Lajme

Java IX: Ballkani – Prishtina

Java IX: Ballkani – Prishtina

Bardhekaltrit në terrenin ende të pamposhtur

Prishtinë, 6 tetor 2019 – Prishtina nesër udhëton te skuadra, njëra prej tre ekipeve që udhëheqin klasifikimin, Ballkanin me 17 pikë, e cila nga 3 ndeshje në këtë edicion si vendas ka fituar po të tria takimet.

Pa dyshim që do të jetë test, si për vazhdimësinë e vendasve, por edhe të Prishtinës, e cila ka radhitur 4 fitore rresht duke mos pësuar gol në 3 ndeshje rresht.

Ballkani ishte rikthyer në elitën edicionin e kaluar dhe Prishtina kishte mposhtur dy herë therandasit, ndërsa një herë kishte luajtur baras. Kurse, nga 9 përballjet zyrtare të pas luftës, përveç barazimit të lartcekur, Prishtina ka 6 fitore dhe 2 humbje – të dyja në ndeshjet e zhvilluara në Rahovec. Pra, nga 3 takimet e zhvilluara në Therandë, Prishtina ka fituar 2 herë dhe ka barazuar 1 herë.

Skuadra ka ende tre mungesa, Januzin e Halitin dhe Mankendën me probleme shëndetësore, por që të tre priten të rikuperohen për ndeshjen e mbetur më 16 tetor kundër Drenicës.

Java IX

Ballkani – Prishtina

E hënë, 7 tetor – ora: 14.30

Stadiumi i qytetit, Therandë

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Erdoan Baliqi (Mt), Fatlum Jashari (Gjl) – Kreshnik Vula (Gjk)

L. Abazi: Kundër një ekipi të fortë, për ne ndeshje e radhës

“Do të përballemi kundër një ekipi simpatik, por edhe të fortë, këtë e kanë treguar rezultatet dhe janë kryesues në klasifikim. Por, për ne është ndeshje e radhës dhe mendojmë vetëm për tre pikët e reja. Kemi ecuri pozitive me ekipin, kemi lojtarë me cilësi dhe në formë të lartë dhe e vetmja gjë që e mendojmë është rezultati pozitiv. Pa dyshim e vështirë është të luash në bari sintetik, por edhe ne stërvitemi në ato kushte dhe nuk do të jetë e papërballueshme për ne, thjesht mendjen e kemi vetëm te fitorja”, ka thënë sulmuesi ofensiv i krahut, Leonit Abazi, i cili nga 5 paraqitje ka shënuar 1 gol dhe ka asistuar në dy gola – të gjitha këto në tre ndeshjet e fundit.