse e nisim kampionatin me një javë vonesë, vlerësoj se e kemi atmosferën e mirë në skuadër, për mos të thënë shumë të mirë. Kundërshtari është i fortë dhe na jep motiv të mjaftueshëm për paraqitje tonë maksimalisht angazhuese. Pret pa dyshim me cilësinë dhe potencialin që kemi të nisim kampionatin me fitore. Shpresojë në atmosferë të bukur sportive, si për ne, po ashtu edhe për publikun”, ka thënë portieri dhe kapiteni i skuadrës, Visar Bekaj.

Visar Bekaj