Lajme

Java III: Prishtina - Liria 1-0

Java III: Prishtina - Liria 1-0

Ashtu siç pritej - ashtu doli: Liria arrë e fortë, por që në fund u thye

Drenas, 9 shtator, 2017 - Sot në Drenas u zhvillua njëra ndër ndeshjet më të forta të luajturi së fundi. Liria ishte kundërshtar i denjë dhe vetëm fati e këmbëngulësia maksimale e bardhekaltërve bëri që bardhezinjtë të thyheshin.

Prishtina ishte dominuese e më e mirë në pjesën e parë, por nuk shënoi. Në pjesën e dytë kur Liria ishte më e mirë dhe kishte edhe një futbollist më shumë në fushë, Prishtina shënoi. Ishte harkimi i përkryer i Mazrekajt nga pozita indirekt, dhe ngulitja me kokë afër pingules së dytë nga kapiteni Dallku.

Pra, tre pikë të çmuara kundër një rivali të fortë. Tani pas tre ndeshjes, Prishtina ka gjashtë pikë dhe të mërkurën udhëton në Skenderaj për t’u ndeshur me Drenicën në kuadër të javës së katërt.

Java III

Prishtina - Liria 1:0 (0:0)

Golashënues: Armend Dallku 86’

Shikues: 300

Gjyqtarë: Genc Nuza (Pr), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) - Leutrim Mustafa (Pd)

KV: D. Curri, M. Mazrekaj, M. Pefqeli - E. Bakaj, A. Memaj

KK: D. Curri (2 KV) min. 71’

Pozita jashtë lojës: Pri 1-1 Lir

Kornerët: Pri 10-4 Lir

Gjuajtjet totale: Pri 9-9 Lir

Gjuajtjet në portë: Pri 8-6 Lir

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru - 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku, 77. Mergim Pefqeli (25. Abdul Basit Khalid - 57’) - 15. Gauthier Mankenda (11. Liridon Fetahaj - 62’), 10. Mentor Mazrekaj, 27. Ahmed Januzi (29. Drashko Bozhoviç - 74’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Lorik Maxhuni, Ergyn Ahmeti, Anel Rashkaj. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Liria: 31. Edvin Bakaj - 23. Stefan Kocev, 5. Elton Basri, 44. Endrit Vrapi, 22. Robert Gjeraj, 66. David Domgjonaj (10. Ilir Mustafa - 59’), 17. Florent Avdyli (18. Albin Memaj - 46’), 8. Jetmir Sefa, 27. Zenel Gavazaj, 20. Roni Gashi, 16. Artur Magani (11. Qendrim Gashi - 80’).

Komenti:

Parashihej sot ndeshje e vështirë. Ashtu doli. Megjithatë, sidomos në pjesën e parë, Prishtina bëri trysni të madhe dhe tregoi kush realisht është skuadër më e madhe. Jo vetëm që luajti shumë më mirë, por lëshoi tre raste shumë të mira shënimi.

Pjesa e dytë befasisht u takoi mysafirëve edhe pse Prishtina më shumë rrezikoi. Edhe më të lehtë ia bëri dalja me të kuqe të Currit, krijuan aksione e disa gjysmëraste, por sot këmbëngulësia ishte në anën e vendasve. Pas një gabimi të portierit që doli me top jashtë zonës, prishtinasit e shfrytëzuan mjeshtërisht dhe u mjaftoi ky gol i vetëm, pa një futbollist në fushë, që të shënonin dhe t’i rrëmbenin tre pikë shumë të vështira, por jashtëzakonisht të çmuara.

Megjithëse në disa momente kishte tension, gjyqtarët e ndeshjes kryen ndeshjen me përpikëri, pa marrë parasysh që kishte ankesa, sidomos nga prishtinasit, por krijohet përshtypja që gjykimi ishte real. Ishte ndeshje e fortë e me duele, por jo me shumë zhagitje apo vonim të lojës. Dhe, pas kësaj ndeshje pa dyshim mund të themi se është rikthyer derbi i moçëm, por që nuk e ndjeken aq shumë shikues.

Minutë pas minute:

14’ Mazrekaj nga e majta e harkon këndoren diku te shtylla e dytë, Dallku e ndal e pastaj lirohet e gjuan me këmbën e majtë jo aq të preferuar. Ishte vetëm ai dhe mbrojtja jo e rreshtuar mirë, megjithëse njëri prej mbrojtësve, Vrapi apo edhe Domgjonaj e bllokuan gjuajtjen.

15’ Prishtina është në momentet e saj. Mazrekaj depërton nga e majta dhe e drejton topin përpara portës thuajse të zbrazur. Prishtinasit nuk u gjenden mirë të shtyenin topin në rrjetë dhe disi dikush nga mysafirët e prek e del mbi tra.

25’ Aksion i mysafirëve nga e djathta, harkimin e Gavazajt e largon Dallku me kokë e gjuajtja e Kocev ishte e plogësht.

28’ Januzi e provon gjuajtjen pak nga e majta jashtë zone, por pret portieri.

31’ Mazrekaj shënjestron nga gjuajtja e lirë ballore këndin e epërm, intervenim i saktë i portierit Bakaj që dëbon mbi tra.

36’ Mazrekaj tani nga ndërprerja e djathtë harkon në zonë, e Mankenda gjuan me kokë, ose jo aq saktë sa edhe portieri mysafir intervenoi aq sa të pengonte.

42’ Osmani provon nga distancë e madhe, por pa problem për gardianin mysafir.

