Lajme

Java II: Flamurtari - Prishtina 0-2

Java II: Flamurtari - Prishtina 0-2

Sot më shumë se fitorja kënaqi loja e bardhekaltërve

Prishtinë, 26 gusht, 2017 - Prishtina e ka fituar derbin e kryeqendrës shumë më lehtë se që është pritur. Maksimalisht të motivuar, nga fillimi deri në mbarim kontrolluan lojën, luajtën për toke dhe krijuar më se dhjetë raste dhe mbase ka mundur të jetë rezultati edhe më i thellë.

Pra, sot më shumë se fitorja, ka kënaqur dhe gëzon loja e futbollistëve bardhekaltër. Nga një gol shënuan Mergim Pefqeli (18’) i cili qëlloi edhe traversën dhe Mentor Mazrekaj nga penalltia (38’) - ky i fundit edhe asistoi për golin e parë, kurse penalltia u shkaktua në Khalid, i cili sot ka humbur nja dy raste të qindpërqindta.

Pas kësaj ndeshje, skuadra pushon dy javë përshkak kualifikimeve të Përfaqësueseve dhe menjëherë e pret tjetër derbi i madh i vjetër me Lirinë e Prizrenit.

Java II

Flamurtari - Prishtina 0-2 (0-2)

Golat: Mergim Pefqeli 18’, Mentor Mazrekaj (pen) 38’

Shikues: mbi 1.000

Gjyqtarë: Genc Nuza (Pr), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) - Visar Kastrati (Pr)

KV: D. Lladrovci, A. Shala - M. Pefqeli

Pozitat jashtë lojës: Fla 1-2 Pri

Kornerët: Fla 3-5 Pri

Gjuajtjet totale: Fla 4-10 Pri

Gjuajtjet në portë: Fla 2-7 Pri

Flamurtari (4-2-3-1): 12. Ervin Hallunaj - 3. Flakron Hasani, 4. Veton Kabashi /c/, 15. Simo Goranoviç, 2. Antonio Fishcer - 8. Drilon Lladrovci, 16. Ardi Shala - 22. Qendrim Dautaj (9. Emir Rama - 61’), 23. David Restieri (18. Jurgen Gjini - 80’), 19. Pleurat Hajdini (20. Egzon Krasniqi - 57’) - Ardit Jaupaj. Kryetrajner: Agron Selmani.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6 Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru - 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku (29. Drashko Bozhoviç - 78’), 77. Mërgim Pefqeli - 11. Liridon Fetahaj (21. Anel Rashkaj - 57’), 10. Mentor Mazrekaj - 25. Basit Khalid (27. Ahmed Januzi - 62’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Ergyn Ahmeti, Gauthier Mankenda. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Komenti:

Moti kohë, edhe ashtu kishte munguar për kohë të gjatë ky derbi, nuk kemi parë lojë më korrekte dhe aq saktë të gjykuar nga gjyqtarët. Me organizim të shkëlqyer të ndeshjes nga vendasit, në atmosferë të përkryer u nis dhe u mbarua derbi i kryeqendrës çka në të kaluarën kështu nuk ishte. Pra, në një ndeshje ku kishte lojë e shumë pak duele, por aksione nga bardhekaltrit e kundërsulme të vendasve, mesiguri që shikuesit prezent janë ndarë të kënaqur.

Siç thamë më lartë, Prishtina ka spikatur me lojën e zhvilluar dhe ka dhënë shpresa që ndeshja me Dritën më nuk do të përsëritet. Sepse, ishte Prishtina që shkelte topin dhe pa nda kërkonte korridor të lirë, sidomos me anë të krahëve dhe të dy golat u shënuan pas aksioneve të tilla - i pari nga Mazrekaj e i dyti pas asistimit të Fetahajt për Khalid që u pengua në zonë. Ndërsa, mesfusha bardhekaltër pothuajse asnjëherë nuk ka lejuar që vendasin të organizoheshin dhe vendasve iu mbeteshin vetëm topat e gjatë, por që sot nuk patën sukses, sepse ose ishte mbrojtja e sigurt, por edhe dy herë daljet e portierit e sakta të Bekajt.

Pjesa e dytë ishte më e plogësht, bardhekaltrit administruar mirë lojën edhe pse krijua disa herë rreziqe para portës vendase, por tani më intensiteti i ndeshjes kishte rënë dukshëm dhe bardhekaltrit u kënaqën me dy golat e shënuar që i sjellin tre pikët e para në këtë edicion.

Minutë pas minute:

10’ Fetahaj përpak sa nuk befason portierin vendas që ndërhyn në momentin e fundit, pas gjuajtjes nga ndërprerja prej krahut.

14’ Hajdini shërbehet me top të gjatë dhe mos të ishte i vëmendshëm portieri Bekaj do të ishte rrezik i madh.

18’ Aksion i ndërtuar nga mbrojtja. Miftaraj ia vazhdon topin Currit dhe e zë pozitën e tij, ndërsa Curri avanson dhe me saktësi e gjen Mazrekajn në gjysmëkrahun e majtë që kalon dy-tre futbollistë dhe afër vijës fundore e kthen para portës dhe Pefqeli e tund rrjetën e vrapon e feston te adhuruesit e Prishtinës - 0:1.

