Lajme

Java I: Prishtina - Drita 0:1

Java I: Prishtina - Drita 0:1

Golashënues: Xhevdet Shabani 32’

Drenas, 20 gusht, 2017 - As fusha në të cilën s’ishte ndërhyrë fare nga ndeshja tjetër e luajtur dje, as gjyqtari Tahiri e as zhagitjet e mysafirëve të cilat i lejoi të prishin lojën, nuk janë arsye për lojën jashtëzakonisht të dobët të Prishtinës. Prishtina edhe mund të shënonte nga tre raste që i kishte (njëra u qëllua pingulja), por me lojën e treguar sot nuk merituan më shumë.

Prishtinën fundjavën e ardhshme e pret tjetër derbi i madh lokal me Flamurtarin në fushën e kësaj të fundit, dhe bardhekaltrit e kanë momentin e fundit të nxjerrin mësim nga loja e sotme.


Java I

Prishtina - Drita 0:1 (0:1)

Golashënues: Xhevdet Shabani 32’

Stadiumi: “Rexhep Rexhepi”, Drenas

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Alban Ejupi (Pd), Besnik Morina (Vu) - Isak Ceroviku (Mt)

KV: L. Maxhuni, M. Mazrekaj, B. Khalid, M. Pefqeli - L. Leci, Xh. Shabani, A. Ramadani

Pozita jashtë lojës: Pri 2-1 Dri

Kornerët: Pri 5-3 Dri

Gjuajtjet totale: Pri 4-5 Dri

Gjuajtjet në portë: Pri 2-3

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru - 5. Diar Miftaraj, 21. Anel Rashkaj (11. Liridon Fetahaj - 65’), Drashko Bozhoviç (77. Mërgim Pefqeli) - Mentor Mazrekaj (27. Ahmed Januzi - 70’), 15. Gauthier Mankenda, 34. Basit Abdul Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Ergyn Ahmeti, Lorik Boshnjaku. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Drita (4-3-3): 30. Betim Halimi - 18. Drilon Musaj, 4. Fidar Gerbeshi, 5. Ardian Limani /c/, 13. Liridon Leci - 25. Bujar Shabani, 88. Endrit Krasniqi, 95. Lauren Ismailaj (24. Kastriot Rexha - 60’) - 9. Leutrim Kryeziu, 10. Xhevdet Shabani (8. Arbnor Ramadani - 88’), 7. Astrit Fazliu (22. Denis Haliti - 90+5’). Kryetrajner: Milaim Zuzaku.

Komenti:

Sot u zhvillua lojë e fortë e me shumë duele, kryesisht nga mysafirët e që shpesh u toleruan si loja e tyre e fortë, po ashtu edhe zhagitjet sidomos në pjesën e dytë. Ishte ndeshje me pak raste shënimi dhe me shumë pak aksione të ndërtuara të cilat edhe ato ishin më shumë të mysafirëve. Futbollistët e Prishtinës sot nuk u gjenden dhe pothuajse nuk funksionoi asgjë me gjithë luftën e madhe të disa futbollistëve që dhanë atomin e fundit, por nuk mjaftoi, loja ekipore plotësisht mungoi. Shpresojmë që mirë të nxirren mësimet në fillim dhe skuadra të përmirësoj gabimet e sotme.

Minutë pas minute:

17’ E. Krasniqi gjuan ballore nga distanca, e lartë.

17’ Mazrekaj harkon nga goditja e dënimit nga e majta, topi dëbohet ndërsa Curri nga 8-10 metra gjuan fortë, por shumë pranë traversës, jashtë.

32’ Aksion i mirë i nisur nga rivënia anësore, Shabani e Kryeziu, në fund Shabani nga e djathta del me portierin Bekaj të cilin e mposhtë edhe me ndihmën e pingules së majtë - 0:1.

45+1’ Bozhoviç nga e djathta zhvendos aksionin me top te gjatë në anën e kundërt të Khalid e ky e kthen para zonës për Mankendën që gjuan direkte, por drejt në duart e portierit.

45+3’ Shabani nga e majta prej “këndit të vdekur” provon gjuajtjen, por në vend portieri Bekaj.

55’ Pefqeli bukur pas aksionit harkon nga e djathta, Khalid ishte në pozitë të mirë, por gjuajti me kokë jashtë.

61’ Mazrekaj harkon këndoren e djathtë e Mankenda me gjuajtje me kokë qëllon pingulen e djathtë.

68’ Aksion i mirë i gjilanasve, Shabani e Rexhaj, gjuajtjen e të cilit e pret portieri Bekaj, ishte rast ideal.

90+2 Ramadani nga 18 metra provon gjuajtjen mbi kudratat.

Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës:
Humbja me Dritën nuk është befasi duke e ditur se Drita është ndër skuadrat më të përforcuara në ligë. Sidoqoftë edhe te Prishtina kemi prurje jashtëzakonisht të mira dhe cilësore. Por, e pamë edhe sot se iu duhet kohë për t’u përshtatur dhe me një referim çfarë është në Kosovë, edhe me nivelin e kundërshtarit e ku sidomos në pjesën e dytë nuk kishte shumë lojë. Drita shfrytëzoi një mundësi, kurse ne provuam edhe me ndryshime të vijmë në shprehje si ekip, megjithatë nuk ia arritën të paktën një barazim. Na duhet korrigjohemi duke filluar nga ndeshja me Flamurtarin.

Milaim Zuzaku, kryetrajner i Dritës:
Ishte lojë me intensitet shumë të lartë. Drita tregoi kualitet e saj, sidomos në pjesën e dytë ku patëm rastet të përfundonim shumë më herët ndeshjen, sidomos me hyrjen e Rexhës dhe rastin e qindpërqindtë ku pastaj ka mundur të na kushtoj ai rast. Por, mund të them se për 90-minuta ne kemi pasur siguri brenda lojës sonë. Prishtina ka dominuar në momente në mesfushë, por nuk e ka pasur asnjë rast (!).