Lajme

Java V: Prishtina – Vllaznia

Java V: Prishtina – Vllaznia

Ndeshja zhvillohet nesër nga ora 16:00

Prishtinë, 15 shtator, 2017 – Prishtina dhe Vllaznia nga Pozharani do të takohen në kuadër të javës së pestë të Vala Superligës. Vllaznia nga Pozharani vije pas fitores së madhe dhe të parën në kampionat kundër kampionëve aktual, Trepça ’89. Ndërsa Prishtina ndeshjes i hynë pas zhgënjimit në Skenderaj.

Këto dy skuadra nuk kanë traditë të përballjes pasi që pozharanasit për herë të parë inkuadrohen në elitën e futbollit tonë këtë edicion.

Por, Vllaznia dhe Prishtina janë takuar një herë, në vjeshtë të vitit 2013 në rrethin e parë të Kupës. Vllaznia ndodhej në Ligën e dytë apo rangu i tretë dhe kishte eliminuar kampionët aktual, Prishtinën pas penalltive. Ishte kjo humbja më turpëruese e Prishtinës në 25 vitet e fundit.  Pra, Prishtina ka arsye dhe motiv të mposhtë kundërshtarët e nesërm edhe për arsye se vetëm fitorja është imperativ.

Prishtina nuk ka mungesa, kthehet edhe Debatik Curri pas suspendimit të një ndeshjeje.

Java V

Prishtina – Vllaznia

E shtunë, 16 shtator – ora: 16:00

Stadiumi: “Rexhep Rexhepi”, Drenas

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Besnik Morika (Vu), Visar Kelmendi (Pe) - Skender Halilaj

Thaqi: Fitorja do të duhej të ishte e padiskutuar

“Vllaznia ka mposhtur kampionët aktual dhe kanë motiv para ndeshjes me ne. Kurse ne hyjmë në ndeshje pas dy pikëve të humbura me Drenicën. Por, sidoqoftë ne e kemi mundësinë të reflektojmë, sepse cilësia është në anën tonë dhe po ashtu luajmë si vendas dhe ish dashtë që tani më të përshtatemi me fushën e Drenasit. Ne duhet të mbesim vetëm që me atë humbje që kemi dhe të mbesim në kreun e tabelës për çka është motiv shtesë për të ardhmen. Pra, duke e njohur nivelin e lojtarëve që kemi, fitorja do të duhej të ishte e padiskutueshme”, ka thënë kryetrajneri, Arsim Thaqi.

Bekaj: Duhet t’i rikthehemi fitoreve

“Duhet cekur që duhet harruar ndeshjet paraprake dhe atë çka ndodhur më herët, pra duhet fokusuar për këtë ndeshje për çka jemi të përgatitur për rikthimin e fitoreve. Por, më së shumti ne duhet të punojmë në aspektin psikik duke e harruar Drenicën sikur mos të kishte ndodhur asgjë dhe të fokusohemi vetëm te Vllaznia”, ka thënë portieri Visar Bekaj.