Lajme

Java e II: Trepça ’89 – Prishtina 0-2

Java e II: Trepça ’89 – Prishtina 0-2

Fitoren e merituar të Prishtinës sollën golat e Mankendës (22’) e Boshnjakut (90+4’)

Gauthier Mankenda

Mitrovicë, 26 gusht 2018 – Prishtina edhe më parë ka fituar e ka luajtur mirë kundër rivalëve mitrovicas në fushën e saj, por si sot nuk mbahet mend. Prishtina e dominoi kundërshtarin në çdo aspekt të mundshëm dhe vetëm pasaktësia e madhe para portës bëri që fitorja mos të ishte shumë më e thellë. Shenjat e kësaj loje skuadra i kishte dhënë që në Superkupë, por sot nuk lejoi gabime, sidomos në mbrojtjen e saj të çeliktë.

Jamal Arago

Derbi i moçëm mblodhi afër 2.000 shikues ku panë ndeshje jashtëzakonisht interesante dhe kuptohet më të kënaqur ishin ata të Prishtinës që në mesin e publikut sot pati shumë.

Prishtina me këtë fitore ka vazhduar serinë prej 10 ndeshjeve kampionale rresht pa humbje. Në javën e tretë skuadra ndeshet në stadiumin e qytetit kundër Drenicës në fundjavë, ndërsa orari caktohet ditëve në vazhdim.

Java II

Trepça ’89 – Prishtina 0:2 (0:1)

Golat: Gauthier Mankenda 23’, Lorik Boshnjaku 90+4’

Shikues: 2.000

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Besnik Morina (Vu), Elvis Bicaj (Is) – Shpetim Murtezi (Gjl)

KV: Y. Maloku, E. Basri, M. Shosha – Mustafa, Korenica, D. Miftaraj, G. Mankenda, A. Bashiru, Boshnjaku

KK: Y. Maloku (2KV min. 77’)

Pozita jashtë lojës: T89 2-1 Pri

Kornerë: T89 4-6 Pri

Gjuajtjet totale: T89 8-13 Pri

Gjuajtjet në portë: T89 3-8 Pri

Trepça ’89: 20. Victor Hugo Golas – 21. Arbër Pirra, 18. Dardan Çerkini (19. Martin Mirçevski – 46’), 5. Elton Basri, 6. Maringlen Shosha, 15. Muharrem Jashari, 10. Ylber Maloku /c/, 8. Orgest Gava, 29. Renato Hyshmeri (30. Stojanço Velinov – 73’), 11. Gëzim Rusi, 25. Antonio Bujçevski (14. Arb Manaj – 62’). Kryetrajner: Gugash Magani.

Prishtina (4-4-3): 12. Visar Bekaj /c/ - 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 8. Ahmet Haliti, 13. Abdul Bashiru – 21. Argjend Mustafa, 18. Ergyn Ahmeti (7. Lorik Boshnjaku – 82’), 10. Meriton Korenica – 3. Jamal Arago (5. Diar Miftaraj – 62’), 15. Gauthier Mankenda, 19. Alen Jasharoski (8. Abdul Basit Khalid – 72’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Agon Xhaka, Arbër Hoxha. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti:

Prishtina nga 5 ndeshjet e fundit në tre prej tyre e ka mposhtur Trepçën ’89 me rezultat identik 2:0. Por, me fitoren e sot ka shkëlqyer edhe me lojën e treguar dhe me krijimin e një mori rastesh e që disa u humbën edhe në mënyrë të pabesueshme.

Prishtina ishte plotësisht dominuese në pjesën e parë, ndërsa vendasit të dytën, por u hapën edhe më shumë dhe rastet e Prishtina me kundërzbritje të shpejta nuk numëroheshin duke u krijuar raste vetëm me portier e kur disa i priste ai, e disa nuk qëllohej porta.

Ahmet Haliti

E rëndësishme që u fituan tre pikë, u vazhdua me lojën e mirë dhe kjo i jep siguri skuadrës për vazhdim të garave dhe që me ndeshjen me Drenicën.

Përndryshe, Mankenda me golin e tij ka arritur në shifrën prej 21 golave zyrtar dhe tani vetëm Khalid ka shënuar më shumë nga futbollistët aktiv - 22, kurse Boshnjaku ka arritur në 3 gola.

