Lajme

Java IX: Ballkani – Prishtina 1-0

Java IX: Ballkani – Prishtina 1-0

Bardhekaltrit ndalën në Therandë – vendasit vazhdojnë serinë pozitive

Ballkani - Prishtina 1-0 Diar Miftaraj

Prishtinë, 7 tetor 2019 – Therandasit sot fituan ndeshjen me vetëm dy gjuajtje në kuadrat – për kundër tre herë të mysafirëve. Në fakt, vendasit fituan ndeshjen, mbase nga rasti i vetëm më mirë, ndërsa Prishtina lëshoi dy raste të sigurta shënimi – nga një rast në çdo pjesë.

Dukej se, mbase rezultati baras do të ishte më reali, por ashtu nuk menduan vendasit dhe këmbëngulësia e tyre u shpagua pas gabimit në mysafirëve.

Ballkani - Prishtina 1-0 Leonit Abazi

Prishtinën e lë larg kjo humbje 7 pikë larg kreut që e udhëheq Ballkani (dhe një ndeshje më pak të zhvilluar), ndërsa skuadra ishte e hendikepuar edhe pa 4 futbollistë titullar – të lënduar Januzi, Mankenda dhe Haliti, ndërsa Korenica i suspenduar për shkak kartonëve për çka sot debutoi edhe i riu, Max Rugova, kurse paraqitjen e dytë regjistroi edhe Trimror Selimi.

Ballkani - Prishtina 1-0 Max Rugova

Sidoqoftë, prishtinasit duhet harruar sa më shpejtë këtë humbje duke mësuar nga gabimet e bëra sot që t’iu rikthehet fitoreve nga ndeshja me Drenicën më 16 tetor – datë deri kur skuadra pushon për shkak ndeshjeve të Përfaqësueseve.

Ballkani - Prishtina 1-0 Endrit Krasniqi

Java IX

Ballkani – Prishtina 1-0 (0-0)

Golashënues: Blend Baftiu 56’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Erdoan Baliqi (Mt), Fatlum Jashari (Gjl) – Kreshnik Vula (Gjk)

KV: E. Krasniqi – I. Munishi

Pozita jashtë lojës: Blk 0-2 Pri

Kornerë: Blk 3-1 Pri

Gjuajtjet totale: Blk 7-7 Pri

Gjuajtjet në portë: Blk 2-3 Pri

Ballkani: 1. Armend Ruxhi - 22. Besnik Krasniqi, 5. Visar Berisha /c/, 14. Egzon Sinani, 3. Arbër Patoku, 8. Kushtrim Gashi, 20. Edvin Kuç (23. Ramiz Bytyqi – 75’), 16. Artur Magani (6. Edmond Turku – 65’), 9. Arbër Hoxha, Jetmir Topalli, 10. Blend Baftiu (21. Liridon Fetahaj – 80’). Kryetrajner: Ismet Munishi.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi /c/, 28. Leotrim Bekteshi, 22. Labinot Ibrahimi, 4. Tun Bardhoku – 5. Diar Miftaraj, 77. Ardit Hila (18. Ergyn Ahmeti – 56’), 6. Endrit Krasniqi (9. Trimror Selimi – 81’) – 11. Kreshnik Uka (44. Max Rugova – 73’), 23. Leonit Abazi, 17. Alban Shillova. Zëvendësues: Eglant Haxho, Ermal Vitija, Agon Xhaka, Lorik Boshnjaku. Kryetrajner: Armend Dallku.

Komenti:

Prishtina sot nga takimi i 8-të kampional, regjistroi edhe humbjen e tretë kampionale përkundër 4 fitoreve dhe 1 barazimi duke grumbulluar 13 pikë dhe po ashtu duke regjistruar humbjen e parë në Therandë pas luftës.

Prishtina më 16 tetor zhvillon ndeshjen e mbetur të javës së 8-të kundër Drenicës në “Fadil Vokrri”, ndërsa shtabi teknik mund të jetë më i lehtësuar me kthimin nga lëndimi të tre futbollistëve.

