Lajme

Java I: Prishtina – Drita

Java I: Prishtina – Drita

E diel, 20 gusht – ora: 17:00 në Drenas

Prishtinë, 19 gusht, 2017 – Prishtina e nis javën e parë të Vala Superligës me skuadrën me ndryshimin më të madh të futbollistëve në radhët e saj, Drita. Prishtina dhe Drita gjithmonë pas luftës kanë pasur rivalitet, e lëre më tani që edhe gjilanasit pretendojnë për trofe.

Mangësia më e madhe e këtij derbi është se nuk zhvillohet në kryeqendër. Por, Prishtina nuk kishte zgjidhje tjetër. Stadiumi në Drenas i plotëson gjitha kushtet dhe është më i afërti i tillë, zgjidhje më të afërt nuk kishte.

Por, Drenasi ka adhurues të futbollit dhe infrastruktura përcjellëse deri aty është ideale dhe shpresojmë që tribunat të jenë të mbipopulluara të dielën.

Prishtina nuk ka probleme rreth formacionit, pothuajse të gjithë futbollistët janë të gatshëm të luftojnë për 11-vendet startuese.

Java I

Prishtina – Drita

E diel, 20 gusht – ora: 17.00

Stadiumi: “Rexhep Rexhepi”, Drenas

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Alban Ejupi (Pd), Besnik Morina (Vu) – Isak Ceroviku (Mt)

Thaqi: Prishtinë me cilësi – pres të vije në shprehje nga java e parë

“Prishtina në këtë vit ka ekip me shumë përvojë dhe normalisht mesiguri që përvoja e tyre do të vije në shprehje që  nga ndeshja e parë e që është shumë me rëndësi për neve. Sido që të jetë presim fitore dhe kjo fitore të na jep vullnet dhe mundësi të vazhdojmë me fitore edhe në ndeshjet tjera”.
“Realisht Drita është ndër skuadrat më të përforcuara, por Prishtina e ka një përparësi se ka lojtarë më me cilësi dhe pres të shfrytëzojmë përparësitë e tyre”.
“Normalisht jam shumë i kënaqur me ardhjet e reja, të cilët përveç cilësive, më rëndësi për mua ka qenë se ata kanë dëshmuar se janë profesionistë dhe e duan punën e çka mua më mbetet vetëm të shpresojë se kjo do të vije në shprehje edhe gjatë kampionatit”.
“Duhet theksuar se ne nuk kemi vendosur me dëshirë të luajmë në Drenas, sepse kënaqësi e imja do të ishte të luajmë në stadiumin e qytetit, por stadiumet tjera në kryeqendër nuk i plotësojnë kriteret, e ai i Flamurtarit absolutisht nuk iu përshtatet lojtarëve që i kemi një përbërje. Po ashtu kemi pasur probleme edhe në Kastriot, pa e nënçmuar KEK-un, ne është dashur t’iu përshtatemi atyre për zhvillimin e ndeshjes, e mos të flasim për seanca stërvitore. Pra duke parë se çfarë futbollistë kemi, na është dashur të gjejmë stadium që i ngjan stadiumit dhe që kenë të përgatiten në fushë normale. Me këtë rast e falënderojmë si Komunën e Drenasit po ashtu edhe Feronikelin. Neve na është dashur buxhet shtesë të shpenzojmë për mundësinë e kushteve të stërvitjes, ku nuk dështon realizimi i planit dhe programit të punës”.

Dallku: Fusha e Drenasit na mundëson për lojë të bukur e atraktive

“Besoj jemi përgatitur mjaft mirë duke e marrë parasysh kushtet që na janë afruar e duke iu falë edhe kryesisë që kishte angazhuar për fazë përgatitore të trajnerit italian dhe ku tani ekipi duket mjaft mirë i përgatitur fizikisht. Shpresojmë të kemi start të mirë të kampionatit dhe fillimi i mirë i kampionatit është shtytje për ekipin, trajnerin, e sidomos për kryesinë që të besoj në ekip që kjo të arrijë synimet që ka”.

“Normalisht ardhjet janë cilësore dhe pikërisht në këto pika kemi pasur probleme edicionin e kaluar dhe vështirësitë më të mëdha i kemi pasur në shënimin e golave dhe tani kemi fituar më shumë fantazi në fazën e sulmit. Shpresoj që lojtarët të kenë ecuri të mirë e pa lëndime që cilësitë e tyre t’i shfaqin në fushë”.