Argjend Mustafa

Minutë pas minute:

16’ Jashari gjuan fortë nga e majta, megjithëse bllokohet, e rrezikshme, por intervenon Bekaj.

18’ Presion i madh i Prishtinës, ka minuta që insiston dhe organizon disa aksione, por tani është hera e parë që goditet porta, e bënë Mankenda nga jashtëzona, por me fat e ndal portieri brazilian.

23’ Mankenda pranon top në mesfushë nga e djathta i ikën mbrojtësit të majtë futet në zonë, provon kromimin, topit nuk i duhet shumë devijohet paska nga një futbollist vendas dhe futet në rrjetë. Por, meritat absolute i pati vetëm Mankenda për solo-aksionin e tij – 0:1.

Gauthier Mankenda FC PRISHTINA

30’ Mankenda provon sërish ballore nga distanca, por e plogësht dhe jashtë.

30’ Nuk ndalet Prishtina, merr topin në gjysmëfushë, pasime të Mankendës e Jasharoskit dhe Korenica del pothuajse me portier nga e djathta, gjuan fortë, por rrjeta e jashtme.

Meriton Korenica

32’ Bujçevski provon gjuajtjen direkte, në vend Bekaj.

35’ Thaqi e harkon këndoren e djathtë, Bekteshi fluturon lartë dhe furishëm gjuan me kokë, pak mbi tra.

Leotrim Bekteshi

36’ Mankenda vetë fiton top në gjysmëfushë, avancon deri te para zona meqërast me lëvizje Korenica ia liron rrugën, mund të provonte të gjente në anën e majtë Aragon, por gjuan ballore të ulët dhe portieri e pret dhe kap topin.

Gauthier Mankenda

41’ Haliti provon pasimin në mesfushë, ia ndërprenë më shpejtë vendasit Mustafës dhe topi vije deri te Jashari që nga pozita ballore gjuan rrëmbyeshëm, por pak e lartë.

Armend Thaqi

44’ Aksion i jashtëzakonshëm i nisur nga zona, në fund Thaqi nga e djathta provon harkimin për Ahmetin para portës, gjuan me kokë, intervenon portieri e nga topi i dëbuar tenton sërish Ahmeti me kthim të gjuaj, por pak e lartë.

Ergyn Ahmeti

Ergyn Ahmeti

Ergyn Ahmeti

59’ Mirçevski nga e majta gjuan nga ndërprerja, rrezikshëm skaj pingules.

60’ Mustafa me diagonale e gjen majtë Aragon, ky e kthen mbrapa te Bashiru që harkon me të parën në zonë dhe pak nga e djathta Jasharoski gjuan rrëmbyeshëm me të parën, topi devijohet paksa e skaj portës në këndore.

Alen Jasharoski

63’ Vendasit kërkojnë penallti pas një harkimi dhe tentim krosimi, por afërsia ishte shumë e madhe ndërmjet dy futbollistëve, por vendasit e kërkuan pikën e bardhë me ngulm.

66’ Jashari me gjuajtje “volle”, pak e lartë.

Argjend Mustafa

70’ Aksion i mirë i Rusit nga e djathta i cili futet në zonë dhe e gjen në kahun e kundërt Mirçevskin gjuajtjen e të cilit mezi me kokë e dëbon mbi portë Bekteshi.

71’ Kontra, Velinov provon nga distanca, e lartë.

75’ Pas këndores, Basri shkëputet e rrezikshëm gjuan me kokë mbi tra.

77’ Maloku në mesfushë duke ndërhyrë në Khalid që me shpejtësi ishte nisur përpara, ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë.

Khalid Basit

85’ Khalid ia merr topin Basriut dhe para zonës gjuan rrëmbyeshëm, pret portieri brazilian shpëton gol të sigurt.

86’ Mankenda nuk ndalet nga e djathta, e gjen Khalid e ky ia vazhdon Korenicës majtë i cili i vetëm me portier gjuan drejt në të, në fakt portieri vendas e shpëton skuadrën sërish.

Abdul Bashiru

89’ Mankenda s’po ndalej nga e djathta, depërton në zonë e harkon, tani duket se Basriu largon topin me dorë, të paktën ashtu proklamuan prishtinasit.

