Lajme

Java III: Prishtina - Drenica

Java III: Prishtina - Drenica

Ndeshja e parë në shtëpi ndaj skuadrës që e fundit na ka mposhtur!

Gauthier Mankenda

Prishtinë, 1 shtator 2018 - Ndeshja e nesërme gati-gati mund të cilësohet historike. Edhe pse i takon javës së tretë të IPKO Superligë, por rikthimi në shtëpi i Prishtinës pas dy vitesh, ndeshje nën ndriçimin e reflektorëve, si dhe skuadra nga Skenderaj është e fundit që Prishtinës i ka sjellë dy humbjet e vetme kampionale në 16 ndeshjet e fundit të kampionatit. 10 ndeshjet e fundit skuadra nuk ka pësuar në kampionat. Në fakt, ajo mbetët humbja e vetme kampionale në vitin 2018 në kuadër të 16 ndeshjeve të fundit për pikë, por edhe humbja e fundit kampionale në vitin 2017 ishte po kundër Drenicës në Drenas 0:2. Pra, kuqezinjtë me të drejt janë vlerësuar ndër shkaktarët kryesor, ndër tjera shkaqe (!) që me 7 pikët e shkëputura në edicionin a kaluar bënë që Prishtina për tre pikë më pak të humbas kampionatin. 

Krejt këto fakte, ndeshjen e nesërme e bëjnë gati historike dhe motivi i futbollistëve është i jashtëzakonshëm që ndeshjen ta fillojnë me qëllimin e vetëm të tre pikëve.

Skuadra nuk ka mungesa, në 18-she rikthehet edhe kapiteni Dallku nga suspendimi dhe vetëm Pefqeli është në fund të rikuperimit të lëndimit të kraharorit.

Prishtina ka një ndeshje të zhvilluar dhe 3 pikë të fituara javën e kaluar kundër Trepçës ‘89 (2:0), ndërsa Drenica i ka 4 pikë duke e mposhtur Llapin në Podujevë (1:0) dhe duke e ndal në barazim pa gola Feronikelin në Skenderaj.

Dy skuadrat rivale pas luftës kanë 48 ndeshje zyrtare me bilanc larg më të mirë të Prishtinës prej 22 fitoreve, 10 barazime dhe 16 humbje me goldallim +25, 73:48. Edhe pse Drenica në tre ndeshjet e fundit ka arritur një barazim (1:1 në Skenderaj) e dy fitore (0:2 në Drenas e 1:0 e fundit në Skenderaj), megjithatë Prishtina dy fitoret më të thella të pasluftës në kampionat i ka kundër Drenicës, si 7:0 (pranverë 2003) dhe 6:0 (pranverë 2017).


Java III

Prishtina - Drenica

E diel, 2 shtator - ora: 19:45

Stadiumi i Prishtinës

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Driton Preniqi (Ka), Bekim Rama (Pd) - Dardan Çaka (VU)

Çmimi i biletave: 10 euro (VIP), 5 euro (Perëndim), 3 euro (Lindje)

Vendi i shitjes së biletave: “Eurokoha” dhe përreth stadiumit shitësi mobil

Mirel Josa

M. Josa: Na duhet ekuilibër - Drenica e fortë

“Ndeshje e fortë. Arsyet: kundërshtari ka 4 pikë nga kundërshtarë shumë të fortë. Duhet të luajmë me ekuilibër dhe mos të harrojmë që ky kundërshtar na ka marrë vjet 7 pikë.

M. Korenica: Pres përkrahje të madhe nga publiku

“Përveç që është ndeshja e parë si vendas për këtë sezon, është po ashtu ndeshje e rëndësishme për të vazhduar ecurinë pozitive. Disponimi në ekip është shumë i mirë, por duhet të jemi sa më të përqendruar në të gjitha rastet që na ofrohen që t’i shfrytëzojmë sa më shumë. Pres që adhuruesit tanë të mbushin tribunat që të na përkrahin sa më shumë”, ka thënë 10-shi bardhekaltër, mesfushori Meriton Korenica.