Lajme

Java IV: Ballkani – Prishtina

Java IV: Ballkani – Prishtina

Përballja e 7-të e dy skuadrave pas luftës

Prishtinë, 10 shtator 2018 – Më të përfunduar ndeshjet e sotme të Përfaqësueseve, menjëherë nesër fillojnë garat e kampionatit. Dhe, javën e 4-të do të nisin skuadra e promovuar në elitë, Ballkani e cila e pret Prishtinën në Therandë.

Prishtina udhëton në Therandë pas dy ndeshjeve dhe dy fitoreve pa pësuar gol, ndërsa Ballkani e zhvillon ndeshjen e katërt dhe në tre ndeshje ka arritur një fitore e dy humbje.

Ballkanin do ta drejtor ish-kryetrajneri dhe drejtori i deritashëm i shkollës së futbollit të Prishtinës, Sami Sermaxhaj.

Ndërsa Prishtina pothuajse është komplete dhe kjo më së miri u vërejt në ndeshjen përgatitore me U19 të Kosovës me që rast u paraqiten edhe Pefqeli e Morina (i cili shënoi edhe golin e vetëm të ndeshjes së shtunës)

Java IV:

Ballkani – Prishtina

E martë, 11 shtator – ora: 15:45

Stadiumi i qytetit, Therandë

Josa: Shkojmë me fitu, por duke fitu me mend në kokë, me kujdes, sepse luan edhe kundërshtari futboll

“I bije që pas kësaj periudhe pauze që kishim të fillojmë prapë kampionatin. Për mua është njësoj, në të njëjtat pozita siç e kemi lënë për faktin, sepse luajmë me një skuadër, e cila tregoi edhe në Feronikel, tregoi futboll, pavarësisht humbjes. Mund të themi që ka lojtarë me eksperiencë brenda dhe vlerësojmë komplet punën që ka bërë ajo skuadër deri tash, siç vlerësojmë punën e çdo skuadre tjetër. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, nuk do të jetë e lehtë për ne. Duhet të jemi skuadër me ekuilibër, një skuadër që duhet të zotërojmë topin dhe godasim kundërshtarin. Normal që shkohet me fitu, por duke fitu me mend në kokë, me kujdes, sepse luan edhe kundërshtari futboll”, ka thënë kryetrajneri, Mirel Josa.   

Dallku: Duhet bërë punën tonë që t’i marrim tre pikë për të vazhduar rrugën tonë

“Normalisht se ndeshjen e kaluar kam qenë shumë i lumtur, e ku duhet falënderuar edhe FFK-n që ka bo hap që të ma fal një ndeshje dhe me rikthimin në stadium dhe me fitoren ndaj Drenicës. Duhet të kemi tani vazhdimësi edhe në lojën e ardhshme që e kemi me Ballkanin. Edhe pse na pret lojë e vështirë në një teren shumë të vështirë. Mirëpo neve na pret që të bëjmë punën tonë që të marrim tre pikë dhe të vazhdojmë rrugën drejt qëllimit tonë”, tha para ndeshjes, kapiteni i rikthyer, Armend Dallku. 

Statistikat:

Ballkani pas luftës në elitën e futbollit tonë ka qëndruar vetëm dy sezone, më 1999/00 dhe 2010/11. Përderisa edicionin e parë të pasluftës, therandasit kishin pësuar dy humbje të thella, 6:1 e 0:3, në herën e dytë përveç humbjes 3:0, i kishin shkaktuar Prishtinës dy humbje të rënda prej 1:0, të dyja të zhvilluara në Rahovec me shënues të njëjtë, Fillim Guraziu. Të rënda kishin qenë, sepse kishin qenë shkaktari kryesor i humbjes së titullit pastaj nga Prishtina, megjithëse Ballkani kishte rënë sërish nga elita. Prishtina edhe Ballkanit janë takuar edhe për Kupë në rrethin e parë në vitin 2015 kur Prishtina kishte fituar pastër 5:0.

Pra, nga ndeshja e vetme e zhvilluar në Therandë, më 2000-në, në stadium të parindertuar, kishte fituar Prishtina 0:3 dhe kjo do të jetë vetëm përballja e dytë në stadiumin e qytetit të Therandës.

Dy skuadrat janë takuar edhe në muajin janar në miqësore ku Prishtina kishte fituar 1:2.