44’ Prishtina ashtu siç e fituan edhe e humbën topin, diku nga e djathta afër zonës, dhe gjuan Kocev, por pret Bekaj.

46’ Domgjonaj provon gjuajtjen nga distancë e madhe, jashtë.

53’ Gjuajtje e fortë e Boshnjakut nga gjysmëdistanca, Bakaj grushton, por jo aq saktë, topi përpak sa nuk përfundoi në rrjetë, megjithëse fluturoi mbi tra.

53’ Mazrekaj e harkon këndoren e majtë, Dallku nga e dyta gjuan lartë.

57’ Bashiru në momentin e fundit e spastron topin në zonë të harkuar nga e majta, po mos të arrinte do të rrezikohej shumë skuadra. U përshëndet vetëmohimi i tij nga shikuesit.

60’ Mazrekaj pranon top nga e majta dhe në stilin e tij mësyn nga qendra dhe para zonës drejton gjuajtje të rrëmbyeshme dhe nuk e dimë se si arriti që portieri Bakaj të ndalte këtë gjuajtje.

62’ Lëndohet Mankenda nga një ndërhyrje e Gjerajt që nuk e dimë se si mbeti pa u ndëshkuar. Mankenda u detyrua të lëshonte fushën dhe u zëvendësua nga Fetahaj.

63’ Endri Vrapi nga distanca gjuan rrezikshëm, por Bekaj ia del të dëboj në këndore.

65’ Roni Gashi provon nga distanca, por e pasaktë, jashtë.

71’ Nuk kishte shumë sekonda që Curri u ndëshkua me kartonin e parë të verdhë në murin e gjallë. Tani ndërhyn palejueshëm dhe u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, respektivsht të kuqin dhe tani do të mungoj në një ndeshje.

73’ Dy minuta u deshën që të gjuhej kjo gjuajtje e ekzekutuar nga e djathta prej Vrapit drejt në portë, por Bekaj nuk u befasua.

79’ Sefa gjuan rrezikshëm, pret Bekaj.

82’ Tani provon me gjuajtje edhe Mustafa nga gjysmë e djathta jashtë zonës, por jashtë.

84’ Tani Mustafa nga pozitë e njëjtë dhe shumë më rrezikshëm, por në vend Bekaj.

86’ Portieri Bakaj me gjithë top e lëshon zonën dhe pozitë indirekte e ndëshkohet me të verdhë. Mazrekaj si me dorë e harkon top dhe nga e djathta e gjenë Dallkun në shtyllën e dytë dhe pas shkëputjes e ngulit topin në rrjetë. Gëzim i madh i bardhekaltërve - 1:0.

90’ Bozhoviç nga gjuajtja e lirë prej të djathtës harkon në zonë, Khalid ia del të kthej topin në portën e zbrazët pas daljes së portierit, por me gjasë ishte Vrapi që e largon pothuajse nga vija e portës.

90+3 Edhe një dalje e Bozhoviçit nga e djathta, e kthen për Fetahajn i cili tenton të paraboloj portierin i cili megjithatë nuk u befasua, e kap atë.


Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës: Ishte kjo ndeshja më e fortë këtyre tre javëve. Kam thënë që Liria ka ekip cilësor e sidomos vrapon shumë duke e dëshmuar në dy ndeshjet e kaluara dhe jorastësisht kanë fituar me Trepçën ‘89. Pra, jam i gëzuar për fitoren dhe për lojën që kemi treguar, sidomos në pjesën parë e ku realisht ne është dashur të shënojmë në fillim të ndeshjes. Dhe normalisht kur këtë se bënë me njëmbëdhjetë lojtarë në fushë, por e arrin me një më pak, e kuptueshme që jam jashtëzakonisht i gëzuar për çka përgëzoj edhe kapitenin Dallku që do ta kishte lakmi çdo ekip tjetër. Kapitenët e mëdhenj janë për këso ndeshje ku duhet luftuar dhe duhet vendosur ndeshje. Ndeshjet tjera do t’i zhvillojmë edhe më të mira, duke e llogaritur që në bankinë ka edhe shumë lojtarë tjerë jashtëzakonisht cilësor, kur do të angazhohen e të vijnë në shprehje më shumë. 

Armend Dallku: Uhff, një uhff e madhe. Rëndësi kanë tre pikët dhe jam shumë i lumtur me karakterin e ekipit që treguan kur mbetëm me një lojtar më pak në fushë dhe ajo mungesë nuk u vërejt. Djemtë e deshën shumë fitoren, duke i uruar shumë për luftën deri në fund, por edhe adhuruesit që na përkrahën. E përgëzoj edhe Lirinë për ndeshjen shumë të fortë, të mirë dhe të organizuar.

Blendi Shkëmbi, kryetrajner i Lirisë: Mendoj që ishte ndeshje e dobët nga ne, sidomos pjesa e parë. Nuk diskutohet, edhe unë personalisht mendoj që kamë ato defektet e mia, pasi që mendova se me disa lojtarë do të luaja në atë mënyrë. Në pjesën e dytë u munduam më shumë dhe rregulluam diçka, por në momentet kur ishim me një lojtar më shumë dhe po kërkonim fitoren dhe erdhi ai gabim i portierit, por është i mirëkuptueshëm nga dëshira për të nisur më shpejtë topin. Por nga nervat e acaruara të disa lojtarëve, sidomos të atij lojtari që ishte ngarkuar të ruante Dallkun tek shtylla e dytë, nuk ia doli të ruante.