Lajme

Java IX: Prishtina – Llapi 2-1

Java IX: Prishtina – Llapi 2-1

Fitoren me rikthim të Prishtinës ia sollën golat e Khalid 60’ dhe Morinës 90’+1

Lorik Boshnjaku

Prishtinë, 6 tetor 2018 – Ndeshja e sotme ndërmjet rivalëve e përmbushi epitetin e derbit. Deri sa mysafirët ishin më të mirë në pjesën e parë, veçmas në 15 minutat e parë kur shënuan njëherë e qëlluan shtyllën – këto dyja nga gjuajtjet standarde, pjesa tjetër e ndeshjes i takoi në tërësi bardhekaltërve. Edhe para se të pësohej goli ishte Prishtina që mund të shënonte, sidomos me Khalid. Por, ngjarja rrodhi si rrodhi dhe u deshtë të vinte pjesa e dytë dhe Prishtinë agresive e këmbëngulëse që këtë edicion se kemi parë dhe me meritë përmbysi epërsinë e mysafirëve për t’i fituar tre pikë tjera të arta.

Diar Miftaraj

Skuadra ka pushim deri më 17 tetor kur do të ndeshet në Drenas me liderin Feronikeli i cili tani ka 5 pikë më shumë se Prishtina në pozitën e dytë.

FC Prishtina

Java IX: Prishtina – Llapi 2-1 (0-1)

Golat: Basid Khalid 60’, Marjo Morina 90’+1 – Behar Maliqi 11’

Shikues: 2.000

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Besnik Morina (Vu), Elvis Bicaj (Is) - Shpëtim Murtezi (Gjl)

KV: Bashiru – Emini, Jashari

KK: Idrizi (min. 76’)

Pozita jashtë lojës: Pri 4-2 Llapi

Kornerët: Pri 3-4 Llapi

Gjuajtjet totale: Pri 11-3 Llapi

Gjuajtjet në portë: Pri 6-2 Llapi

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru (77. Mërgim Pefqeli – 90’) – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku, 3. Jamal Arago – 11. Arbër Hoxha (27. Marjo Morina – 46’), 10. Meriton Korenica, 9. Basid Khalid (19. Alen Jasharoski - 74’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Ahmet Haliti, Donat Hasanaj. Kryetrajner: Mirel Josa.

Llapi: 12. Eglant Haxho (13. Afrim Ademi - 81’) – 8. Benjamin Emini, 5. Dardan Jashari, 23. Ardian Hoti, 4. Bujar Idrizi, 20. Behar Maliqi, 6. Kushtrim Shabani (19. Gentrit Begolli - 73’), 16. Hamdi Namani /c/, 11. Fiton Hajdari, 95. Alban Rexhepi, 97. Festim Alidema (18. Ilir Blakqori – 78’). Kryetrajner: Bylbyl Sokoli.

Arber Hoxha

Komenti:

Skuadra ka vazhduar sot me fitoren e dytë rresht, por edhe ka shënuar fitoren me dy gola të shënuar të parën pas ndeshjes së parë me Trepçën ’89. Skuadra sot po ashtu ka pësuar golin e parë në pjesë të parë, por me rikthim ia ka shkaktuar humbjen e parë si mysafirë Llapit. Llapi vazhdon mos të fitoj në kryeqendër me Prishtinës, nuk ka fituar kurrë si mysafire e kryeqytetasve.

Armend Thaqi

Khalid ka shënuar golin e dytë kampionatl, por me rastin e shënimit u lëndua rëndë në përplasje me portierin dhe të dy pas një kohe u zëvendësuan. Khalid vetëm pas ndeshjes ishte këndellur nga goditja që mori në kokë. Kurse, Marjo Morina ka shënuar golin e parë me fanellën e Prishtinës, ndërsa Thaqi ka regjistruar asistimin e dytë, ndërsa kapiteni Dallku të parin kampional.

Armend Thaqi

Minutë pas minute:

Meriton Korenica

2’ Korenica provon gjuajtjen nga ndërprerja, ballore, pak e lartë.

4’ Sërish aksion, sërish Korenica ballore, kap portieri.

Basid Khalid

7’ Khalid pasi pranon pasim të saktë del me portier dhe gjuan drejt në të, këndore.

11’ Ndëshkohet skuadra pas tre tentimeve. Namani bukur nga gjuajtja e lirë majtë e harkon topin në zonë ku më së larti shkëputet e me kokë shënon Behar Maliqi – 0:1.

Prishtina - Llapi 2-1

14’ Mysafirët përpak të shfrytëzojnë shok-un e Prishtinës, nëpërmjet Idrizit qëllojnë shtyllën nga gjuajtja e lirë ballore. Mysafirët më parë patën ankesë se Bashiru ishte futbollisti i fundit, ndërsa Prishtina pati ankesë që nuk ekzistonte faulli. 

17’ Pas këndores, aksion i ri, Dallku te Thaqi djathtë, ky harkon në zonë, Hoxha me kokë plogësht, jashtë.

Jamal Arago

28’ Arago me pasim fenomenal e qet Khalid në duel me mbrojtës që i ikën e del me portier që i ikën majtë, por rrëshqet e megjithatë në vazhdim Korenica gjuan rrëmbyeshëm, topi u devijua e mbi tra këndore.

30’ Khalid nga distanca larg portës.

44’ Aksion i mirë nga e majta, në fund Rexhepi provon ballore, por larg portës.

Lorik Boshnjaku - Hamdi Namani

60’ Superaksion. Boshnjaku sot që ngadalë po kthehet ai i vjetri, ia vazhdon djathtë Thaqit, që sot në pjesën e dytë ishte i pandalshëm, e kthen para portës në shtyllën e parë nga përfiton Khalid dhe me kokë vendos topin në rrjetë – 1:1.

