Lajme

Java I: Flamurtari – Prishtina 1-1

Java I: Flamurtari – Prishtina 1-1

Ahmed Januzi

Golat: Agron Bruqi 2’ – Ahmed Januzi 14’

Endrit Krasniqi

Prishtinë, 17 gusht 2019 – Dy rivalët e kryeqendrës para më shumë se 1.000 shikuesve u ndan baras. Ishin vendasit që pas rastit të parë dhe këndores, realizuan pas gjuajtjes me kokë të Agron Bruqit (2’). Prishtina shpejt reagoi dhe pas asistimit të Mankendës, barazoi Januzi (14’).

Meriton Korenica - Lorik Maxhuni

Prishtina kishte më shumë raste, sidomos në pjesën e dytë dhe sidomos në fund u ndeshjes, u qëllua dy herë shtylla, traversa (Ahmeti – 57’), shtylla Uka (90+1’) ndërsa topi u largua nga vija e portës nga vendasit.

Prishtina në javën e dytë e pret Dukagjinin e Klinës.

Flamurtari Prishtina

Java I

Flamurtari – Prishtina 1-1 (1-1)

Golat: Agron Bruqi 2’ – Ahmed Januzi 14’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Erduan Baliqi (Mt), Driton Obiliqi (Ob) – Shpëtim Murtezi (Gjl)

KV: A. Nika, R. Ilijovski, A. Zeqiri – G. Mankenda, A. Shillova

Pozita jashtë lojës: Fla 0-2 Pri

Kornerë: Fla 4-3 Pri

Gjuajtjet totale: Fla 8-12 Pri

Gjuajtjet në portë: Fla 4-8 Pri

Flamurtari: 12. Ardit Nika – 4. Veton Kabashi /c/, 5. Angel Granchov, 6. Riste Ilijovski, 8. Danin Taloviç (45. Festim Krasniqi – 71’), 9. Maliq Ademi (23. Tervioll Stullqaku – 71’), 10. Agron Bruqi, 13. Ernes Isljami, 20. Egzon Krasniqi (19. Gentrit Begolli – 90+4’), 21. Arbnor Zeqiri, 22. Lorik Maxhuni. Kryetrajner: Artim Shaqiri.

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 2. Armend Thaqi /c/, 28. Leotrim Bekteshi, 8. Ahmet Haliti, 4. Tun Bardhoku (23. Leonit Abazi – 77’) – 7. Lorik Boshnjaku, 6. Endrit Krasniqi, 18. Ergyn Ahmeti (11. Kreshnik Uka – 67’) – 10. Meriton Korenica (17. Alban Shillova – 60’), 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Adi Hyla, Agon Xhaka, Labinot Ibrahimi, Diar Miftaraj. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti:

Në terren mirë të përgatitur dhe me gjykim korrekt u zhvillua ndeshja e javës së parë. Ndeshja doli të ishte shumë interesante për të pranishmit, mbase rezultati nuk kënaqi, sidomos Prishtinën, por nga rastet e shumta interesante rezultati lehtësisht do të duhej të ishte ndryshe, sidomos për bardhekaltrit.

Ahmed Januzi ka shënuar golin e parë kampional, apo të 15-në me Prishtinën, ndërsa Mankenda regjistroi asistimin e parë. Për Prishtinën në ndeshje debutoi me më shumë se 15 minuta edhe Leonit Abazi.

Gauthier Mankenda

Minutë pas minute:

1’ Maliqi ikën “si pa të keq” nga e majta e gjuan ulët, Muqiqi prek topin dëbon në këndore.

2’ Nga kjo këndore e harkuar nga Isljami, përfiton nga përgjumja e Prishtinës, Agron Bruqi, gjuajtja me kokë e të cilit përfundon në rrjetë – 1:0.

7’ Maliqi në formë, sërish depërtim nga anash e gjuajtje, kësaj radhe e lartë.

10’ Prishtina këndellet pas shokut, depërtim nga e majta, në fund topi i harkuar i ulët i Mankendës përfundon në këmbët e Ahmetit i cili nga pozitë ideale brenda zonës gjuan mbi portë.

Ergyn Ahmeti

14’ Megjithatë, Prishtina shpejt reagon, bashkëveprime të Krasniqit e Mankendës, ky top të saktë për Januzin i cili rreth vijës së zonës gjuan saktë e ulët për rezultatin 1-1.

