Lajme

Java IV: Prishtina - Llapi 0-1

Java IV: Prishtina - Llapi 0-1

Sebino Plaku (31’) i ka sjellë tre pikë historike Llapit

Prishtinë, 13 shtator 2019 - Llapit sot meritoi fitoren e cila është e para historike për këtë skuadër në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Prishtina lëshoi raste ideale në pjesën e parë, qëlloi edhe traversën, por nuk shënoi çka mysafirët dënuan vendasit nga e vetmja gjuajtje dhe rast në pjesën e parë.

Prishtina ishte më e plogësht në pjesën e dytë, por megjithatë qëlloi sërish traversën dhe pati dy-tre tentime, por shterpe.

FC Prishtina

Java IV

Prishtina - Llapi 0-1 (0-1)

Golashënues: Sebino Plaku 31’

Shikues: mbi 2.000

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Erduan Baliqi (Mt), Gzim Mehmeti (Mt) - Vigan Ibërdemaj (Pe)

KV: M. Korenica - M. Zhdrella, B. Maliqi

Pozita jashtë lojës: Pri 4-2 Lla

Kornerët: Pri 6-2 Lla

Gjuajtje totale: Pri 10-4 Lla

Gjuajtjet në  portë: Pri 2-2 Lla

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 2. Armend Thaqi /c/, 28. Leotrim Bekteshi, 8. Ahmet Haliti, 22. Labinot Ibrahimi - 5. Diar Miftaraj (11. Kreshnik Uka - 78’), 77. Ardit Hila (18.Ergyn Ahmeti - 46’), 6. Endrit Krasniqi (7. Lorik Boshnjaku - 72’) - 10. Meriton Korenica, 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Eglant Haxho, Tun Bardhoku, Trimror Selimi, Alban Shillova. Kryetrajner: Bylbyl Sokoli.

Llapi: 1. Bledar Hajdini - 3. Senad Husiç (94. Xhelil Abdullah - 87’), 5. Elvis Prençi, 7. Mentor Zhdrella /c/, 8. Benjamin Emini, 11. Sebino Plaku (10. Enis Zabërgja - 89’), 17. Arbnor Ramadani, 20. Behar Maliqi, 22. Kastriot Selmani (21. Argjend Mustafa - 79’), 31. Armin Mujkiç, 77. Mergim Pefqeli. Kryetrajner: Tahir Batatina.

Minutë pas minute:

23’ Nga e djathta lufton Korenica e ia del t’ia vazhdoj Januzit e ky përpara te Hila që e kthen te Thaqi dhe harkon në zonë, por Krasniqi nuk e qëllon topin saktë, larg portës.

25’ Ibrahimi harkon nga e majta, portieri nuk ia del të dëbonte topin i cili bije para Januzit dhe në portën zbrazët qëllon fuqishëm traversën e jashtë, ishte rast që nuk humbet lehtë.

28’ Super pasim i Januzit në të majtë të Mankenda gjuajtja e të cilit bllokohet nga njëri prej mbrojtësve mysafir, këndore.

29’ Krasniqi harkon nga e majta në të “dytën” nga ku Bekteshi gjuan me kokë skaj pingulës.

31’ Kundërzbritje e shpejtë e Llapit, nga krahu i djathtë me saktësi harkoi Selmani kurse nga dy futbollistët e vetmuar mysafir në shtyllën e dytë gjuan Plaku me kokë për epërsinë që doli të ishte rezultat final i ndeshjes - 0:1.

37’ Miftaraj bukur te Hila i cili del i vetëm me portier dhe tenton këndin e majtë të portierit, por vetëm e qëllon atë dhe këndore, ishte rast i pastër.

50’ Pefqeli depërtim nga e majta në qendër e pastaj gjuan mbi tra për skuadrën mysafire.

55’ Bashkëveprojnë Ahmeti e Krasniqi i cili futet në të djathtën e zonës e gjuan ulët, pret portieri.

57’ Pas kundërzbritjes topi vije te Plaku nga e majta nga gjuan prej distancës, por e lartë.

67’ Gabojnë vendasit dhe pas disa ndërveprimeve, Pefqeli gjuan ballore, e ulët, në këndin e majtë, pret Bekaj.

79’ Uka provon gjuajtjen nga distanca ballore, jashtë.

82’ Aksion i mirë i nisur nga e majta prej Mankendës, në fund topi përfundon në kahun tjetër nga provon Ahmeti, por e lartë.

90’+3 Kornerë i “shkurtuar” i harkuar nga Korenica, shumë futbollistë kërcejnë në top i cili përfundon në pjesën e sipërme të traversës, këndore.

90’+6 Uka provon nga distanca, e lartë.

Deklaroi:

Bylbyl Sokoli: Unë sot pash që kemi shumë probleme në fazën e mbrojtjes, mungon shumë komunikimi i sidomos dy mbrojtësve të cilët janë lojtarë që nuk janë të koordinuar siç duhet, nuk kanë vetëbesim dhe ky është problemi kryesor. Ndërsa në mesfushë nuk jemi të rrezikshëm, luajmë në vend dhe është shumë lojë shterpe. Kurse sulmi është mjaft kërkues dhe dëshirojnë të luajnë, mirëpo kemi probleme në këtë aspekt. Problemet janë evidente dhe pavarësisht se në pjesën e parë patëm dy-tre raste, por unë mendoj Llapi fitoi me meritë. Ajo që është më rëndësi për mua se jam i vetëdijshëm se do të ketë shumë probleme me ekip, na nevojitet kohë, por Prishtina nuk ka kohë, nuk pret. Do të bëjmë përpjekje të konsolidojmë skuadrën, por problemi kyç është mbrojtja.