Lajme

Java IV: Drenica – Prishtina 1-1

Java IV: Drenica – Prishtina 1-1

Edhe pse ishte pranë fitores – Prishtina nuk meritoi më shumë se një pikë

Skenderaj, 13 shtator, 2017 – T’ia qëllosh Prishtinës tre shtylla për 32 minuta lojë, kjo nuk mbahet mend të ketë ndodh. Aq dobët kanë luajtur sot bardhekaltrit në “Bajram Aliu” gjatë 45-minutave të para. Sikur mos të mjaftonte plogështia e Prishtinës e forma e mirë e Drenicës, edhe gjyqtari Vula e jepte një shtysë  vendasve, sidomos kur e sheh që bardhekaltrit u sanksionuan me pesë të karton të verdhë përkundër vetëm dy të vendasve përderisa këta ishin që ndërhyn ashpër e sharjet e fyerjet drejtuar sidomos futbollistit Bashiru e herë- herë vetë Vulës. Por, gjykimi i Vulës më nuk e çuditë Prishtinën e as kontrafaulli i gjykuar në rastin e golit të barazimit të vendasve. Çudit se si Prishtina në minutën e parë shtesë mbyllet në zonën e saj prej ndërprerjes 60-metra dhe pëson gol dhe i humbet dy pikë!?

Pra, Prishtina sot ishte pranë fitores që nuk e meritonte, e sidomos dhemb që pësoi gol vetëm dy minuta para mbarimit të ndeshjes pas harkimit nga 60-metra. E pafalshme, me këto tre pikë,  përkundër lojës së dobët, skuadra do të rrëmbente pozitën e parë në klasifikim.

Java IV:

Drenica – Prishtina 1-1 (0:0)

Golat: Genc Hamiti 90+1’ – Drashko Bozhoviç 83’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Benon Këpuska (Gjk), Gzim Mehmeti (Mt), Isak Ceroviku (Mt)

KV: A. Bejta, T. Dajaku - A. Dallku, A. Bashiru, A. Rashkaj, B. Khalid, G. Mankenda

Pozitat jashtë lojës: Dre 1-2 Pri

Kornerët: Dre 1-4 Pri

Gjuajtjet totale: Dre 10-7 Pri

Gjuajtjet në portë: Dre 8-5 Pri

Drenica: 1. Arion Ymeri – 6. Arbios Thaqi, 19. Adnan Haxhaj (3. Drilon Bekteshi – 87’), 14. Sami Geci /c/, 16. Azem Bejta, 5. Visar Berisha, 4. Dukagjin Gashi, 21. Taulant Dajaku, 9. Genc Hamiti, 7. Hysen Tahiri (77. Arian Salihu – 84’), 10. Enis Zabërgja (15. Armend Abazi – 62’). Kryetrajner: Bekim Shotani.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku, 5. Diar Miftaraj, 13. Abdul Bashiru – 21. Anel Rashkaj, 7. Lorik Boshnjaku, 77. Mergim Pefqeli (15. Gauthier Mankenda – 72’) – 11. Liridon Fetahaj (29. Drashko Bozhoviç – 53’), 10. Mentor Mazrekaj, 27. Ahmed Januzi (25. Basit Abdul Khalid – 62’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Përparim Osmani, Ergyn Ahmeti. Kryetrajner: Arsim Thaqi. 

Komenti:

Në pjesën e parë Prishtina tentonte të qarkullonte topin, por pothuajse në tre rastet kur u qëllua shtylla u gabua para mbrojtjes, e vendasve vetëm fati ua pamundësoi kurorëzimin e lojës së mirë me gol.

Pjesa e dytë ishte më e baraspeshuar dhe Prishtina pati raste pak më të mira dhe njërin e shfrytëzoi për mrekulli. Duhet cekur se portieri Bekaj në dy raste në dy pjesët ka shpëtuar skuadrën pa pësuar gol.

Sidoqoftë sot nuk kënaqi as loja e as pikët e lëshuara nga duartë.

Prishtina menjëherë të shtunën në Drenas e pret Vllazninë e Pozharanit në kuadër të javës së pestë.

Minutë pas minute:

5’ Fetahaj e vazhdon majtë te Bashiru dhe provon gjuajtjen, jo e fortë për portierin vendas.

7’ Zabërgja e vjedh topin para zonës dhe gjuan ulët nga 22-23 metra duke qëlluar pingulen e majtë.

10’ Sërish Zabërgja, tani nga e majta kalon edhe Dallkun dhe kur afrohet rreth qendrës nga 16 metra gjuan lartë, tani qëllon tërthorësen. 

11’ Vazhdojnë gabimet e mysafirëve. Berisha ia shtyn në zonë Tahirit i cili sikur u frikësua nga mundësia, gjuajti plogësht.

20’ Dajaku me diagonale nga e djathta në krahun e kundërt e gjen Hysenin që gjuan në shtyllën e parë, por e lehtë për Bekajn.

23’ Tahiri e provon gjuajtjen nga goditja e dënimit, por jashtë.

31’ Nuk ndalet Drenica. Dajaku bukur e asiston Hysenin e ky gjuan pozita gjysmë e djathtë, intervenon portieri Bekaj dhe me ndihmën edhe të pingules së djathtë e shpëton portën.