Minutë pas minute:

11’ Uka nga e djathta shkurt te Thaqi që harkon me të parën, ndërsa gjuajtjen me kokë nga pozitë ideale të Abazit e pret portieri Ruxhi.

12’ Gabojnë vendasit, topin me shpejtësi merr Abazi duke ia kaluar Hilës që nga e djathta futet në zonë, por gjuajtja e tij shkon drejt në portierin Ruxhi që reagon mirë duke shpëtuar gol të sigurt.

Ballkani - Prishtina 1-0 Ardit Hila

16’ Hoxha bukur harkon nga e majta, kurse Baftiu gjuan me kokë, por për pak i pasaktë, e lartë.

41’ Aksion i Ballkanit nga e djathta, por nuk ndalet faullimi në Bardhokun e që për pak ta shfrytëzoj Krasniqi me gjuajtje të ulët nga e djathta, por intervenon Bekaj, megjithëse se gjuajtja nuk ishte aq e fortë.

50’ Potoku harkon nga e majta në qendër të zonës, Topalli provon me kokë, por larg portës. 

52’ Prishtinasit duke tentuar të lënë një top në anësore, përfitojnë vendasit dhe me shpejtësi Baftiu e shfrytëzon duke gjuajtur nga distanca, por e lartë.

Ballkani - Prishtina 1-0 Labinot Ibrahimi

56’ Topalli kalon nga e djathta Ibrahimin dhe me gjysmëharkim gjen Baftiun në mesin e dy-tre futbollistëve prishtinas duke shfrytëzuar këtë huti me shënim efektiv për 3 pikët e reja të Ballkanit – 1:0.

60’ Krasniqi e harkon ndërprerjen nga e djathta, Shillova provon gjuajtjen me kokë, jashtë.

62’ Endrit Krasniqi me top diagonal të përkryer në zonë për këmbëshpejtin Uka që i ikën mbrojtësit e del me portier, por gjuan drejt në të e Ruxhi reagon edhe njëherë saktë duke shpëtuar gol të sigurt.

Ballkani - Prishtina 1-0  Kreshnik Uka

67’ Topalli ia rrëmben topin Ibrahimit duke ia kaluar djathtas te Kuç harkimin e të cilit në shtyllën e dytë për pak nuk e mbërrin Baftiu.

78’ Endrit Krasniqi provon gjuajtjen nga goditja e dënimit ballore, e lartë.

84’ Aksion i mirë i Ballkanit nga e djathta…Fetahaj ia shtyn përpara Besnik Krasniqit, por që nuk e qëllon portën.

88’ Ergyn Ahmeti provon gjuajtjen nga distanca, por e lartë.

Ballkani - Prishtina 1-0 Ergyn Ahmeti

90’ Hoxha vendas gjuan ballore, e ulët jo aq e fortë, skaj pingules së majtë.

Ballkani - Prishtina 1-0 Alban Shillova

Deklaruan:

Armend Dallku: Në këtë fushë, të them të drejtën nuk kemi pritur edhe më shumë, sepse është e vogël dhe dendësia e lojtarëve ishte mjaft e madhe, pavarësisht që ne krijuam dy raste, të parën me Hilën dhe të dytën me Ukën, mirëpo nuk i konkretizuam. Më shqetëson fakti se kundërshtari pati vetëm një rast dhe atë e shënoi dhe kjo është problematike, sepse ne ishim në posedim të topit duke e humbur atë dhe na u shënua goli. Kjo është për të ardhur keq, për t’u analizuar shumë gjatë, sepse lojtarët tanë nuk duhet bëjnë aso gabimesh amatoreske, sepse tek e fundit në këtë ndeshje është pritur që skuadra që bënë gabime më pak të fiton ndeshjen. Pikërisht këtu e kam dhimbën më të madhe, sepse nga posedimi i topit nga ne, e humbim atë, driblohemi dhe na shënojnë shumë lehtë. Po shpresoj që do t’i përmirësojmë këto gabime në të ardhmen. Ndërsa, realisht është pritur rezultat i ngushtë, më dhemb që humbëm kështu, edhe pse ndeshja ishte për barazim.