Lajme

Java II (e mbetur): Prishtina – Dukagjini 2-0

Java II (e mbetur): Prishtina – Dukagjini 2-0

Fitorja e tretë rresht

Prishtina - Dukagjini 2-0 Meriton Korenica

Prishtinë, 25 shtator 2019 – Prishtina kaloi edhe pengesën e radhës, Dukagjinin – 2:0 me golat e Meriton Korenicës (7’) dhe Leonit Abazit (51’). Në fakt, dy golat ishin të organizuara mirë nga aksionet. Prishtina pati edhe dy-tre mundësi tjera të arta, por me lojë në përgjithësi mbase nuk kënaqi – e arsyeshme, sepse duheshin vetëm tre pikët dhe tani e pret ndeshje tjetër e vështirë të dielën në Vushtrri.

As mysafirët nuk ishin pa raste, sidomos në pjesën e parë kur qëlluan shtyllën, por më meritori pse Dukagjini ende nuk shënoi gol në kampionat, as sot, ishte portieri Bekaj kur në atë moment delikat (23’) shpëtoi dy herë skuadrën.

Prishtina tani me 10 pikë të grumbulluara është vetëm 2 pikë larg kreut të tabelës.

FC Prishtina

Java II (e mbetur)

Prishtina – Dukagjini 2-0 (1-0)

Golat: Meriton Korenica 7’, Leonit Abazi 51’

Shikues: mbi 500

Gjyqtarë: Shpëtim Murtezi (Gjl), Besnik Morina (Vu), Imran Kabashi (Mt) – Tefik Maloku (Pd)

KV: T. Bardhoku, E. Krasniqi, T. Selimi – Xh. Rexhepi

Pozita jashtë lojës: Pri 0-3 Duk

Kornerët: Pri 5-4 Duk

Gjuajtjet totale: Pri 6-5 Duk

Gjuajtjet në portë: Pri 4-3 Duk

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi /c/, 28. Leotrim Bekteshi, 22. Labinot Ibrahimi, 4. Tun Bardhoku – 5. Diar Miftaraj, 18. Ergyn Ahmeti (6. Endrit Krasniqi – 55’), 10. Meriton Korenica – 15. Gauthier Mankenda (11. Kreshnik Uka – 46’), 23. Leonit Abazi (77. Ardit Hila – 87’), 17. Alban Shillova. Zëvendësues: Eglant Haxho, Lorik Boshnjaku, Max Rugova, Trimror Selimi. Kryetrajner: Armend Dallku.

Dukagjini: 20. Flamur Neziri – 5. Elton Basri, 6. Ilir Syla, 8. Labinot Jashanica, 9. Altin Lloga, 10. Mark Milicaj /c/ (7. Granit Elezaj – 66’), 21. Denis Haliti, 22. Muharrem Musa, 24. Ilir Mustafa, 27. Orgest Gava (23. Jeton Dushi – 58’), 99. Husein Demiri (11. Leorant Murmullaku – 66’). Kryetrajner: Xhengiz Rexhepi.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Tun Bardhoku

Komenti:

Prishtinës sot i duhet fitorja, jo vetëm për pikët, por edhe për rikonfirmimin se tani më skuadra ka marrë rrugën e vetë. Këtë qëllim e arriti me dy gola shembullor si produkt i organizimit të mirë e të shpejtë të sulmeve, kryesisht nga krahët, por me zanafillë nga mesfusha.

Kështu që Bardhoku regjistroi asistimin e parë me fanellën e Prishtinës, kurse Korenica shënoi golin e parë sezonal dhe të 14-në me fanellën e Prishtinës. Armend Thaqi e nisi asistimin e parë sezonal, kurse Leonit Abazi, pas asistimit të parë në ndeshjen me Gjilanin, sot regjistroi edhe golin e parë me fanellën e Prishtinës.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Ergyn Ahmeti

Minutë pas minute:

5’ Bardhoku harkon nga e majta, Korenica gjuan lehtë me kokë, kap portieri Neziri. Ishte paralajmërimi i golit 2 minuta më vonë.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Meriton Korenica

7’ Ishte aksion i gjatë nga e djathta, por në fund Korenica merr top në mesfushë dhe disi ia del të pasonte te Ahmeti gjysmëmajtë i cili me shpejtësi me të parën e dërgon krejtësisht në krahun e majtë te Tun Bardhoku i cili harkon mrekullisht me të parë, kurse Meriton Korenica gjuan me saktësi me kokë për epërsinë – 1:0.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Meriton Korenica

8’ Lloga nga e majta prej jashtëzonës e tenton gjuajtjen, por jashtë.