32’ Vazhdon trysnia e vendasve, tani provon, por plogësht, nga brenda zonës Genc Hamiti, pret Bekaj.

39’ Dallku gjuan nga goditja e dënimit, por lartë. Ishte vetëm topi i dytë i drejtuar drejt portës vendasve. Ishte kjo loja më e dobët e Prishtinës në këto 45-minuta.

50’ Pefqeli fiton top nga e majta dhe posa afrohet afër zonës gjuan në shtyllën e parë. Plogësht, kap portieri Ymeri.

65’ Sapo hyri në ndeshje dhe pas pakujdesisë së Miftarajt, Abazi del vetëm me portierin Bekaj, i cili me kohëm me portierin Bekaj, i cili me kohë kishte lëshuar portën e zgjat këmbën dhe shpëton gol të sigurt.

71’ Mazrekaj e harkon këndoren e majtë, Khalid gjuan lehtë me kokë, pa problem Ymeri.

74’ Boshnjaku e provon gjuajtjen nga distanca, e lartë.

83’ Gashi vendas gjuan nga distanca, e lehtë për Bekajn.

83’ Basit Abdul Khalid depërton dhe shtyn topin përpara, pastaj ia vazhdon në gjysmëdjathtë Drashko Bozhoviçit që me lehtësi e kalon mbrojtësin vendas dhe gjuajti rrëmbyeshëm e në portë – 0:1.

87’ Bashkëveprim i mirë i Mankendës e Khalid, ky me vrapim të shpejtë ia del disi të gjuaj, por tani portieri Ymeri e kishte bllokuar gjuajtjen.

88’ Aksion i mirë nga njëri krah te tjetri kur Dajaku ia vazhdon gjysmëmajtë Berishës e ky gjuan plogësht, Bekaj në vend.

90+1’ Luftojnë për top në fushën e vendasve Gashi dhe Rashkaj. Futbollisti vendas e qëllon me bërryl Rashkajn, por gjyqtari Vula nuk çuditë, gjykon për vendasit dhe duron skenat çjerrëse të futbollistit vendas. Prishtinasit çuditërisht barikadohen në zonë dhe krosimin e gjatë të Gashit dikush e ulë afër shtyllës së djathtë ku ndodhej ish-futbollisti i Prishtinës Genc Hamiti që nuk pret por gjuan me të parën dhe saktë në kahun e kundërt të portës – 1:1.

90+3’ Ndeshja mbyllet me tentimin e Berishës nga e majta, por ishte e lartë.

Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës: Mendoj se Prishtina ka funksionuar në të dy pjesët. Drenica ka qenë në pjesën e parë më e rrezikshme te goli duke na krijuar raste. Me euforinë e saj dhe të publikut, Drenica e ka krijuar karakterin e vetë të cilën e ka pas edhe më herët, por në momentin kur ne e kemi pasur posedimin, me dy pasime na kanë rrezikuar duke na ardhur shpejtë te porta. Kurse, e dyta, ne kemi pasur lojën në kontroll dhe si rezultat i asaj ne kemi arritur të shënojmë. Pjesa tjetër ku neve na kushtoi me gol ishte vendimi i gjyqtarit me kontrafaull te Rashkaj, por ai është që vendos. Po ashtu mosmenaxhimi i mirë te zona në këto raste dhe futbolli është interesant dhe ndodhin befasitë. Ne barazuam në një ndeshje që është me rëndësi që dy ndeshjet që nuk e ka bë, tani Rashkaj ishte në nivel të lojës, por ende kemi lojtarë që duhet përshtatur me nivelin e futbollit tek ne dhe në këtë drejtim kam disa probleme, por besoj të përmirësohemi në ndeshjet e ardhshme.

Drashko Bozhoviç: Shënuam gol, më duket në momentin e duhur. Por, e patëm fatin e keq të pranojmë gol në minutën e fundit në atë mënyrë të pakuptueshme ku një ekip serioz nuk duhet të lejoj të ndodh. Por, s’kemi çfarë të bëjmë, duhet të ngrehim kokën lartë të shohim tutje, sepse kemi ndeshje menjëherë të shtunën dhe për këto tre ditë duhet harruar këtë ndeshje e të përqendrohemi në ndeshjen e radhës. Duhet pranuar se po dridhem pas shënimit të golit të parë dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme të kem paraqitje edhe më të mira.

Bekim Shotani, kryetrajner i Drenicës: Në pjesën e parë patëm tre shtylla, prej tyre dy aksione të ndërtuara nga dedefensiva, por finalizimi na mungoi ku na mungoi fati. Në pjesën e dytë hymë më të kujdesshëm kur prapë krijuam raste pavarësisht se Prishtina shënoi e para, ne e meritonim të bënim të parët. Unë i përgëzoj djemtë e Drenicës për lojën e shkëlqyer, jo vetëm sot, por kjo ishte ndeshja e katërt me këtë paraqitje. Kjo nënkupton se kemi Drenicë homogjene, me karakter shumë të lartë e këtë e kemi bindur në katër ndeshje pa marrë parasysh pikëve që kemi marrë. Drenica do të jetë e fortë në vazhdimësi, do të jetë në kreun e tabelës dhe do të jetë arrë e fortë për të gjitha ekipet tjera.