90’ Mankenda-show, sa më shumë që fyhej në baza racore nga publiku, ai po jepte edhe më shumë, kalon në mesin e tre lojtarëve dhe e qet Khalidin vetëm me portier të cilin e kalon edhe atë dhe nga shumë afërsi e madhe në mënyrë të pabesueshme gjuan furishëm e lartë, në vend që vetëm të shtynte topin në rrjetë.

90+3’ Sërish Mankenda bënë “kërdinë” nga e djathta, nga afërsia tenton pasimin nga Khalid, por u bllokua në momentin e fundit,.

Gauthier Mankenda

90+4’ Korenica pranon top djathtë, e kalon si mos me qenë një mbrojtës, tenton të pasonte për Khalid para zonës, sërish u bllokua topi i cili shkon deri para zona ku ndodhej Lorik Boshnjaku dhe pa pritur me gjuajtje të saktë të ulët e në këndin e majtë përfundimisht vendos rezultatin final – 0:2.

Lorik Boshnjaku

Lorik Boshnjaku


Deklaruan:

Mirel Josa: Ne zhvilluam një pjesë të parë shumë të disiplinuar, lojtarët vrapuan mirë dhe jam i kënaqur. Me pjesën e dytë pjesërisht, sepse ne po prisnim që kundërshtari të humbiste ekuilibrat, sepse normalisht se do t’i humbiste në momentin që ishte në disavantazh dhe ne duhej të lëviznim në shënimin e golit të dytë, sidomos kur kishim një futbollistë më shumë, duke qenë shumë më efikas dhe të qetë. Por, janë probleme të cilat zgjidhen me kohë dhe me qetësinë e lojtarëve individual. Pra, këtu s’kemi problem me punë fati, por me problem aftësish. U tha pas ndeshjes për Superkupë me Dritën që s’kishim fat se ra topi tre herë në shtyllë. Por, unë them që në futboll nuk ka fat, ka vetëm aftësi – e bënë golin apo se bënë golin, ose mbrohesh mirë ose nuk mbrohesh mirë. Fati pastaj është i fundit pastaj. Pra, në përgjithësi unë jam i kënaqur me skuadrën pavarësisht se çdo trajner kur fiton në një fushë si Trepça ’89 duhet të jetë i kënaqur me fitoren, qoftë edhe me 1:0, por në përgjithësi unë shoh angazhim te futbollistët dhe angazhimi do të na bëjë që nga dita e nesërme të mendojmë për ndeshjen e radhës. 

Gauthier Mankenda: Fituam vetëm 2:0, ku edhe pse shkëlqyem në pjesën e parë, ne është dashur të luanim edhe për nja 50% më mirë në pjesën e dytë, sepse nuk luajtëm aq mirë e ku megjithatë na u krijuan shumë raste që nuk do të duhej t’i humbnim. Por, mendoj qe me punë në trening do të sanohen edhe këto dobësi dhe do të përmirësojmë edhe lojën para portës kundërshtare. Është e rëndësishme fitorja, është ndeshja e parë dhe besoj shumë do të vazhdojmë kështu me këtë ritëm deri në fund të qëllimit tonë.

Gugash Magani, kryetrajner i Trepçës ’89: Edhe sot na ndodhi e njëjta situatë si me Feronikelin, nga një pjesë e parë shumë e dobët ku në pjesën e dytë rregulluam diçka ku në përgjithësi jam i kënaqur, por rezultati nuk më jep të drejt të them që kemi bërë lojë të mirë, sepse në fund fare ne u mundëm. Këtu, pa i mohuar vlerat e Prishtinës, kam shumë rezerva për gjykimin. Nuk mund të jap gjykimin shumë të saktë për çfarë po them para se t’i shoh xhirimet filmike, te dy raste apo episode dhe mendoj se sikur të gjykonte 50 me 50 gjyqtari edhe mund të barazonim, sepse rastet i patëm. Pra pretendoj për një penallti, por nuk e analizoj vetëm gjyqtarin, sepse ne kemi mëkatet tona. Sot nuk prodhuam ato gjëra për të cilat mendoj se skuadra ka potencial. Duhet analizuar shumë këtë ndeshje, mirë që na ndodhi në fillim të kampionatit, të analizojmë dhe të jemi në këmbë në tokë. 

Mirel Josa - Gugash Magani