FC Prishtina

31’ Endrit Krasniqi nga distanca, gjuajtje e lirë, e lartë.

39’ Korenica gjuan bukur nga gjuajtja e lirë ballore, edhe më bukur me intervenim shpëton gol të sigurt portieri Nika.

50’ Boshnjaku provon nga distanca, e ulët, jashtë.

Lorik Boshnjaku

56’ Gjuajtje e bukur e Maxhunit nga e djathta pas aksionit të gjatë, devijohet paksa dhe skaj pingules së majtë.

57’ Kundërzbritje e shpejtë pas këndores së vendasve, në fund Mankenda – Korenica – Ahmeti, del e hynë djathtë në zonë, gjuan bukur, nuk ka fat, qëllon traversën.

58’ Sërish rrezikon mbrojtësi djathtë vendas Maxhuni, gjuan jashtëzone nga e djathta, jashtë sërish.

Lorik Maxhuni - Lorik Boshnjaku

64’ E. Krasniqi gjuajtje ballore prej ndërprerjes, kap topin Nika.

65’ Bardhoku harkon nga e majta, Mankenda shkëputet e gjuan me kokë, pak centimetra mbi tra.

75’ Pas keqkuptimit të mysafirëve, për pak të përfitoj Egzon Krasniqi, i vetëm nga e djathta në afërsi të portës, gjuan, portieri Muqiqi e ndal me këmbë, shpëton gol.

76’ Festim Krasniqi nga ndërprerja pothuajse afër vijës anësore përpak të befasoj, qëllon pjesën e epërme të traversës.

Armend Thaqi

83’ Endrit Krasniqi e harkon ndërprerjen në zonë, Januzi pothuajse me portier, e shënjestrën portën, Nika intervenon aq sa topi për pak metra të mos futej në portë.

84’ Tjetër aksion e Uka merr top i vetëm nga e majta, gjuan në këndin e parë, çfarë shpëton Nika, e pabesueshme.

89’ Kundërzbritje, Mankenda te Krasniqi, gjuan në shtyllën e djathtë, shpëton Nika.

90+1’ Uka me portier nga e majta, gjuan e kalon portierin, qëllon pingulen e djathtë, dhe njëri nga mbrojtësit vendas e largon topin nga vija e portës.

Flamurtari - Prishtina 1-1

Deklaruan:

Mirel Josa: Goli mund të pësohet edhe në minutën e parë, edhe në mes lojës e fund të lojës, pra nuk është problemi se na penalizoi goli i hershëm, por ne në dhjetë minutat e parë filluam lojën shumë përgjumur deri sa morëm vetën pas pësimit të golit i cili u pranua shumë naiv, sidomos në markimin në zonë. Në përgjithësi skuadra veproi mirë, ndërtoi dhe arritëm të barazojmë, sepse në pjesën e dytë do të ishte shumë më vështirë me ngjeshmërinë që do të kishte Flamurtari dhe në mënyrën se si do të kërkonte fitoren. Ne patëm shtrirje të lojës, patëm aksione të mira, ndryshuam duke futur në sulm edhe katër lojtarë, por duhej pasur edhe kujdes, sepse në të tilla situata edhe mund të pësosh, siç ishin nja dy mosmarrëveshje që patëm në mbrojtje duke gjuajtur Flamurtari në diagonale jashtë portës. Por, kështu e ka futbolli dhe ne duhet ta shohim si ndeshje të parë të vërtet gjatë këtij edicioni. Unë në përgjithësi jam i kënaqur, jo me rezultatin, por nga mënyra se si vrapoi skuadra, se si e kërkoi skuadra fitoren. Besoj se do të kemi një përmirësim në ndeshjet tjera.     

Artim Shaqiri, kryetrajner i Flamurtarit: Skuadra ime bëri një ndeshje shumë të mirë, diti çfarë të kërkoj. Ndeshje e bukur siç i ka hije një derbi nga dy anët, u krijuan raste nga dy anët dhe edhe po të fitonim nuk do të ishte tragjedi, sepse krijuam raste. Por, edhe po të humbnim do ta meritonte Prishtina, sepse krijuan raste. Konsideroj se rezultati ishte real dhe tash i marrim ndeshjet tjera me radhë. 

Plisat