Khalid

64’ Katër minuta shkuan deri sa u rikuperuan Khalid e portieri mysafir.

69’ Aksion i mirë, Morina ia vazhdon majtë Aragos e ky në zonë Korenicës që as nuk gjuajti as pasim djathtë, topi del jashtë.

71’ Pasime ndërmjet Morinës e Thaqit nga e djathta e ky në fund gjuajtje ballore jashtëzone, pret e kap portieri.

76’ Ndëshkohet me karton të kuq Bujar Idrizi.

83’ Korenica provon gjuajtjen nga distanca, larg portës.

89’ Bashiru hark nga e majta, Jashari e ndal, por gjuan Korenica, bllokohet topi nga një futbollist mysafir e që po shkonte drejt portës.

Marjo Morina

90’+1 Prishtina ka futur Llapin në zonë dhe para zonës, është Dallku që bënë presion dhe fut një top të drejt portës me çka devijohet pak e përfundon anash shtyllës së djathtë ku nga afërsia shënon Morina. Gëzim i jashtëzakonshëm në tribuna – 2:1.

Marjo Morina

Prishtina - Llapi 2-1

Deklaruan:

Mirel Josa: Të gjitha fitoret janë të vlefshme, se janë të barabarta me tre pikë. Por, e mundimshme ishte për faktin se ne e rikthyem rezultatin dhe unë ua dedikoj djemve të cilët patën durim gjatë gjithë kohës, sidomos me nervat e tyre dhe me qetësinë që treguan në lojë, në mënyrën se si u shpreh ajo. Tash se si ku u përmirësuam atë e di unë dhe ata çuna vetë. Normal që Llapi na goditi me një goditje standarde dhe dy-tre në pjesën e parë, po ashtu na goditi edhe shtyllën e ku do të kishin qenë gjërat shumë më vështirë, por futbolli kështu e ka. Ne duhet të vazhdojmë punën tonë, kemi dy javë kohë që tash të qetësohemi në mënyrë që qoftë të karikojmë skuadrën, qoftë të rikuperojmë lojtarët e lënduar të cilët na kanë krijuar jo pak probleme. Te unë nuk ka pasur asnjë lloj presioni, të dini këtë dhe të jemi të qartë të gjithë. Unë jam mësuar me punën e trajnerit, kam ndërruar më shumë se 10 skuadra deri në këto momente. Normal që kur nuk fiton skuadra futesh në një detyrim më të madh për të fituar ndeshjen tjetër. Problemi është që ne duhet të përmirësojmë gabimet, qoftë edhe gabimet që bëmë sot, se nuk do të thotë që s’patëm sot gabime, t’i përmirësojmë nga ndeshja në ndeshje në mënyrë që të rrisim besimin tonë, qoftë te vetja, qoftë te sportdashësit.   

Basid Khalid: Po ndjej endje dhembje. Por, po ndihem më mirë pas atij momenti pasi që thjesht përjetova që mos të dija as ku jam. Por tani po ndjehem më mirë dhe sidomos kur bashkëlojtarët erdhën në zhveshtore më treguan që kemi fituar, pra po ndjehem edhe më mirë për këtë. Normal, jam i lumtur që shënova, thjesht jam duke i dëgjuar fjalët e trajnerëve se si ta sulmojë portën dhe sidomos me punën ekstra që jemi dukë e bërë në trening, për çka meritoj se fitorja është meritë e asaj pune. 

Marjo Morina: Sidomos goli në fund dhe ku të bënë të fitosh ndeshjen të kënaq shumë, pa masë. Kjo do të thotë shumë për mua, për klubin, për të gjithë, e veçmas për tifozët ta rikthejmë besimin. Po ashtu ishte gjynah të lenim pikë sot, sepse kemi lënë shumë pikë rrugës që nuk na falet kurrë, dhe sidomos në këtë fushë e që për mua është fusha më e mirë nga të gjitha klubet e trevave shqiptare. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm.

Bylbyl Sokoli, kryetrajner i Llapit: Mendoj që ekipi luajti mirë. Në momente patëm disa gabime për të cilat ne shumë kemi fol. E kemi ditur që në anën e djathtë Prishtina është më e fuqishme dhe depërtushmëria e saj është në anën e djathtë dhe kemi pasur shumë siguresa në atë anë. Dhe përkundër kësaj, prapë Prishtina aty ka depërtuar dhe për atë arsye janë bërë edhe dy ndërrime në atë pjesë të fushës. Vendimtare ishte largimi i lojtarit tonë, tash duhet të shohim çfarë ka ndodhur aty, por unë mendoj që nuk është dashur të mbesim me 10-lojtarë, kuptohet do të kërkojmë fajin te lojtari ynë të shohim se çfarë ka ndodhur aty. Por, unë mendoj që edhe në pjesën e parë mendoj se (Bashiru) është lojtar i fundit dhe duhej të ndëshkohej me të kuq dhe kemi qenë të dëmtuar, sepse është shans për gol dhe lojtari i fundit. Sido që të jetë edhe këto janë pjesë të lojës dhe neve na mbetët shumë të punojmë, sepse shihet qartë që në mungesë të Januzit, Zhdrellës, Kelmendit kemi shumë probleme në mes, sidomos në sulm. Prandaj do të mundohemi t’i konsolidojmë radhët në ndeshjet e ardhshme që të rikthehemi në lojë dhe dalëngadalë të përmirësojmë formën dhe t’i eliminojmë gabimet të cilat u shfaqën sot. 

Plisat

Prishtina - Llapi 2-1