Lajme

Java III: Prishtina – Liria

Java III: Prishtina – Liria

Prishtina i çmon cilësitë e Lirisë, por lufton vetëm për fitore

Prishtinë, 8 shtator, 2017 – Prishtina dhe Liria e zhvillojnë ndeshjen e javës së tretë të Vala Superligës. Dy skuadrat përballen pas një humbje e fitoreje në dy javët e para. Liria më e përforcuar se kurrë, ndërsa Prishtina si gjithmonë pretendente. Ndeshja pritet të zgjoj kureshtje të madhe të adhuruesve të futbollit, dhe me të drejt.

Prishtina nuk ka asnjë mungesë, është e kompletuar. 

Prishtina ka fituar tre ndeshjet e fundit kundër Lirisë.

Java III

Prishtina – Liria

E shtunë, 9 shtator – ora: 16:30

Stadiumi: “Rexhep Rexhepi”, Drenas

Gjyqtarë: Genc Nuza (Pr), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Leutrim Mustafa (Pd)

Thaqi: E respektojmë Lirinë, por përvoja e cilësisë sonë duhet të triumfoj

“Realisht ne presim lojë të fortë duke e respektuar Lirinë si ekip që ka bërë shumë ndryshime, ashtu siç kemi bërë edhe ne realisht. Po ashtu edhe në ndeshjen me Trepçën ’89 kanë treguar se janë ekip i përgatitur jashtëzakonisht mirë fizikisht dhe në këtë aspekt kemi konsideratë ndaj Lirisë. Por sido që të jetë ne luftojmë për ta fituar ndeshjen e cila do të na krijonte një stabilitet për ndeshjet e ardhshme duke llogaritur që Prishtina ka lojtarë cilësor ku edhe pse kemi humbur ndeshjen e parë, me Flamurtarin kemi treguar që kemi lojtarë me cilësi dhe në këtë drejtim duhet shfrytëzuar maksimalisht përvojën tonë. Pra fitorja është më se e çmuar për të vazhduar kontinuitetin”, tha shefi i shtabit teknik, Arsim Thaqi.


Boshnjaku: Liria ekip i fortë – besojmë në cilësitë tona

“E dimë që kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë siç është Liria të cilës edhe ia kemi analizuar pak a shumë lojën dhe e dimë që kemi të bëjmë me rival cilësor. Por, po ashtu edhe ne besojmë në  cilësitë tona. Po ashtu kemi filluar të gjejmë edhe të hyjmë në formën tonë dhe të kompletohemi si ekip.  Sigurisht që unë mendoj vetëm në fitore dhe se Liria do të jetë vetëm një kundërshtar i radhës që do të mposhtim në rrugëtimin drejt objektivave tona”, ka thënë Lorik Boshnjaku.