Lajme

Java IX: Ballkani – Prishtina 2-1

Java IX: Ballkani – Prishtina 2-1

E dhimbshme, Prishtina humb pikët në 7 minutat e fundit!

Gauthier Mankenda

Prishtinë, 28 tetor 2020 – Bardhekaltrit sot ishin pranë tre pikëve, po udhëhiqnin me golin e John pas asisistimit dhe lojës brilante të Mankendës që nga minuta e 34-të. Prishtina pati edhe dy raste tjera pas kësaj në pjesën e dytë me John (58’, 87’) dhe mund të mbyllte ndeshjen më herët. Vendasit, po bënin trysni të madhe, por nuk po krijonin raste, deri te dy momentet e kobshme, dy harkime nga e djathta dhe dy gola me të njëjtin realizues, Mevlan Zeka, 88’ dhe 90’+5!

Gauthier Mankenda

Prishtina në javën e dhjetë udhëton në Skenderaj ku do të ndeshet me Drenicën.

Ballkani - Prishtina 2-1

Java IX

Ballkani – Prishtina 2-1 (0-1)

Golat: Mevlan Zeka 88’, 90’+5 – Oto John 34’

Gjyqtarë: Dardan Çaka, Alban Ejupi, Gëzim Mehmeti – Mervan Bejtullahu

KV: Gashi, Kuç, Sinani, Zeka – Haxho, Boshnjaku, E. Krasniqi, H. Mici, Q. Zyba

Pozita jashtë lojës: Blk 0-1 Pri

Kornerët: Blk 1-1 Pri

Gjuajtjet totale: Blk 11-6 Pri

Gjuajtjet në portë: Blk 6-1 Pri

Ballkani: 1. Armend Rugji – 2. Armend Thaqi (23. Ramiz Bytyqi – 21’ – 14. Egzon Sinani – 46’), 5. Visar Berisha /c/, 33. Arbër Prekazi, 3. Arbër Potoku (99. Mevlan Zeka – 59’), 8. Kushtrim Gashi, 20. Edvin Kuç, 10. Nazmi Gripshi, 11. Meriton Korenica, 17. Ermal Krasniqi (98. Blend Baftiu – 46’), 19. Mirlind Daku. Kryetrajner: Ismet Munishi.

Prishtina (4-3-3): 35. Eglant Haxho – 2. Besnik Krasniqi, 28. Leotrim Bekteshi, 22. Gentjan Muça, 18. Gledi Mici – 13. Behar Maliqi (17. Alban Shillova – 90’+2), 7. Lorik Boshnjaku /c/, 20. Qendrim Zyba – 10. Endrit Krasniqi, 15. Gauthier Mankenda (4. Tun Bardhoku – 87’), 77. Oto John. Zëvendësues: Ivan Jeliç, Donat Hasanaj, Enis Gavazaj, Albin Prapashtica, Nikson Memaj. Kryetrajner: Zekirija Ramadani.


Golat/rastet:

Në pjesën e parë u regjistruan pesë tentime nga dy skuadrat, vetëm dy te vendasve, të dyja të Gripshit, e para jashtë zone dhe intervenimi i Haxhos (19’) si dhe nga gjuajtja e lirë dhe sërish intervenimi i Haxhos (28’).

Qendrim Zyba

Ndërsa, Prishtina nga tre tentimet, të tria ishin raste ideale, duke nisur gjuajtjen akrobatike të Zybës mbi tra pas harkimit të ndërprerjes dhe devijimit (23’), daljes së shpejtë në kundërzbritje të Mankendës, pasimit të Boshnjakut dhe përballja me portier e John i cili gjuajti krejtësisht jashtë portës (29’), dhe goli i realizuar.

Oto John

Goli ishte model i aksionit, me shpejtësi Endrit Krasniqi nga parazona e drejton topin djathtë te individi më i mirë i Prishtinës, Mankenda i cili pas depërtimit pason/asiston nga e djathta në portën krejtësisht të zbrazët dhe shënimit të Oto John - 0-1 (34’).

Oto John

Në pjesën e dytë deri te dy golat ishte Ballkani që po tentonte portën, por jo raste ideale shënimi, ishin dy rastet ideale të Prishtinës, të dyja të Oto John.

Oto John

Të parën e devijon portieri dhe përpak sa nuk u fut në portë (58’) dhe rastin e dytë pas pasimit të E. Krasniqit, depërton e kalon nga e majta dhe në afërsi të portierit gjuan jashtë pingules së parë (87’).

Oto John

Për Prishtinën regjistruam edhe solo-depërtimin nga e majta të E. Krasniqit dhe tentimin e plasimit në këndin e kundërt, por e pasaktë.

Endrit Krasniqi

Vendasit, ndërkohë po sulmonin dhe harkonin pa ndërprerë nga të dy krahët. Korenica harkon nga e majta, Baftiu gjuan me kokë, e lehtë për Haxhon (69’). Sërish harkimi i Korenicës, Zeka provon me gërshërë, e lartë (73’). Baftiu provon nga ndërprerja ballore, pa problem Haxho (85’). Baftiu ka edhe një tentim nga distanca, jashtë (86’).

Dhe, kur Prishtina mund të shënonte me John (87’), vetëm pas një minute harkimin nga e djathta, Mevlan Zeka përballet me Haxhon, këmba e tij prek topin më shpejtë dhe 1-1 (88’).

Mevlan Zeka - Gentjan Muça

Deri në minutën e 5-të shtesë Prishtina provoi edhe me sulmuesin e dytë, Shillova, që të provonte të fitonte ndeshjen, por një kundërzbritje e shpejtë, aksion nga e djathta, harkim, në të dytën gjuan Baftiu, pret Haxho dhe nga topi kthyes përfiton Mevlan Zeka duke shënuan golin e dytë dhe të fitores për skuadrën e tij – 2:1.

Ballkani - Prishtina 2-1 Eglant Haxho

Deklaroi:

Zekirija Ramadani: Nuk ishte sot ndeshja jonë më e mirë, kemi bërë edhe ndeshje tjera të mira, sepse gjatë tërë pjesës së dytë ne më shumë u mbrojtëm dhe s’është Prishtina ajo që duhet të jetë, mirëpo ishte një disiplinë taktikore ku arritëm ta mbajmë deri në minutat e fundit, por në minutat e fundit u ndëshkuam nga dy krosime nga loja dhe jo nga gjuajtjet e lira. Kjo më dhemb edhe më tepër. Me këto dy gola të pranuar në fund me të vërtet them se kemi lëshuar shumë, shumë dhe pas kësaj në asnjë mënyrë nuk do të jem ai që unë do të mbaj ekipin peng, por do të ulem të flasim me drejtuesit dhe të shohim se si do të ia bëjmë më tutje.

Zekirija Ramadani