14’ Abazi e harkon këndoren e djathtë, Shillova se mbërrin me kokë, por Miftaraj krejtësisht i vetëm në shtyllën e dytë nuk e percepton topin saktë.

18’ Harkim i bukur i Korenicës nga këndorja e majtë, në shtyllën e dytë Miftaraj krejtësisht i vetëm, gjuan me kokë dhe çudi e madhe topi nuk futet në portë, por vetëm rrjeta e jashtme.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Diar Miftaraj

23’ Lloga merr top para zonës e gjuan rrëmbyeshëm, Bekaj intervenon e topi e qëllon pingulen e djathtë e kthehet te shtylla e majtë ku nga afërsia gjuan Demiri, por Bekaj bllokoi këndin dhe me pritje shpëtoi gol të sigurt.

36’ Edhe një aksion i Dukagjinit nga e majta, por para zonës Ibrahimi në momentin e fundit largon rrezikun duke dëbuar topin në këndore.

40’ Korenica nga gjuajtja e lirë ballore në këndin e sipërm, intervenon ish-portieri i Prishtinës, Neziri.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Ergyn Ahmeti

48’ Uka udhëheq nga e djathta e në qendër duke ia vazhduar Ahmetit që gjuan me të parën, por e lartë.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Armend Thaqi
51’ Aksion i shpejtë i Korenicës nga mesfusha duke e vazhduar me shpejtësi te Armend Thaqi në krahun e djathtë dhe harkim i përsosur para portë, Shillova nuk e mbërrin, por Leonit Abazi në afërsi të shtyllës së majtë i saktë – 2:0.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Leonit Abazi

72’ Haliti harkon nga gjuajtja e lirë prej të majtës, Elezaj provon me kokë, por pak e lartë mbi traversë.

73’ Dushi bukur manovron para zonës pastaj gjuan, por e lehtë për Bekajn.

Prishtina - Dukagjini 2-0 Meriton Korenica

Deklaroi:

Armend Dallku: 30 minutat e para ishin mjaft të mira për ne përderisa disa lojtarë tanë patën freski u paraqitën mjaft mirë, ashtu siç ishim marrë vesh paraprakisht që në 20 minutat e para të godisnim kundërshtarin, ashtu edhe ndodhi. Ekipi ynë shihet qartë që ka probleme fizike, jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe me Gjilanin, sidomos në 10 minutat e fundit ka shfaqur probleme fizike. Sot jemi munduar t’i rikuperojmë disa lojtarë duke i dhënë mundësi disa lojtarëve tjerë, mirëpo s’duhet harruar që prapë kemi ndeshje të dielën kështu që do të bëjmë çmos që të rikuperohet pjesa tjetër e futbollistëve. Mendoj që ishte fitore e merituar, pavarësisht problemeve dhe defekteve që pati loja duke shpresuar që do të vazhdojmë kështu dhe çka është më e rëndësishmja mos të kemi lëndime, sepse kur ke këmbët e rënda apo je dobët fizikisht, lëndimet janë më së të mundshme.   

Meriton Korenica: Normalisht, ndjehem i rikthyer pas lëndimit që kisha dhe po ndjehem shumë mirë dhe goli i arritur më ka shtuar vetëbesimin ashtu siç më është nevojitur. Shpresoj që gjithçka do të shkoj mirë në vazhdim. Kryesorja janë tre pikët dhe nga ndeshja me Gjilanin e treguam që kemi ekip shumë të mirë dhe duke shpresuar që nga loja në lojë t’i tregojmë edhe më shumë aftësitë tona.