Lajme

Java IX : Prishtina – Llapi

Java IX : Prishtina – Llapi

Luftë për pikët në ndjekje të Feronikelit

Prishtinë, 5 tetor 2018 – Derbi rajonal ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, tani ka shtrirë rrënjë edhe në rivalitet për klasifikim. Skuadra nga Podujeva nuk ka trofe në futbollin kosovar, e as histori në përballje me Prishtinën. Por, duke investuar fuqishëm dhe duke dashur të riorganizohen në klub profesional, domosdoshmërisht kanë fituar vëmendje dhe respektin e skuadrave dhe publikut rival.

Andaj, përballja e nesërme është luftë për pikë, kryesisht për mos ta lejuar të distancohet më shumë Feronikeli – skuadër kjo që pas 11 ditësh do ta pres Prishtinën.

Pra, kemi hyrë në fazën interesante të kampionatit dhe të përballjeve ndërmjet skuadrave lartë të plasuar në tabelë.

Prishtina tani ka të konfirmuara tre mungesa që munguan edhe në mesjavë në Prizren, si Mankenda, Ahmeti e Mustafa, por të gjithë futbollistët tjerë janë në garë për 11-në startues.

Java IX

Prishtina – Llapi

E shtunë, 6 tetor – ora 17:45

Stadiumi i Prishtinës “Fadil Vokrri”

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Besnik Morina (Vu), Elvis Bicaj (Is) - Shpëtim Murtezi (Gjl)


Statistikat:

Ndërsa, edhe pse në tre edicione në garë për trofe, është Prishtina gjithmonë mbi Llapin. Edhe në tre përballjet e fundit kryeqytetasit kanë tre fitore rresht, por para kësaj ishte skuadra llapjane me një barazim e 2 fitore rresht.

Përballja pritet të grumbullojë numër të konsideruar shikuesish – normale, sepse dy skuadrat po llogaritën 3-4 pretendentët kryesor për titull.

Llapi ndodhet e 2-ta me 16 pikë, 4 më pak se Feronikeli, ndërsa Prishtina ndanë pozitën e 3-të sëbashku me Flamurtarin me 15 pikë. Deri sa Prishtina si vendase është tre skuadrat e vetme që ende nuk ka pësuar, po ashtu ka pësuar edhe më së pakti gola, vetëm 1, kurse nga 8 ndeshjet kampionale në 45 minutat e parë nuk ka pësuar asnjë gol. Dhe, përball do ta ketë Llapin që ka pikët maksimale nga udhëtimi – 3 ndeshje 3 fitore dhe më së shumti gola të shënuar, plot 8.

Dy skuadrat pas luftës kanë 21 përballje në të gjitha garat me dominim të Prishtinës prej 12 fitoreve, 3 barazime dhe 6 fitore të Llapit – prej tyre asnjë në kryeqendër. Prishtina ka edhe goldallim pozitiv prej +16, 38:22. 60 golat e shënuar në përballje e bënë mesataren prej 2.85 golave për ndeshje, statistikë jashtëzakonisht e lartë e ku Prishtina ka 1.8 e Llapi 1 gol për ndeshje. Rezultatet më të shpeshta janë goleada, nga 3 herë 3:1, 2:1 e 2:0.

Mirel Josa e ka udhëhequr Prishtinën në 4 përballje dhe i ka 3 fitore, por edhe një humbje e cila është më e thella në bankinë e Prishtinës, 3:0 në Podujevë. Këto statistika i ka kundër Tahir Batatinës që mbetët trajneri më jetëgjatë dhe më i suksesshmi kundër kryeqytetasve ku nga 13 ndeshje ka 4 fitore, 2 barazime e 7 humbje me goldallim negativ -4, 17:21. Ndërsa kryetrajneri aktual, Bylbyl Sokoli ka rekord ndeshje ndaj bardhekaltërve, gjithsejtë 29, por me bilanc negativ, ka fituar 7 ndeshje, ka barazuar 6 dhe është mposhtur 16 herë me goldallim negativ, -15, 19:34.

Të gjitha rezultatet pas luftës:

1999/00:
Llapi - Prishtina 0:2 (0:2) Visar Aliu 8’, Kushtrim Munishi 44’
Prishtina - Llapi 5:0 (1:0) Kushtrim Munishi 15’, Malsor Gjonbalaj 53’, 85’,  Burim Berisha 56’, Visar Aliu 60’

2000/01:
Llapi - Prishtina 1:0 (0:0) Arben Azemi 50’
Prishtina – Llapi 4:0 (2:0) Bashkim Patoku 25’, Malsor Gjonbalaj 32’, Sheremet Isufi 80’, 90’

2001/02:
Llapi - Prishtina 0:0
Prishtina - Llapi 4:1 (1:0) Florim Humolli 28’, Uliks Emra 61’, Sheremet Isufi 68’, 84’ – Hysni Veliu 70’

2004/05:
Llapi – Prishtina 3:1 (2:0) Nelson Neto 12’, Driton Syla 44’, Leandro Silva 82’ – Sheremet Isufi 53’
Prishtina – Llapi 1:0 (0:0) Visar Sermaxhaj 64’

2014/15:
Kupa: Llapi – Prishtina 2:1 (2:1) Dardan Jashari 3’, Mergim Boshnjaku 28’ – Mentor Zhdrella 12’

2015/16:
Prishtina – Llapi 2:1 (1:1) Shend Kelmendi 8’, Bashkim Shala 71’ – Getoar Dragusha 26’ (pen)
Llapi – Prishtina 2:0 (1:0) Visar Zogiani 6’, Enis Zabërxha 68’
Prishtina – Llapi 3:1 (2:1) Berat Hyseni 10’, Kreshnik Lushtaku 21’, Shend Kelmendi 84’ – Enis Zabërgja 31’
Kupa ½ Prishtina – Llapi 3:0 (0:0) Armend Thaqi 68’ Labinot Osmani (pen) 77’, 90+3’
Kupa ½ Llapi – Prishtina 1:1 (1:0) Egzon Sinani 35’ – Kreshnik Lushtaku 77’

2016/17:
Prishtina – Llapi 3:1 (0:0) Shend Kelmendi 48’, Ahmed Januzi 60’, Gauthier Mankenda 62’ – Egzon Sinani 71’
Llapi – Prishtina 0:0
Prishtina – Llapi 1:2 (0:0) Basit Abdul Khalid 58’ – Berat Hyseni 72’ (p), Mirlind Daku 82’

2017/18:
Llapi – Prishtina 3:0 (2:0) Gentrit Begolli 7’, Hamdi Namani 24’, Florim Bërbatovci 90+1’
Prishtina – Llapi 2:0 (1:0) Drashko Bozhoviç 2’, Egzon Sinani (aut) 70’
Kupa ¼: Llapi – Prishtina 2:2 (2:3 p) Mirlind Daku 43’, 112’ – Drashko Bozhoviç 75’, 107’
Prishtina – Llapi 3:2 (3:1) Ahmed Januzi 1’, 32’, Arbër Hoxha 21’ – Mentor Zhdrella 6’, Altin Merlaku 87’