Lajme

Java IV: Drenica – Prishtina

Java IV: Drenica – Prishtina

Ndeshja nis nga ora 16:30 dhe zhvillohet në “Bajram Aliu”


Prishtinë, 12 shtator, 2017 – Drenica dhe Prishtina luajnë këtë mesjavë, e mërkurë nga ora 16:30 në “Bajram Aliu” të Skenderajt. Kjo ndeshje i takon javës së IV të Vala Superligës.

Prishtina udhëton në Skenderaj pas dy fitoreve rresht, ndërsa kuqezinjtë pas humbjes në Mitrovicë.

Prishtina mungesë e ka vetëm Debatik Currin e “skuqur” pas dy kartonëve të verdhë në ndeshjen e fundjavës me Lirinë. Pra, skuadra është e kompletuar. Dhe, vetëm fitorja do të kënaqte skuadrën edhe pse udhëtimi në Skenderaj gjithmonë për bardhekaltrit ka qenë i vështirë, megjithëse skuadra në tre ndeshjet e fundit të udhëtimit në Skenderaj ka dalë e pamposhtur dhe dy prej tyre i ka fituar.

Java IV:

Drenica – Prishtina

E mërkurë, 13 shtator – ora: 16:30

Stadiumi: “Bajram Aliu”, Skenderaj

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Benon Këpuska (Gjk), Gzim Mehmeti (Mt), Isak Ceroviku (Mt)

Thaqi: Drenica dhe atmosfera përreth saj na konvenon

“Si fushë, si stadium, gjithmonë ka qenë i vështirë për ekipet. Por, ajo që duhet theksuar, se si ekip, e potencoj, gjithmonë kanë qenë korrekt maksimalisht , duke u nisur nga tifozët që për mua janë model për krejt klubet e futbollit në Kosovë dhe normalisht pjesa tjetër, lojtarët, kanë qenë gjithmonë korrekt brenda fushës. Pra, neve na konvenon si ekip, kjo mënyrë, kjo atmosferë dhe kjo sjellje e lojtarëve dhe e publikut. Kështu që presim një lojë shumë të mirë. Normalisht presim t’i vazhdojmë sukseset ashtu siç kemi thënë më herët, se fitorja me Lirinë dhe kthimi i fitoreve me Flamurtarin, na e jep mundësinë që ne të vazhdojmë me fitore dhe unë jam i sigurt që do të vazhdojmë me këtë ritëm dhe normalisht suksesi është i përbashkët, sepse numër një është klubi, pastaj gjërat tjera”, ka thënë kryetrajneri, Arsim Thaqi. 

Miftaraj: Ndeshje e vështirë, por të përgatitur maksimalisht për fitore

“Pres lojë të vështirë, sepse realisht Drenica ka ekip të mirë, mirëpo ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe besoj në triumfin dhe tre pikët tona, normalisht si në çdo ndeshje tjetër. Po ashtu, edhe në aspektin personal, gradualisht jam duke u ambientuar me ekipin dhe në këtë ndeshje do të paraqitem si mbrojtës ku pres me angazhim të jap maksimumin për fitoren e radhës”, ka thënë mesfushori me tipare defensive, Diar Miftaraj.