26’ Edhe mund të ishte faull në Mazrekajn, sidoqoftë Hajdini e pason në zonë për Jaupajn që nuk e goditi topin siç duhet.

31’ Hajdini provon me gjuajtje 18-20 metra, jashtë.

37’ Mergim Pefqeli nga gjuajtja e lirë, ballore, gjuan aq fortë sa qëllon traversën e topi mjaft shumë u ngrit lartë, aq e fortë ishte gjuajtja.

37’ Në aksionin në vijim pasi që vendasit e humbën topin e Boshnjaku e nxjerr përpara e me saktësi e vazhdon për Fetahajn e ky njëjtë e vazhdon për Khalid brenda zonës, por që pengohet nga njëri prej mbrojtësve vendas dhe gjyqtari Nuza sinjalizon në pikën e bardhë.

38’ Edhe pse portieri Hallunaj e lexoi gjuajtjen, ajo e Mentor Mazrekajt ishte e fortë dhe e shpejtë - 0:2.

41’ Boshnjaku depërton nga gjysma e fushës e pastaj gjuan nga distanca, pret portieri.

41’ Top i lartë për Hajdinin që është në ndjekje nga Dallku, por del portieri Bekaj zgjat këmbën dhe disi largon topin, përndryshe futbollisti vendas do të dilte i vetëm me portë.

42’ Curri me top të lartë vertikal për Bashiru i cili me saktësi pason nga e majta në shtyllën e dytë ku ndodhej vetëm me portën e zbrazët Khalid që ia del të gjuaj, por e huq tërë portën.

45+1’ Boshnjaku e nxjerr edhe një top përpara, e vazhdon për Pefqelin, ky në krah te Fetahaj e ky në anën e kundërt e gjen Khalidin, që mund të gjuante me të parën, por pret e ia del të gjejë pozitë të pastër para dy futbollistëve vendas, por gjuan lartë.

51’ Fetahaj e nis shkurtë kornerin, e Dallku harkon, Khalid shkëputet e gjuan me kokë, portieri vendas mezi e ndal dhe e kap topin.

58’ Boshnjaku nga e majta gjuan rrëmbyeshëm, portieri Hallunaj pret bukur me “paradë”.

68’ Lladrovci gjuan, ishte hera e parë për vendasit, Bekaj ndal, pastaj e kap topin.

74’ Rama provon nga gjuajtja e lirë, ishte e rrëmbyeshme, Bekaj grushton e topi përfundon lartë mbi kuadrat.

81’ Çfarë aksioni i nisur nga e djathta e pastaj te Mazrekaj në të majtë duke ia vazhduar Bashiru-s e ky harkon fortë, por Januzi vetëm e prek me kokë, nuk ia doli të kthente në portë. Ishte aksion i përkryer.

83’ Kombinime të Rashkajt e Bozhoviç e ky e kthen për Januzin para zonës që gjuan, por e plogësht.

87’ Pas këndores dhe aksionit në vazhdim, Lladrovci gjuajti me gërshërë, por e lartë.

Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës:
Pas ndeshjes me Dritën, ishte një lloj presioni i vogël, sepse ndoshta publiku ka pritur më shumë nga ardhjet e që posedojnë cilësi, por iu duhet kohë për t’u përshtatur me nivelin e futbollit të Kosovës e ku sot në pjesën e dytë veç e pamë Rashkajn se si e stabilizoi lojën dhe e kishte gjithçka në kontroll, dhe jo vetëm, por në bazë të kësaj cilësie ne arritëm fitoren. Ishte ndeshje pak më e lehtë se që e kemi menduar, e kontrolluam ndeshjen, kemi mundur të shënojmë ende, por sidoqoftë jam i gëzuar që Prishtina tregoi se ka lojtarë cilësor dhe e menaxhon lojën ashtu siç duhet. 

Mergim Pefqeli: Në derbi nuk ka lojë të lehtë dhe nuk dihet fituesi, por ia dolën. Ne që në fillim ua morëm zemrën, e nisëm vrullshëm, ndërsa në pjesën e dytë luajtëm lojën tonë, nuk e morëm me presion dhe ishim të qetë. Ndërsa, për mua do të jetë gol i paharruar, sepse edhe axha im ka luajtur në Flamurtar dhe ishte për mua ishte edhe derbi familjar. Mendoj se pas kësaj fitoreje ne më nuk do të ndalemi. Shpresoj se do të vazhdoj me këtë formë të kontribuojë sa më shumë për skuadrën.

Agron Selmani, kryetrajner i Flamurtarit:
Prishtina ishte më cilësore dhe e fitoi ndeshjen me meritë. Ne kemi probleme në mesfushë dhe kjo u pa edhe sot. Orari nuk na ka favorizuar, kemi ende ndeshje të vështira, por duhet të punojmë shumë dhe shpresoj se do të largojmë zeron nga tabela.