Lajme

Java III: Feronikeli – Prishtina 1-0

Java III: Feronikeli – Prishtina 1-0

Golin e fitores për vendasit shënoi Hoti – 9’

Drenas, 31 gusht 2019 – Prishtina ka përsëritur ndeshjen e fundit në Drenas të edicionit të kaluar, aq dobët sa s’ka më. Gjuajti dy herë në portë, Krasniqi nga distanca shumë lartë portës në minutën e parë e shtesë së pjesës së parë dhe Shillova plogësht në 86-në. Kaq kishte nga Prishtina sot!

Ndërsa Feronikeli, që në pjesën e parë mund të përfundonte ndeshjen nga 5 tentimet/rastet që pati. Ndërsa në pjesën e dytë edhe pse u rreshtuan tërësisht në mbrojtje, sërish kishte tentime më shumë se mysafirët plotësisht të plogësht. 

Pas kësaj ndeshje skuadra sërish pushon deri më 15/16 shtator kur e pret Llapin.

Java III

Feronikeli – Prishtina 1-0 (1-0)

Golashënues: Mendurim Hoti 9’

Shikues: rreth 3.000

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Benon Këpuska (Gjk), Fatlum Jashari (Gjl) – Ilir Mehmeti (Ob)

KV: Dabiqaj, Lladrovci, Bojku, Islami, Krkotiç – Mankenda, Januzi, Hila

Pozita jashtë lojës: Frn 1-1 Pri

Kornerët: Frn 5-3 Pri

Gjuajtjet: Frn 9-2 Pri

Gjuajtjet në portë: Frn 6-1 Pri

Feronikeli: 93. Deniz Troshupa – 21. Përparim Islami, 33. Arbër Prekazi, 5. Lapidar Lladrovci /c/, 6. Astrit Thaqi, 4. Albert Dabiqaj, 61. Millosh Krkotiç, 20. Besmir Bojku (16. Albutrint Morina – 90’+2), 10. Astrit Fazliu, 11. Agostinho Da Silva (19. Lulzim Doshlaku – 86’), 7. Mendurim Hoti (24. Kastriot Rexha – 83’). Kryetrajner: Dejan Vukiçeviç.

Prishtina (4-2-3-1): 1. Alban Muqiqi – 2. Armend Thaqi, 22. Labinot Ibrahimi, 8. Ahmet Haliti, 23. Leonit Abazi – 5. Diar Miftaraj (17. Alban Shillova – 74’), 7. Lorik Boshnjaku (77. Ardit Hila – 58’) – 6. Endrit Krasniqi, 10. Meriton Korenica (11. Kreshnik Uka – 58’), 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Adi Hyla, Tun Bardhoku, Leotrim Bekteshi, Ergyn Ahmeti. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Për dallim nga ndeshja e fundit ndërmjet dy rivalëve në edicionin e kaluar, pra me një Prishtinë jashtëzakonisht të dobët e pa raste, ishte Feronikeli duke krijuar raste dhe dëshirë të madhe për të triumfuar. Pothuajse asnjë gjë pozitive nuk mund të nxjerrim nga prishtinasit.

Minutë pas minute:

9’ Aksioni i parë, rasti i parë dhe realizohet goli. Pas një rivënie anësore nga e djathta për vendasit, Fazliu me lehtësi depërton në zonë, gjuan, portieri Muqiqi e ndal shkurtë dhe nga afërsia gjuan Mendurim Hoti dhe me saktësi dërgon topin në këndin e sipërm të portës – 1:0.

18’ Sërish Fazliu depërton nga e djathta në brendësi të zonës, por tentimi për asistim e ndal portieri Muqiqi.

22’ Aksion i përkryer i vendasve po nga e djathta, në fund Silva provon asistim duke e kaluar topi portierin Muqiqi, por intervenon në momentin e fundit Armend Thaqi duke e dëbuar në këndore dhe duke shpëtuar gol të sigurt.

23’ Pas harkimit të këndores, Fazliu e kthen topin me kokë dhe po me kokë gjuan Lladrovci, fare pak mbi traversë.

29’ Krkotiç nga 18 metra ballore prej gjuajtjes së lirë gjuan mbi tra.

32’ Silva e harkon këndoren, Lladrovci shkëputet e gjuan me kokë, nga vija e portës me gjunjë e pret portieri Muqiqi.

45’+1 Mankenda depërton nga e djathta paralel me zonën e rreptësisë, e vazhdon te Krasniqi i cili nga distanca ballore gjuan lartë mbi portë.

46’ Këndore e majtë për vendasit, Prekazi dy herë i pafat, së pari qëllon traversën e pastaj topi drejt portës së zbrazët ndalet nga Ibrahimi.

49’ Këndore e djathtë për vendasit, Astrit Thaqi provon me kokë, jo aq rrezikshëm, intervenon Muqiqi.

86’ Aksion i mirë i Prishtinës i nisur nga Thaqi në krahun e djathtë duke e vazhduar te Mankenda i cili pas depërtimit me saktësi e hedh topin te Shillova i cili nga pozitë mjaft e pastër ballore mezi e qëllon topin i cili ndalet pa ndonjë problem nga portieri vendas.

89’ Kërkotiç e harkon ndërprerjen nga e majta e Rexha me kokë gjuan rrezikshëm mbi tra.