“Ndeshje me Dritën do të jetë e vështirë. Por, Prishtina është Prishtinë dhe nuk ka një pikë dyshimi që ne të kemi frikë edhe pse Drita ka bërë shumë ndryshime e që kemi bërë edhe ne. Ne i qasemi çdo ndeshje , pa marr parasysh kush është kundërshtari, maksimalisht ë angazhues për t’ju treguar se Prishtina është kompletuar si ekip dhe me ndihmën e shikuesve, e që pak na kanë munguar në kohë të fundit, të na përkrahin me numër më të madh që të na përkrahin drejt qëllimit tonë”.

“Për stadiumin e Drenasit, e kuptoj klubin dhe mendoj që ka bërë zgjidhje të duhur. Sepse, ka qenë problem ku të luanim, por Drenasi i plotëson të gjitha kushtet që Prishtina të luaj futboll të bukur, atraktiv, sepse ka fushë ideale dhe as për shikuesit tanë nuk është aq problem të arrihet deri aty. Besoj se kemi vendosur mirë që do të luajmë aty, pa dyshim do të ketë edhe shikues nga Drenas, adhurues të futbollit pa marr parasysh se ne jemi rival me Feronikelin”. 

Curri: Plisat bashkë me qytetarët tjerë të na ndihmojnë për rikthimin e titullit në kryeqytet

“Besoj se jemi maksimalisht të përgatitur, sepse kemi punuar mjaft mirë gjatë fazës përgatitore dhe besoj se ekipi është i gatshëm. Edhe me ardhjen e disa lojtarëve të rinj jemi të kompletuar dhe të nisim sa më mirë kampionatin që të nisim me këmbë të mbarë dhe me tre pikë. E kemi ekipin e mirë dhe i kemi të gjitha mundësitë për tre pikët e para”.

“Unë edhe më herët kam luajtur si mbrojtës, edhe pse vitin e kaluar kishim mungesë në mesfushë dhe isha i detyruar të luaja aty. Pra, gjatë karrierës dhe me Kombëtaren kam luajtur si qendërmbrojtës dhe s’ka qenë vështirë të ambientohem në këtë rol dhe shpresoj shumë se do të jap maksimumin dhe që ekipi të ecë sa më mirë në këtë edicion”.

“Ndeshja me Dritën do të jetë mjaft e fortë për vetë faktin që edhe ata janë përforcuar. Por, ne do të hyjmë në ndeshje që të nisim mbarë kampionatin dhe nga kjo të nisim me tre pikë”.

“Zhvillimi i ndeshjeve në Drenas është ide mjaft e qëlluar. Është fushë shumë e mirë, edhe ne kemi ekip shumë të mirë dhe na konvenon. Edhe pse na penalizon mjaft shumë, sepse s’luajmë në stadiumin tonë dhe nuk kemi numër aq të madh shikuesish. Por, shpresojmë se edhe në Drenas do të na përkrahin, si Plisat, ashtu edhe qytetarët, që të na ndihmojnë të rikthejmë titullin në kryeqytet”.

Statistikat

Prishtina dhe Drita pas luftës kanë zhvilluar 38 ndeshje zyrtare në të gjitha garat. Prishtina i ka 19 fitore, 13 barazime dhe 6 fitore të Dritës me goldallim 56:30 për kryeqytetasit.

Prishtina dhe Drita më së shpeti kanë luajtur baras 1:1, prej tyre 7-herë në Gjilan. Prishtina fitoren më të lartë e ka 5:0, kurse Drita s’ka fitore më të lartë se dy gola epërsi.

56 golat e Prishtinës i kanë shënuar 35 futbollistë dhe prin Basit Abdul Khalid me 5 (1x3 në ndeshjen e fundit dhe 1x2 në finale të Kupës). Nga futbollistët aktivë kanë shënuar nga 1 gol edhe Gauthier Mankenda e Debatik Curri.

30 golat e Dritës i kanë shënuar 24-futbollistë dhe asnjë nuk ka shënuar mbi 2 gola (Selman Berisha e Baki Bulliqi e kanë nga 1x2).

Në 38 ndeshje, Prishtinës i kanë prirë 13 trajnerë, kurse Dritës rekord 17-trajnerë. Më së shumti ka Ajet Shosholli ka 10 ndeshje (4-3-2). Te Drita më së shumti ka Bekim Isufi 5 (0-2-3).